
Pasi Aleksandar Vuçiç lajmëroi pak javë më parë shpërndarjen e parlamentit dhe zgjedhjet e reja më 25 tetor, përfaqësues të subjekteve politike nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja arritën marrëveshjen për listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar”. Në listën e përbashkët do të marrin pjesë tetë parti që kanë këshilltarë komunalë në këto tri komuna me shumicë shqiptare në jug të Serbisë. Pjesë e “Koalicionit Shqiptar” janë Shaip Kamberi (PVD), Visar Memeti (APN), Nagip Arifin (PD), Agim Sabedini (PDSH), Shqiprim Musliu (LPD), Sami Salihun (LR), Armend Aliu (AL) dhe Naser Aziri (UDSH), ndërsa lajmi u konfirmua nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Shapik Kamberi, lideri i Partisë Veprimi Demokratik tha se ka ardhur koha që shqiptarët të jenë më të përfaqësuar në Kuvend.
“Është koha që të kemi fuqi më të madhe politike, pasi në realitet e kemi atë, të jemi të përfaqësuar me një numër më të madh deputetësh në Kuvend, në mënyrë që të përpiqemi t’i zgjidhim problemet tona”, deklaroi Kamberi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti paraqiti ambicien e tij, duke deklaruar se shqiptarët duhet të kenë “të paktën 5 vende të garantuara” në Kuvendin e Serbisë.
Kamberi ishte përfaqësuesi i vetëm i komunitetit shqiptar në legjislaturën e kaluar të Kuvendit të Serbisë. I pyetur nga gazetarët se cila do të jetë baza e pjesëmarrjes së tyre, Kamberi tha se respektimi i marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet përfaqësuesve të shqiptarëve dhe Qeverisë së Serbisë do të jetë në fokus.

“Jemi dakorduar që baza e kërkesave tona të jetë plani me shtatë pika, të cilin Qeveria e Serbisë e miratoi në qershor të vitit 2013, duke iu referuar marrëveshjeve të mëhershme, të cilat me ndërmjetësimin e OSBE-së, janë nënshkruar ndërmjet përfaqësuesve të shqiptarëve dhe Qeverisë së Serbisë”, tha Kamberi për Radio Evropa e Lirë.
Plani me shtatë pika parashikon përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, rimëkëmbjen ekonomike të komunave të Luginës së Preshevës, përdorimin zyrtar të gjuhës, shkrimit dhe simboleve kombëtare shqiptare.
Ai parasheh gjithashtu decentralizimin në sistemin e drejtësisë, sigurinë dhe masat për ndërtimin e besimit, si dhe çështjet që lidhen me arsimin, mediat, kulturën, shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale.
Lista “Koalicioni Shqiptar” do të drejtohet nga Shaip Kamberi, kurse zëvendësi i tij do të jetë nga Alternativa për Ndryshim, i treti nga Partia Demokratike.


