Me anë të dy vendimeve të ditëve të fundit, në luftë me shumë ekspertë të shoqërisë civile, qeveria Rama ka vendosur t’u heqë truall parqeve kombëtare shqiptare duke tkurrur sipërfaqen me vlerë të tyre.

Po si po e bën ajo këtë? Me një metodë shumë të thjeshtë, me atë që simbolikisht quhet “modeli djathë kaçkavall”, ku brenda sipërfaqeve aktuale janë hequr pjesë të caktuara nga mbrojtja, duke u lënë kështu dorë të lirë “investitorëve” të ardhshëm për të ndërtuar mbi to.

Vrimat e “djathit kaçkavall”, që më parë ishin të mbrojtura, tani e tutje do ta kenë të dyshimtë destinacionin.

Rrudhja e pasurisë natyrore

Nisi si një studim në 2019-ën me argumentet se do të përmirësonte situatën e parqeve kombëtare në Shqipëri por tani që u firmos dhe u vulos në dy vendime qeverie për shkak se ligjërisht duhet të shoqërojë vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit të disa muajve më parë, ekspertët e mjedisit druajnë se arsyeja mund të ketë qenë krejt tjetër: për të rrëmbyer truall në zonat e mbrojtura.

Megjithë kundërshtinë e 50 organizatave për ruajtjen e zonave të mbrojtura prej muajsh, kryeministri Rama firmosi më 26 janar të këtij viti.

Çfarë do ndryshojë në pasurinë tonë të përbashkët, në parqet që po rrethohen gjithnjë e më shumë nga betoni?

Këto janë vetëm tre raste të shpjeguara vizualisht nëpërmjet hartave zyrtare të KKT-së se si do ndryshojë sipërfaqja e mbrojtur. Njollat e bardha në këto harta tregojnë hapësirat e trojeve që po u grabiten parqeve. Zyrtarët që janë të përfshirë në studim apo përpilimin e këtyre planeve kanë argumentuar më herët se këto njolla të bardha nuk janë sipërfaqe të hequra nga hartat e zonave të mbrojtura por sipërfaqe të zonave rurale apo urbane. Mirëpo për shkak se i gjithë procesi nuk është bërë transparent plotësisht, nuk dihet nëse në këto njolla të bardha do të ndërtohen resorte a projekte të dyshimta të cilësuara si “zhvillimore”.

Po ashtu ekspertët e pavarur thonë se janë zvogëluar edhe kufijtë e jashtëm të këtyre zonave të mbrojtura, duke nxjerrë jashtë pa asnjë argument sipërfaqje të caktuara, si për shembull rasti i Plazhi të Ksamilit, apo i Velipojës apo tokat bujqësore në Nartë, për të cilat ekspertët e shpendëve dhe të kafshëve thonë se janë shumë të rëndësishme.

Parqet, të cilat do ndryshojnë janë Qafështama, Mali i Dajtit, Mali me Gropa, Divjakë-Karavasta, Pishë Poro – Nartë dhe Parku i Butrintit.

Ekspertët e organizatave që kundërshtojnë rrudhjen e zonave të mbrojtuara thekojnë se pas këtyre ndryshimeve fshihet urbanizimi. Kleçka qëndron te zonat ligatinore, ato zona bregdetare që kanë mikroklima, dinamikë ujërash e kripësi. Ato, sipas ekspertëve të pavarur po rrudhen, edhe pse kundërargumenti i zyrtarëve është se sipërfaqet e zonave malore po shtohen. Sipas ekspertëve të biodiversitetit, rritja e sipërfaqeve të zonave malore nuk është vlerë e shtuar, teksa zonat ligatinore duheshin ruajtur me kokëfortësi.  

 “Vendimet e mësipërme reduktojnë me 11% sipërfaqen e zonave të mbrojtura ligatinore, heqin prej zonave të mbrojtura në fjalë habitate të vyera, i hapin rrugë zhvillimeve të paqëndrueshme në brendësi apo në afërsi të zonave të mbrojtura, rrisin ndikimet negative mbi zonat qendrore të zonave të mbrojtura, varfërojnë habitatet dhe speciet, godasin larminë biologjike të zonave të mbrojtura dhe të gjithë Shqipërisë.”, deklaruan sot organizatat në mbrojtje të parqeve, duke shtuar se do ta ndjekin çështjen në gjykatë duke vazhduar luftën e tyre.

Sipas organizatave vendimet e Ramës ligjërojnë shkatërrimin e zonave të mbrojtura bregdetare dhe ligatinore të Shqipërisë duke prekur Liqenin e Shkodrës, ekosistemin Bunë-Velipojë, ligatinat Kune-Vain-Tale dhe Patok, Parqet Kombëtare të Divjakë-Karavastasë dhe të Butrintit, si dhe zonat Vjosë-Nartë e Pishë-Poro dhe se pas tyre fshihen zhvillime të paqëndrueshme, si urbanizim, aeroporte, bujqësi intensive, panele fotovoltaike dhe turbina ere.

Lufta e ekspertëve

Duke nisur që prej 2019-ës specialistët e mjedisit e kanë kundërshtuar projektin Rama. I nisur nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura si një studim shumë shpejt u fol për kufij zonash. Nuk dihet sesi u përpilua më pas vendimi për KKT-në, ndërsa kemi mbërritur sot te tkurrje sipërfaqesh me rëndësi për biodiversitetin.

Në një takim të zhvilluar vitin e kaluar me ministren Kumbaro ekspertët e pavarur qartësuan se ky proces ka qenë i paligjshëm dhe shumë i gabuar.

Foto nga takimi mes ekspertëve dhe ministres Kumbaro

 “Procesi i ndjekur deri më sot nga ministria është në kundërshtim me legjislacionin për Zonat e Mbrojtura dhe me gjithë kuadrin ligjor për këshillimin publik që garanton transparencën në vendimarrje. Pasojat e rivlerësimit të nxituar, jo komform ligjeve dhe të pabazuara shkencërisht në Zonat e Mbrojtura janë tejet negative për larminë biologjike kombëtare e sidomos për ZM-të ligatinore që janë njëherazi ZM ndërkombëtare”, dilnin në konkluzion ekspertët për zonat e mbrojtura në tetor të vitit të kaluar, duke sjellë si fakt edhe reagimin e Delegacionit të BE-së në Shqipëri që theksonte në raportprogresin e vitit 2021 se Këshilli Kombëtar i Territorit të Shqipërisë ka aprovuar pa këshillim publik hartën e rishikuar të Zonave të Mbrojtura duke i fragmentarizuar dhe reduktuar ato dhe duke cënuar funksionalitetin ekologjik të tyre.

Ekspertët i kërkuan ministres Kumbaro të niste rishikimin e vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit të dhjetorit 2020 por sipas tyre ajo nuk u tregua e gatshme.

Valmora Gogo është gazetare dhe lektore e Komunikimit dhe e Gazetarisë. Prej 17 vitesh ajo kontribuon në hapësirën mediatike në Shqipëri, duke nisur që prej gazetës Shekulli e deri te mediet online si Newsbomb.al, Shuplaka.al dhe Hashtag.al. Gogo mban gradën “Doktor në Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” dhënë nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. E fokusuar në kërkim dhe kryesisht në politikë, Gogo kujdeset në informimin e saktë të opinionit publik shqiptar.

Leave a Reply

  • (not be published)