
Zgjedhjet e 11 majit forcuan pushtetin e Edi Ramës me një mandat të katërt duke tkurrur në 50 deputetë Partinë Demokratike. Sipas raportit të OSBE-ODHIR-it, 83 mandatet e PS-ës, 50 të PD-ës dhe pjesa tjetër për partitë e vogla erdhën pas një procesi me vota të blera, presione ndaj punonjësve të administratës, mediave të kapura e një sërë manipulimesh.
Në raport pasqyrohen denoncimet e opozitës dhe theksohen të meta në administrimin zgjedhor, duke vënë në pikëpyetje kushtet e garimit dhe integritetin që mund të ketë ky proces në një kohë kur mazhoranca që ka hyrë në vitin e 13-të qeverisjes, një opozite të fraksionuar dhe partive të vogla që kërkojnë terren gjithmonë e më shumë. Pikat më delicate të raportit fokusohen te:
Vota të blera dhe presione ndaj votuesve
Patronazhimi dhe lidhjet me krimin ishin të pranishme në raportim duke evidentuar edhe frikën e votuesve, gjë që cënon lirinë. Ndikimi i krimit të organizuar dhe lidhjet e tij me partitë politike në disa zona është konsideruar problematik. Ndërhyrjet e tyre janë parë si faktor që dëmton besimin e zgjedhjeve me standarte. Përdorja masive e administratës është gjetur e përhapur kryesisht mes punonjësve të bashkive, arsimit apo edhe në administratën publike ku punonjësit janë detyruar të japin të dhënat e familjarëve edhe jashtë vendit, kjo përmes rrjetit të patronazhimit.
Media të kapura, gazetarë nën presion dhe parti që prodhojnë lajmet
Gazetarët janë mënjanuar nga prodhimet mediatike duke u zëvendësuar nga materiale të vetë partive. Shqetësues paraqitet mjedisi në media i cili rezulton i kapur nga interesat partiake. Financimet jotransparente kanë dëmtuar pavarësinë, diversitetin dhe integritetin e lajmeve që u ofrohen votuesve. Këto elemente janë parë si ndërhyrje në autonominë e lajmeve. Shumica e televizioneve, thënë nga OSBE-ja janë të lidhura me qeverinë e cila përmes Agjencisë së Informacionit dhe Medias filtron njoftimet publike. Më keq paraqitet situata me gazetarët që citohet se punojnë nën frikë, autocensurë dhe presion nga pronarët. Ligji Zgjedhor është shkelur, evidentuar kjo në raport kur thuhet se materialet e fushatës janë transmetuar si lajme, pa u deklaruar si reklama politike. Opozita në shumicën e raste nuk ka patur akses të barabartë në ekrane, në mediat online duke u përballur ne gjyqe e kërcënime.
Burimet shtetërore; shkrirja e kufijve shtet-parti
Partia Socialiste në pushtet sipas raportit ka tejkaluar territorin duke tentuar të “shkrihet” me administratën. Përmes këtij ndikimi institucional në kundërshtim me standardet e dokumentit të Kopenhagenit të OSBE-së ka një shkelje dhe abuzim flagrant në përdorimin e burimeve administrative. Ky terren i krijuar ka shërbyer për një promovim të tërthortë të PS-ës. Sipas të dhënave të detajuara të raportit, qeveria ka organizuar 4522 aktivitete publike, ndërsa KQZ ka ndaluar vetëm 18 prej tyre, duke dëshmuar mungesë kontrolli dhe prishje të ekuilibreve politike. Nuk janë të pakta rastet kur zyrtarë të emëruar në administratë kanë funksionuar edhe si koordinatorë politikë të PS-ës, gjë që thellonte zhdukjen e kufijve të politikës me strukturat shtetërore. Kjo praktikë, sipas OSBE-së, krijoi avantazh të padrejtë për partinë në pushtet, duke e bërë garën jo të barabartë.
Bonusi për pensionistët dhe faljet masive të gjobave
Qeveria hapi thesin para zgjedhjeve duke dhënë Bonusin e Pranverës për pensionistët, fali gjobat për ndërtimet pa leje dhe taksat e fermerëve si masa me synim elektoral. Asnjëra prej tyre nuk ishte rastësore. Këto vendime të qeverisë janë parë si shkelje nga OSBE-ja kur shprehet se: “Edhe pse ndalimi për miratimin e legjislacionit që jep përfitime brenda katër muajve para ditës së zgjedhjeve u respektua formalisht, disa politika të miratuara përpara këtij afati sollën shpërndarjen e përfitimeve gjatë periudhës elektorale. Zbatimi i tyre në prag të fushatës, edhe pse ishin miratuar shumë më herët ka ndikuar indirekt te shumë votues.
Keqmenaxhim i administrimit dhe mangësi teknologjike
“Loja” me mosplotësimin e numrit të anëtarëve të komisioneve është nënvizuar nga raporti.Vështirësitë e krijuara me administrimin sipas tyre është reflektuar në rezultat. OSBE-ja bën të ditur se ditën e zgjedhjeve, 20 % e komisioneve nuk i kishin të shtatë anëtarët e parashikuar nga ligji. Mosshpërndarja në kohë e ndryshimeve në rregullore deri një javë para ditës së zgjedhjeve nuk është mirëpritur nga OSBE-ja. Në zgjedhjet e 11 majit të paktën 1800 persona janë zëvendësuar në momentet e fundit, pas lëvizjeve të diktuara brenda forcave politike që përfaqësonin. Edhe teknologjia ka favorizuar incidentet në zgjedhje. Teknologjia e re e votimit elektronik u aplikua vetëm në dy zona dhe procesi u pezullua për shkak të mosbesimit të opozitës.
Shkeljet janë qartësisht të evidentuara, të denoncuara nga forcat politike edhe pse OSBE-ODHIR-i shënon se dita e zgjedhjeve ishte e qetë. Procedurat dhe ligji është cënuar, votat janë blerë dhe opozita kapërdiu edhe këtë herë duke shkuar drejt një 4-vjeçari të ri qeverisës socialist. Historia është e njëjtë, liderët jana po ata, ndërsa për votuesit nuk i intereson më kujt sapo mbarojnë zgjedhjet.
Raporti i plotë i OSBE-ODHIR-it


