
I arrestuar në tetor të 2025 si i dyshuar për spiunazh, Fatmir Sheholli është zyrtarisht përballë një aktakuze, me arsyetimin se ka bashkëpunuar me Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA).
Po kush është Fatmir Sheholli?
Ndonëse akuzat publike për lidhjet e tij me celulat serbe kanë qenë të shumta, adresuar edhe nga zyrtarë të lartë shtetërorë në Kosovë, Sheholli i ka mohuar kategorikisht. Fatmir Sheholli, zyrtarisht njihet si përfaqësues i shoqërisë civile nga Instituti për Avancimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, ndërsa dyshohet se lidhjet e tij me strukturat serbe kanë qenë të hershme, që në periudhën kur ish-Jugosllavia drejtohej nga Millosheviçi.
Në vitet ’90, gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviçit në ish-Jugosllavi, ai ka punuar në Sigurimin Shtetëror të Serbisë (UDB) deri në vitin 1993, ndërsa më pas ka punuar në Radio Prishtina. Kështu, nisën lidhjet e tij të para me median, ndërsa më vonë dha intervista edhe për mediat në Serbi. Më tej, në një intervistë të cilën e kishte dhënë në vitin 1999 në Beograd për anëtarët e “Delegacionit Amerikano-Verior në soladiret me Jugosllavinë”, Sheholli kishte deklaruar se UÇK-ja ia kishte vrarë babanë në vitin 1997.
“Para dy viteve, në janar të vitit 1997, UÇK-ja më vrau babanë. E quajtën ‘tradhtar’ dhe e vranë vetëm sepse mbështeti Jugosllavinë dhe qeverinë serbe, dhe jo regjimin e UÇK-së. Ai dëshironte të jetonte me të gjitha grupet etnike në Kosovë”, citohet të ketë thënë Fatmir Sheholli asokohe.

Fatmir Sheholli gjatë arrestimit mbulon kokën me kapuç
Fatmir Sheholli analist në media
Sheholli ka marrë pjesë në debate të shumta publike në studiot televizive në Kosovë, i ftuar si analist, duke trajtuar veçanërisht çështje që lidhen me sigurinë e Kosovës dhe Rajonit. Po ashtu, ai ka komentuar gjerësisht edhe zhvillimet nga zgjedhjet e mbajtura në Kosovë.

Çfarë dihet deri tani për të dhe skandalin që ka përfshirë Kosovën?
Sipas informacioneve të publikuara deri tani, Fatmir Sheholli ka kryer marrëveshje të shumta, për mbledhjen e fondeve nga ambasadat islamike në Beograd, me qëllim që paratë të investoheshin për ndërtimin e xhamive dhe shkollave islamike. Në këtë mënyrë, fëmijët do të rriteshin me frymën se feja është më e rëndësishme se kombi, shkruan Express.
Pjesë nga dosja e Prokurorisë së Kosovës për agjentin e dyshuar serb të arrestuar në Kosovë, bazuar në dokumentet e gjetura gjatë arrestimit
“Pasi që të bëjmë marrëveshje me operativet tanë në Kosmet, mbledhjen e fondeve nga ambasadat islamike në Beograd shumica e këtyre parave do të investohen në ndërtimin e xhamive .

Xhamitë duhet të ndërtohen në vende të dukshme si afër auto udhëve, shkollave, qendrave tregtare ndërsa xhamitë ne fshatrat e mëdha duhet të dyfishohen dhe trefishohen” .
“Pranë xhamive, shkollat islamike (mdereset) duhet te shtrihen në të gjithë vendin edhe në ato vende ku interesimi është më i vogël, fëmije dhe të rritur duhet të barten nga vendet ku feja është më e rëndësishme se kombi si nga vendet Mitrovicë, Vushtrri, Djeneral jankovic, Kaqanik, Dragash dhe Prizren. Krahas operativëve Shqiptar kontribut të madh do të japin edhe njerëzit tanë nga Maqedonia, Bosnja dhe Sanxhaku duke përfshirë Romët dhe Ciganet të cilët janë të gatshëm të punojnë per ne dhe të aktivizohen në Islam. Udhëheqësit e bashkësive islamike të Serbisë, Maqedonisë, Bosnes, Kosmetit janë nën kontrollin tonë dhe po punojnë qe sa me shume të inkuadrojnë njerëz me kombësi Shqiptare me ndikim ne Sport , media muzike dhe politike”.

“Edhe në disa parti politike kemi njerëzit tanë të cilët punojnë për ne dhe të cilët e përkrahin fuqishëm islamin dhe të cilët janë të lidhur me udhëheqësit islam të cilët janë duke shpërndarë islamin edhe në vendet ku nuk ka pasur kurrë xhami. Ne vendet perëndimore janë deleguar njerëzit tanë nga bashkësitë islame nga Kosova dhe Sanxhaku të cilët janë nën urdhrat e ambasadave tona në Zvicër, Gjermani dhe Belgjike.
“Me këtë do te arrijmë që ti ndajmë Shqiptarët të cilët jetojnë jashtë shteti kryesisht në Zvicër dhe Gjermani ku jetojnë Shqiptarët më të pasur dhe me të fuqishëm të cilët e kanë përkrahur Rugovën. Poshtë në Kosmet duhet të krijohet atmosfera ashtu që njerëzit të ndjehen sikur po jetojnë në një shtet të huaj kështu që një pjesë e rinisë do të ikë jashtë Kosovës dhe një pjesë do të vendosin për fenë islame. Pas 20 viteve Kosova do të duket si Kandahar. Fuqitë perendimore do të ndryshojnë mendimin për Kosovën dhe kështu do te vendosin për kthimin e Kosovës nën juridiksionin e Serbisë. Kur kjo të arrihet Serbia do ti ketë duart e lira të përsëris përndjekjen e Shqiptareve në Turqi mirëpo këtë herë jo përmes forcës por përmes udhëheqësve fetarë për punësim dhe duke ju ofruar super kushte për migrim në Turqi. Për këtë Serbia ka dritën jeshile nga shteti i Turqisë”.



