
Arrestimi i Erion Veliajt u duk sikur do e çonte Tiranën në zgjedhje të parakohshme për drejtimin e Bashkisë. Në garë janë Ogerta Manastirliu e PS-ës, Florjan Binaj që mbështetet nga opozita dhe Arlind Qori, kreu i lëvizjes “Bashkë”. Dekretimi nga presidenti Bajram Begaj i datës 9 nëntor për mbajtjen e zgjedhjeve është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese për Tiranën. Shkak është bërë ankimimi i Veliajt për ligjshmërinë e shkarkimit të tij. Deri tani nuk ka një datë të re të mundshme, por kjo nuk ka penguar fushatën. Socialistët deklaruan se nuk ka një vendim për anulim, por pezullim dhe kjo qartësohet më datë 31 tetor, duke lënë të kuptohet që nuk kishn ndërmend të ndalonin përgatitjet për zgjedhjet. Nxitimi i tyre për të larguar Veliajn, vuri në presion edhe presidentin Begaj të dilte mbi Gjykatën për dekretimin.

Pa datë, po me fushatë, Manastirliu vijon takimet
Ish-ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu vijon normalisht takimet me strukturat dhe banorët e Tiranës. Ajo ka vijuar me premtimet dhe prezantimin e planeve që ka për kryeqytetin, e shoqëruar dhe e mbështetur edhe nga figura të partisë si Taulant Balla, Belinda Balluku dhe Albana Koçiu. Manastirliu krahas banorëve në rrugë e biznese ka mbajtur edhe një takim me pedagogë të Universitetit të Tiranës të cilëve u ka kërkuar kontributin e tyre intelektual për shfrytëzimin më të mirë të kapaciteteve në funksion të Tiranës.

Cila është strategjia e Binajt?
Ndërsa Manastirliu po vazhdon me të njëjtin ritëm, Binaj duket sikur ka ndaluar paksa. Pas vrullit të daljeve të tij në televizione dhe rrjete sociale ai së fundmi ai ka postuar një mesazh ironik për ndalimin e monopatinave.

Pas vendimit të Gjykatës për pezullim, Binaj siguroi se kurdo që të caktohej votimi, ai do të merrte pjesë me vizionin dhe vullnetin për ndryshim. Binaj ka nisur betejën elektorale duke shkruar: “Deri atëherë ju ftoj të punojmë çdo ditë për të ndezur në mendjet dhe zemrat e qytetarëve besimin tek politika e ndershme, tek politika e punës, besimin se pushteti buron nga qytetarët dhe duhet të punojë vetëm për qytetarët”. Flamur Noka ka nisur takimet me qytetarët duke mbështetur Binajn, i cili ka deklaruar në media se në fushatë do dalë i vetëm, duke bërë të qartë se nuk do shoqërohet nga Berisha apo Lapaj edhe pse i ka garantuar përkrahje. Lapaj ka bërë një sqarim gjatë një debati televiziv në “RTSH” se nuk është në koalicion zgjedhor me Sali Berishën, por vetëm me kandidatin.

Qori, i vetëm kundër të gjithëve
Arlind Qori, i cili pretendon të drejtojë Bashkinë e Tiranës, nuk u fut në koalicion me forcat e tjera politike. Ishin demokratët që e shmangën duke thënë se kanë boshte të ndryshme politike. Qori e sheh garën për bashkinë si një sfidë mes tij, Edi Ramës dhe Sali Berishës duke i quajtur ata kandidatët e vërtetë. Ai ka zgjedhur studiot televizive ashtu si edhe Binaj, për të bërë debatin politik. Qori është shumë aktiv edhe në rrjete sociale me video-mesazhe të shkurtra.
Pa shumë zhurmë, kandidatët vijojnë “fushatën” e cila sipas rregullores së KQZ-ës nis 1 muaj para datës zyrtare të zgjedhjeve dhe përfundon 1 ditë para votimeve.



