
Një sërë tezash kanë qarkulluar në publik dhe tavolinave të analistëve shqiptarë mbi pyetjet “bombë” si vijojnë: çfarë po ndodh me Ilir Metën? Pse po shfaqet kështu në publik? Mes tezash qarkullonte edhe ajo se Meta ka marrë këshilltarë PR-i për rikuperimin e figurës së tij publike, e tronditur nga humbja e rolit si “kingmaker” në politikën shqiptare dhe “dënimit” të gjatë në presidencë.
Por nuk paska qenë kështu. Me sa duket Meta qenka ndikuar drejtpërdrejt nga një shembull slloven. Bëhet fjalë për Borut Pahorin, ish-kryeministër dhe ish-president i Sllovenisë, një profil identik si ai i Metës sa u përket roleve që kanë patur. Përgjigjen e pyetjeve rraskapitëse për muaj me radhë e ka dhënë vetë Meta.
Ja çfarë thotë:
“Unë do t’ju lutesha shumë, të ndiqnit kur të keni kohë në “Instagram”, ish-presidentin për 10 vite të Sllovenisë, Borut Pahor, të ish-kryeministrit, ish-kryetarit të parlamentit të Sllovenisë. Tani pritet të jetë edhe i ngarkuar i BE-së për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dhe do shikoni që këto të miat janë shumë modeste por janë shumë të natyrshme. Unë bëj ato gjëra që i ndjej. Në korrik-gusht pasioni im, dashuria ime janë malet, në mënyrë të padiskutueshme e sidomos këto ujërat e ftohta, sa më të akullta të jenë aq edhe më të shëndetshme, aq më frymëzuese dhe më ripërtëritëse janë për mua”.
Në profilin e tij në “Instagram” Pahor hedh shpesh video sportive, ku mbizotëron marrëdhënia me palestrën, biçikletën, me notin por edhe me vrapin. Podcasti i ri i Metës, xhiruar në Jalë, e pati kësaj here një të mirë. Jo vetëm që iu përmbajt 30 -minutëshit por na shuajti edhe kuriozitetin mbi arsyen pse Meta është treguar kaq sportiv kohët e fundit.



