Skema-dhuratë për festat e fundvitit 2021 këtë herë përfshin eksponentë të njohur e të përfolur që lidhen me Bashkinë e Tiranës dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Patentave, në krye të së cilës është Blendi Gonxhja.

Erind Bejleri, miku i Endri Fugës dhe drejtorit të Erion Veliajt, Ditjon Baboçit (dhëndërri i Fatmir Xhafajt) do paguhet 125 milionë lekë të vjetra për dy muaj.

Arsyeja? Projektimi i godinës së re të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Godina me të kuqe, gjurma ku do ndërtohet objekti i ri. Rruga “Muhedin Llagani” Nr.10, Tiranë

Socialistët kanë vendosur që në vend të investimit në sektorë të tjerë, në të cilët vendi ka kaq shumë nevojë, të investojnë në godina, duke i besuar projektin Erind Bejlerit.

Nëpërmjet kompanisëSON Engineering & Construction”, i ftuar me interes maksimal nga vetë z.Gonxhja, Bejleri ka dy muaj kohë për të krijuar projektin, nga i cili do të përfitojë mbi 60 milionë lekë për çdo 30 ditë.

Bejleri është lakuar edhe më herët si një nga përfituesit e mëdhenj të tenderave në Bashkinë e Tiranës. Njihet si mik i Ditjon Baboçit, drejtori i Përgjithshëm i Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë e Tiranës, me gjasë i zhvendosur në ndonjë pozicion tjetër dhe Endri Fugës, drejtorit të Komunikimit në Kryeministri.

Para disa javësh në Shqipëri rrodhën të dhënat nga disa databaza, si pagat e janarit dhe prillit 2021 si dhe të dhënat mbi automjetet dhe targat. Një sërë të dhënash u publikuan edhe sa u përket këshilltarëve të institucioneve, Bashkisë së Tiranës, apo pagave në funksione të tjera.

Me sa duket në këto skema, të cilat duhen hetuar nga SPAK-u, u qarkullokan më shumë para se pagat mujore të këshilltarëve.

Valmora Gogo është gazetare dhe lektore e Komunikimit dhe e Gazetarisë. Prej 17 vitesh ajo kontribuon në hapësirën mediatike në Shqipëri, duke nisur që prej gazetës Shekulli e deri te mediet online si Newsbomb.al, Shuplaka.al dhe Hashtag.al. Gogo mban gradën “Doktor në Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” dhënë nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. E fokusuar në kërkim dhe kryesisht në politikë, Gogo kujdeset në informimin e saktë të opinionit publik shqiptar.

Leave a Reply

  • (not be published)