
Nga Xhelal Neziri
Sot, kur festohet 23-vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, sërish nuk u hap tema që mendoj se e mban të fshehur çelësin e shndërrimit të Maqedonisë së Veriut në një shtet modern funksional. Pushteti dhe opozita ndarazi festuan këtë dokument, që solli paqen në vitin 2001, sikur të bëhet fjalë për dy marrëveshje krejtësisht të ndryshme. Pati panel-diskutime në të dyja taborët, por sërish nuk e hapën temën e cila qëndron në burimin e të gjitha problemeve në shtet.
Cila është ajo temë që qenka më e rëndësishme se paqja dhe stabiliteti që solli Marrëveshja e Ohrit?
Ajo temë ka të bëjë me çështjen se kujt i takon shteti apo kush është pronar i tij. Rrjedhimisht, kjo temë nënkupton edhe dashurinë ndaj “pronës” dhe gatishmërinë për t’u flijuar për të. Kam shkruar shpesh për kombin si nocion, i cili sipas Gianfranco Poggi-t është një “religjion shekullar” që i mban shtetasit të bashkuar, në dashuri me shtetin dhe të gatshëm për t’u flijuar për të. Me këtë rast dua të mbaj fokusin te pronësia mbi shtetin dhe dashuria për të.
Dashuria për shtetin quhet patriotizëm. A kemi ne patriotë? Deklarativisht – me shumicë. Realisht – shumë pak apo aspak. Patriotizmi vetëm eksploatohet nga ana e partive për mobilizime të turmave për qëllime politike.
Problemi është ende më i thellë. Edhe pas tri dekadave pavarësi, në RMV-ja ende nuk është definuar se çka është shteti, kujt duhet t’i shërbejë dhe pronë e kujt duhet të jetë. Qasja fisnore ndaj shtetit si aparat apo makineri, tentimi i përvetësimit etnik dhe politik, duket së është shndërruar në një garë që nuk përfundon me shpalljen e rezultateve zgjedhore, por paraqet një fushatë të përhershme joproduktive.
Janë narrativa kryesisht populiste, të krijuara nga shitja e një shprese të rreme, me premtime të pabazuara dhe të përforcuara me mbjelljen e ndjenjës së frikës nga tjetri dhe urrejtjes ndaj tjetrit. Janë narrativa që mobilizojnë militantët e partive politike, por nuk hapin debate thelbësore e përmbajtësore që nxisin qytetarin e rëndomtë të përfshihet në proceset demokratike.
Ka një frustrim te të dy etnitë më të mëdha: maqedonasve etnik u është injektuar frika se “shqiptarët po ua marrin shtetin”, kurse te shqiptarët etnik se “nuk janë të barabartë në shtetin e tyre”.
Në fakt, këtu qëndron problemi kryesor: perceptimi i shtetit si pronë e njërës apo tjetrës etni, e jo si aparat që duhet t’u shërbejë të gjithë shtetasve, pa marrë parasysh identitetet e tyre etnike, religjioze, gjeografike, gjinore etj.
Gara etnike mbi pronësinë e shtetit e zhbën në thelb idenë e ekzistimit të shtetit. Kjo garë, padyshim, po shfrytëzohet në maksimum nga partitë politike, që zbrazjen e arkave shtetërore të mbushura me paratë e qytetarëve e mbulojnë më flamuj të mëdhenj të kauzave etnike. Nxitja e frikës dhe urrejtjes ndaj tjetrit, shpesh nënkupton urrejtjen ndëretnike, frikën nga ai që është kulturalisht i ndryshëm. Etno-nacionalizmi, sado i dëmshëm të jetë për shtetet me shoqëri multietnike, sërish përdoret në gati të gjitha proceset zgjedhore. Është një formë që grumbullon vota të lehta, vota të cilat nuk të duhet platformë apo projekte për t’i mbledhur, por vetëm frikë e urrejtje. E ky korpus i votave nuk është i vogël në Maqedoninë e Veriut. Gati të gjitha partitë politike e përdorin etno-nacionalizmin për t’u promovuar si gardianë të popujve të tyre nga rreziqet që vijnë nga popujt tjerë. Pasi këto dy ekstreme të krijohen, ato pastaj ushqejnë njëri-tjetrin. Një deklaratë etno-nacionaliste e dhënë nga njëri tabor në mënyrë të tërthortë ndihmon taborin politik nga ekstremi tjetër.
Pa marrë parasysh nivelin e lartë të patriotizmit që shfaqet në fushata, shteti vazhdon të lëngojë. Shëndetësia dhe arsimi i rrënuar nga partizimi i skajshëm, infrastruktura e dërrmuar nga keqpërdorimet milionëshe, standardi i rënduar jetësor (për qytetarin e rëndomtë), mungesa e politikave korrekte tatimore, ngecja e eurointegrimit…janë vetëm disa nga dështimet fatale. Fajtorë janë maqedonasit, shqiptarët dhe etnitë tjera, varësisht nga përqindja e tyre. Te partitë politike faji është në përpjesëtim të drejtë me vitet e kaluara në pushtet.
Paradoksi këtu është se ka një garë etnike se kujt i takon shteti, ndërkohë që rezultatet flasin për një mungesë kujdesi ndaj “pronës” aq të dëshiruar. Ka një dashuri të rrejshme ndaj shtetit, një hipokrizi që është bërë normë e gjithpranueshme shoqërore. Partitë e duan shtetin sa janë në pushtet, por dëshirojnë ta rrënojnë kur dalin në opozitë. Kjo do të thotë se e duan pushtetin, e jo shtetin. Qytetarët e duan punën e shtetit, por nuk u intereson ta mbrojnë atë nga plaçkitja nga partitë e tyre.
Maqedonia e Veriut, në fakt, është një shtet i askujt. Si duket, çdonjëri ka një shtet rezervë nga ku mund të marrë pasaportën, atë kartën e anëtarësisë në një komb tjetër. Këtu çdokush duket të jetë i interesuar për pushtetin, për të mirat e pafundme të tij, për tenderët çudibërës që transformuan aq shumë politikanë nga raste sociale në biznesmenë të rangut të lartë.
Ditëlindja e 23-të e Marrëveshjes së Ohrit u kremtua në shtetin e askujt, për pushtetin e së cilës po bëhen beteja përtej politike. Urime!
Marrë nga KDP


