Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni vizitoi Shqipërinë këtë të mërkurë, ku pa nga afër qendrat që do të përdoren për akomodimin e emigrantëve në Lezhë, pas marrëveshjes mes dy qeverive të firmosur në nëntor (lexo këtu për marrëveshjen dhe këtu se si funksionojnë kampet e emigrantëve).

Vizita e kryeministres Meloni u zhvillua nën masa të rrepta sigurie. Forca të shumta policie u vendosën në disa pika për të garantuar sigurinë dhe lëvizshmërinë e delegacionit të saj nga Tirana drejt qendrës së pritjes në Shëngjin. Vetë Meloni u nis nga Rinasi me helikopter për në Gjadër.

Në qendrën pritëse në Shëngjin, kishte një prani të madhe të karabinierëve italianë dhe rreth gjithë kampit të Gjadrit ishin instaluar paraprakisht shumë kamera sigurie.

Pasi vizitoi kampin e Gjadrit, Meloni dhe kryeministri Edi Rama mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp.

Në fjalimet e tyre nuk mbeti pa përmendur televizioni italian “RAI 3” për shkak të dy dokumentarëve ku Shqipëria përshkruhej si narkoshtet (lexo këtu).

Të dy kryeministrat thanë që Shqipëria u sulmua nga mediet dhe opozita italiane vetëm e vetëm për të sulmuar marrëveshjen për emigrantët.

Rama tha se kjo ishte një marrëveshje e bërë me zemër për t’i ardhur në ndihmë Italisë dhe jo me kalkulime.

Meloni nga ana tjetër theksoi se nuk do kompromentonte marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Shqipërinë.

Deputeti italian proteston nga Gjadri kundër Melonit: “Jo Guantanamos italiane”

Ndërkohë vizita e Melonit nuk shpëtoi pa incidente. Pas konferencës për media të dy homologëve, një deputet i së majtës italiane ka protestuar.

Riccardo Magi nga partia Piu Europa mbante një letër në dorë ku thuhet “Jo Guantanamos italiane”.

“Bëtë viktimat për një orë pa iu përgjigjur asnjë pyetje se si do të funksionjë kjo qendër. Ju po bëni fushatë.

Badigardët tuaj s’po më lejojnë e po më dhunojnë. Nëse kjo i ndodh një deputeti, imagjinoni se çfarë mund t’i ndodhë një emigranti. E gjithë kjo që patë sot është një spot i madh electoral.”– tha Magi para gazetarëve në Gjadër.

“Shqipëria e Italisë”- Protestë edhe nga aktivistë shqiptarë

Po ashtu kishte edhe disa aktivistë shqiptarë të cilët protestuan nga Shëngjini.

Ato hapën një banderolë ku thuhet se “Shqipëria është e Italisë” nga 7 prilli 1939. Dy prej tyre u shoqëruan nga Policia.

Rama: Shqipëria s’ka mafie si Camorra e Cosa Nostra

Në konferencën për mediet, Rama nuk la pa përmendur akuzat e “RAI 3” ku Shqipëria përshkruhej si narkoshtet.

Duke iu referuar dokumentarëve të “RAI 3”, Rama tha se vendi ynë s’ka mafie si Camorra e Cosa Nostra.

“Më duhet të citoj një gazetë, të së nesërmes, ‘Thelbi i kriminaliteti shqiptar është vendi ku veprojnë klanet që lidhen me trafikun e qenieve njerëzore. Më duhet t’iu rrëfej që e kemi marrë seriozisht këtë zbulim shqetësues, meqë gazeta e së nesërmes thonte që po merreshim me zbulimin e këtyre klaneve, do të thotë që po merremi me SPAK dhe na siguruan që ky klan nuk ekziston.

Sigurisht veprojnë grupe kriminaliteti, por sipas SPAK nuk ekzistojnë premisat për të folur për një mafie shqiptare, term i përdorur për të hedhur baltë mbi Shqipërinë, duke cituar kreun e SPAK s’mund të themi se në këtë vend ekzistojnë struktura që u ngjanë, Ndranghetas, Cosa Nostras, Camorras, sepse grupet kriminele shqiptare s’kanë hierarki dhe veprojnë në rrethe të ngushta familjare apo shoqërore. S’mund të mos shfrytëzoj këtë rast për të shprehur trishtim për gjysmë të vërteta. Me qëllim fare të qartë për të sulmuar marrëveshjen mes dy qeverie në luftën kundër migracionit të paligjshëm. Të kenë turp, të turpërohen të gjithë ata që të drejtë demokratike për të kundërshtuar këtë marrëveshje e kanë shndërruar në një abuzim të pushtetit të katërt dhe kjo në kurriz të shqiptarëve.”-tha Rama.

Meloni:  Rama dhe Shqipëria, shënjestër të një fushate denigruese

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe kryeministrja italiane Meloni, e cila tha se sulmet që janë ndërmarrë ndaj kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij nga mediat italiane, ndodhën pas nënshkrimit të marrëveshjes.

“Vendet tona janë dy vende mike, vende që historikisht kanë bashkëpunuar dhe doja ta falënderoja edhe popullin shqiptar për mundësinë dhe ndihmën që na dhanë që të realizonim këtë marrëveshje. Shpresoj të ketë shembull edhe për BE. Përsëris afërsinë mes dy vende, për sulmet që i janë bërë Ramës dhe qeverisë së tij. Qeveria shqiptare nuk ka bërë asgjë veçse na ndihmoi. Ishte një fushatë denigruese ndaj qeverisë shqiptare. Nuk është hera e parë që Rama e Shqipëria i ofrojnë bashkëpunim Italisë.”– tha Meloni.

Rama: “Marrëveshje zemre” ajo e emigrantëve

Kryeministri Rama e quajti një marrëveshje zemre këtë marrëveshje mes dy vendeve, duke thënë se u bë pa kërkuar asnjë euro në këmbim por për të ndihmuar aleatin dhe mikun e madh të Shqipërisë, Italinë.

“Ne bëmë atë gjest që nuk ishte gjest i kalkuluar për ndonjë interes apo se çfarë do të fitojmë ne nga kjo nga ana ekonomike, se e thashë më parë ne po paguajmë për qëndrimin e emigrantëve afganë me shpenzimet tona. Kam dëgjuar lloj-lloj gjërash që as nuk mund t’i imagjinoja në mediat Italiane se çfarë fshihet pas kësaj marëveshje ndërkohë që ne nuk kemi kërkuar asnjë euro, sepse në këtë moment nuk do të ishim ne: Një mik dhe aleat që është pronto në momentin kur një aleat i madh Italia thotë a mund të na jepni një dorë.

Çfarë do të fitojë ekonomia lokale këtu… nuk e kemi bërë këtë kalkulim. Kjo është e vërteta. Është e tmershme që është komentuar dhe dhënia e tenderave malavitës shqiptare. Gjithçka menaxhohet nga qeveria italiane. Nuk ka kalkulime të asnjë natyre, pastaj funksionon apo jo apo si do të zgjidhen do i provojë koha. Ama është marrëveshje zemre në raport me një miqësi strategjike.”- tha Rama.

Qendrat për emigrantët gati më 1 Gusht

Në deklaratën për mediet, Georgia Meloni, zbuloi datën se kur do të nisë puna në kampin e emigrantëve në Gjadër dhe pikën e pritjes së tyre në Shëngjin.

Meloni tha se qendrat do të jenë gati në 1 gusht, ndërsa nuk la pa përmendur këtu akuzat e opozitës italiane se kampet po ndërtohen “si në Guantanamo”.

“Rendi publik brenda perimetrit të qendrave do të garantohet nga autoritetet italiane. Të dy qendrat do të jenë operative që nga 1 gushti. Të gjitha ata që kanë ngritur pikëpyetje në lidhje me datën e ngritjen e këtyre qendrave, sikur do të ndërtonim një qendër si Guantanamo. Këtu gjërat do të funksionojnë dhe duhet të funksionojnë. Marrëveshja mund të diskutohet edhe nga vende të tjera, mund të jetë edhe pjesë e zgjidhjes së BE, e kuptojmë ne dhe mbështetësit e emigracionit të paligjshëm.”– u shpreh kryeministrja Meloni.

Meloni: S’do të rrezikojmë që të komprometojmë marrëdhëniet e fqinjësisë me Shqipërinë

Përsëri lidhur me akuzat e medieve italiane në drejtim të qeverisë shqiptare, Meloni i konsideroi si “përbaltje” dhe theksoi se nuk do kompromentonte marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë me Shqipërinë.

“E thash edhe gjatë fjalës time, mendoj se arsyeja e vërtetë nuk është që të sulmohet qeveria shqiptare apo populli shqiptar, por besoj se janë pozicione apo qëndrime të ligjshme të legjitimuara dhe që janë armiqësore ndaj qeverisë italiane. Luajnë në këndvështrimin e tyre, duke shpalosur qëndrimin e tyre.

Mendoj se duhet vlerësuar fakti që për të goditur, sulmuar qeverinë italiane, goditet dhe sulmohet një partner ndërkombëtar. S’po dëmtohet vetëm qeveria italiane, por dhe Italia si vend. Pavarësisht suksesit të marrëveshjes, përfshihet vendi për këtë përbaltje. Rrezikojmë që t’i shkaktojmë një dëm të gjithë vendit. Shpreh gatishmërinë që ta hedhim poshtë këtë përbaltje. Në të ardhmen do të jemi më të vëmendshëm ndaj propozimeve që realizojmë. S’mund të rrezikojmë dhe të komprometojmë marrëdhëniet e fqinjësisë. Këtë e kam bërë në opozitë, por sot kam vendosur që mos ta bëj më.”- tha ajo.

Rama për emigrantët: Janë 3000 njerëz hallexhinj, viktima të trafikantëve

Rama tha se marrëveshja për emigrantët mes Italisë dhe Shqipërisë është lavdëruar edhe nga kancelari gjerman. Por sipas tij e gjithë zhurma po bëhet vetëm pse Shqipëria nuk është pjesë e BE-së. Ai tha se emigrantët që do të vijnë në Shqipëri do të jenë rreth 3000 njerëz me halle, që shpesh janë viktima të trafikantëve, që ua marrin edhe paratë e fundit që kanë.

Kancelari i Gjermanisë, që është lideri i Partisë Sociale Demokrate, është shprehur se kjo marëveshje ka rëndësi. Ne jemi vend europian. Ne mes të BE është Ballkani Përëndimor. Për të hyrë në Shqipëri duhet të hysh në Ballkan. Ne po sillemi sic duhet të silleshin të gjithë vendet e BE që kanë një legjislacion të veçantë për rishpërndarjen. Kur një emigrant shkel në Lampeduza, nuk shkel vetëm në Itali, por në gjithë BE.Kancelari i Gjermanisë, që është lideri i Partisë Sociale Demokrate, është shprehur se kjo marëveshje ka rëndësi. Ne jemi vend europian. Ne mes të BE është Ballkani Përëndimor. Për të hyrë në Shqipëri duhet të hysh në Ballkan. Ne po sillemi sic duhet të silleshin të gjithë vendet e BE që kanë një legjislacion të veçantë për rishpërndarjen. Kur një emigrant shkel në Lampeduza, nuk shkel vetëm në Itali, por në gjithë BE.

Rishpërndarja do të thotë që të gjitha vendet marrin barrën e tyre për të përballuar këtë fluks njerëzish. Kjo qendra këtu bën zhurmë të madhe vetëm për faktin se nuk jemi në BE. Të njëjtën qendër mund ta gjesh në cdo vend të BE, kurse këtu konsiderohet Guantanamo. Ne me afganët morëm përsipër t’i strehojmë, edhe pa ditur nëse ata do lëviznin nga këto ose jo. Janë rreth 350 afganë që nuk pranohen në SHBA, janë këtu. Ata i mbajmë në hotel dhe paguajmë ne, siç na kanë mbajtur ne të tjerët. Kështu është jeta, ka kohë për të marrë, ka dhe kohë për të dhënë. Vetëm ata që plotësojnë kërkesat për azil në Itali do shkojnë në shtetin italian. Janë 3000 njerëz, viktima të trafikantëve që ua marrin edhe euron e fundit.”– tha kryeministri.

Meloni tregon shifrat: Italia kursen 136 mln euro me kampin e refugjatëve

“Protokolli parashikon shpenzime prej 670 milionë euro për 5 vjet, 134 milionë në vit të cilat, korrespondojnë me 7,5% të shpenzimeve që lidhen me pritjen e emigrantëve në territorin kombëtar: ne jemi të bindur se këto burime nuk duhet të konsiderohen si burime shtese sepse emigrantët që do të vijnë në Shqipëri gjithsesi do të priteshin në Itali, ku sigurisht  që kanë kosto, e dyta ne mendojmë se elementi kryesor i dobishëm i kësaj marrëveshje është se mund të jetë një mjet i fuqishëm për të penguar emigrantët që të mbërrijnë në brigjet tona, pra në brigjet e Europës dhe gjithashtu mund të jetë edhe instrument për të kundërshtuar dhe për të luftuar edhe trafikun e qenieve njerëzore nga organizatat kriminale, çka përkthehet gjithashtu edhe në një reduktim të kostove apo të shpenzimeve.
Pra, faktikisht këtë vit kemi arritur edhe një ulje prej 60% të emigrantëve të paligjshëm që kanë mbërritur në brigjet italiane dhe si për rrjedhojë edhe kostot janë ulur, shpenzimet janë ulur. Pra ne nuk është se po bëjmë kosto, ne po bëjmë një investim.
Krahas kësaj duke bërë një përllogaritje të shpejtë, me kapacitetin e këtyre qendrave duke patur parasysh faktin e atyre emigrantëve, pra që nuk priten në Itali, atëherë në Itali do të kursejmë rreth 136 milion euro.
”- tha Meloni.

Leave a Reply

  • (not be published)