
Vizita katërditore e King Charles III dhe Queen Camilla në Shtetet e Bashkuara ishte vizita e parë shtetërore britanike që nga vizita e Mbretëreshës Elizabeth II në vitin 2007. E zhvilluar në prag të 250-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara nga Mbretëria e Bashkuar, vizita kishte një mision, të forconte atë që shpesh quhet “marrëdhënia speciale” mes dy vendeve, në një kohë tensioni politik. Kur çifti mbretëror mbërriti në SHBA, marrëdhëniet mes dy aleatëve historikë ishin të tendosura. Politikat e administratës së Donald Trump, përfshirë qëndrimet ndaj Iranit, tarifat tregtare dhe presionet ndaj aleatëve të NATO, kishin krijuar përçarje me qeverinë britanike të drejtuar nga Keir Starmer. Madje pati edhe zëra në Britani që kërkonin anulimin e vizitës. Por Mbreti zgjodhi një qasje të kujdesshme, të mos përballej drejtpërdrejt, por të përdorte diplomacinë e butë për të zbutur tensionet, shkruan “BBC”.
Çifti mbretëror mbërriti fillimisht në Uashington DC, ku u prit nga Donald Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump. Programi nisi me një takim privat dhe një çaj pasdite në Shtëpinë e Bardhë, i ndjekur nga një tur në ambientet e saj dhe një festë në kopsht në rezidencën e ambasadorit britanik, ku morën pjesë të ftuar nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar.

Ditën tjetër, u zhvillua ceremonia zyrtare e mirëseardhjes në Shtëpinë e Bardhë, e shoqëruar me nderime ushtarake dhe një përshëndetje me 21 të shtëna topi. Më pas, u mbajt një takim dypalësh mes Mbretit dhe Presidentit, si dhe një aktivitet i veçantë me studentë që po prezantonin projekte teknologjike duke përdorur syze digjitale, ku Mbretëresha dhe Zonja e Parë morën pjesë. Në mbrëmje, u organizua një darkë shtetërore në Shtëpinë e Bardhë, ku u mbajtën fjalime nga të dyja palët dhe u shkëmbyen dhurata zyrtare.
Po atë ditë, King Charles III mbajti një fjalim në një seancë të përbashkët të Kongresit amerikan, ku sipas “BBC” foli për marrëdhëniet mes dy vendeve, bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe sfidat globale. Fjalimi u ndërpre disa herë nga duartrokitjet e të pranishmëve.

Donald Trump nuk e ka mbajtur kurrë sekret dashurinë e tij për mbretërinë. Por presidenti amerikan zbuloi në fjalimin e tij në kopështin e Shtëpisë së Bardhë se kjo dashuri rrjedh nga familja, nëna e tij kishte një fiksim për Mbretin Charles III. Republikani kujtoi se si nëna e tij e lindur në Skoci, Mary, e donte mbretëreshën e ndjerë Elizabeth II dhe ishte “e ngjitur pas televizorit” sa herë që shfaqej. “Mbaj mend gjithashtu që ajo tha, shumë qartë, ‘Charles, shiko, Charles i ri. Ai është kaq i lezetshëm,’” tha Trump me një të qeshur.
Pas dy ditësh në Uashington, çifti mbretëror udhëtoi drejt New York-ut. Atje vizituan memorialin e “Sulmet e 11 shtatorit”, ku u takuan me familjarë të viktimave dhe punonjës të shërbimeve të emergjencës, shkruan “BBC”. Gjatë qëndrimit në qytet, Mbreti mori pjesë në një aktivitet biznesi dhe vizitoi një fermë urbane në Harlem, ndërsa Mbretëresha ishte e pranishme në një aktivitet letrar kushtuar 100-vjetorit të personazhit “Winnie the Pooh”. Në mbrëmje, të dy morën pjesë në një pritje të organizuar për industrinë kreative.
Pasi vizituan Memorialin e 11 Shtatorit në New York, Mbreti Charles III dhe Camilla vijuan programin e tyre veçmas, ku Camilla mori pjesë në një aktivitet të veçantë në Bibliotekën Publike të New York-ut. Aty ajo u bashkua me aktoren Sarah Jessica Parker, e cila e shoqëroi gjatë vizitës në ambientet e bibliotekës dhe në takime me figura të njohura të botës letrare dhe botuese, përfshirë edhe Anna Wintour. Takimi u fokusua te rëndësia e leximit dhe lidhja mes librit dhe lexuesit, ku Parker theksoi se leximi “ndryshon jetë, krijon empati dhe kuriozitet”.

Vizita vijoi në shtetin e Virxhinias, ku Mbreti dhe Mbretëresha morën pjesë në aktivitete komunitare, përfshirë një festë publike në qytetin Front Royal. Ata gjithashtu vizituan vende historike dhe u takuan me banorë lokalë. Gjatë ditës së fundit, çifti mbretëror u kthye në Uashington, ku mori pjesë në një ceremoni lamtumire në Shtëpinë e Bardhë, organizuar nga Presidenti dhe Zonja e Parë.
Në përfundim të vizitës, King Charles III dhe Queen Camilla vendosën një kurorë në Arlington National Cemetery në nder të ushtarëve të rënë. Më pas, Mbreti u largua nga SHBA nga baza ajrore Joint Base Andrews dhe udhëtoi drejt Bermudës, ku u prit nga autoritetet lokale për një vizitë zyrtare tre-ditore.


