Politika e Ukrainës nuk ka ndryshuar sa i përket mosnjohjes së Pavarësisë së Kosovës. Ky është qëndrimi më i fundit i presidentit ukrainas Volodymir Zelensky gjatë një vizite në Serbi, ku mbajti një konferencë të përbashkët me homologun serb Aleksandar Vuçiç.

“Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë dhe të drejtën ndërkombëtare. Sa i përket Kosovës, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar. Jemi mirënjohës ndaj Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë”, deklaroi Zelensky, sipas Radios Europa e Lirë,

Gjatë fjalës së tij, presidenti Vuçiç tha se ka rënë në ujdi me udhëheqësin ukrainas për bashkëpunim ushtarak. Megjithatë, ai u shpreh i dyzuar për qëndrimin që do të mbajë pas përfundimit të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, duke deklaruar se “Ajo që do të ndodhë kur të përfundojë lufta, është çështje tjetër”.

Edhe pse Ukraina nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës, shteti më i ri në Ballkan i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, e cila vijon luftën me Ukrainën që nga shkurti i vitit 2022. Madje Kosova ka strehuar gazetarë ukrainas gjatë agresionit rus.

Kjo deklaratë e Zelenskyt nuk ka kaluar pa u vërejtur në Prishtinën zyrtare, ku kryetari i Komunës, Përparim Rama ka hequr nga sheshi i qytetit një banderolë gjigante me mbishkrimin “Free Ukraine”.

“Shteti i Kosovës duhet të respektohet. Kur Kosova nuk respektohet, kryeqyteti, Prishtina përgjigjet gjithmonë njëjtë”, deklaroi Përparim Rama, duke shtuar më tej: “Por, asnjë kauzë dhe asnjë politikë nuk mund të ndërtohet duke nënçmuar shtetësinë e Kosovës dhe sakrificën e popullit të saj.”

Deklarata e presidentit ukrainas shkaktoi reagime edhe në Tiranën zyrtare, ku Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e cilësoi të gabuar çdo përpjekje për të hequr paralele mes Kosovës dhe situatave të tjera ndërkombëtare.

Në deklaratë u theksua se Kosova ka themelet e saj historike, politike dhe ligjore, duke kujtuar edhe një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) lidhur me nismën e Kosovës për të shpallur pavarësinë në vitin 2008.

“Me kërkesë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, GJND-ja ishte e prerë: Shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës është një çështje krejtësisht tjetër. Ai përbën shkelje të rëndë të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare, si dhe një shkelje flagrante të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, u tha në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.

Sipas Shqipërisë, paqja në Ballkanin Perëndimor dhe e ardhmja europiane e rajonit kërkon “pranimin e realitetit të pakthyeshëm të Pavarësisë së Kosovës”.

LËR NJË KOMENT

Klevi Metaj u përball i vetëm me 6 policë. Rrjeti është dominuar në fotoja e portretit të tij. Qëndresa e e Metajt ka tërhequr vëmendjen e komentuesve. Në protestën e...
/ Oct 13
Nga Dorian Matlija Gjatë gjithë jetës sime profesionale kam besuar te zgjidhja paqësore e konflikteve, te ligji dhe institucionet. Helbete, avokat hesapi dhe kështu i bie të mendoj në kohëra...
/ Oct 14
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
/ Oct 12
“Sa më shumë polici, aq më shumë studentë” është parulla me të cilën studentët u bëjnë thirrje të rinjve t’i bashkohen protestës së sotme, më 14 tetor, në orën 14:00,...
/ Oct 14