Nga një vend ku krizat janë bërë rutinë, tek një qeveri që shpiku një ministre që është vetë meme.

Dikur, memet në Shqipëri ishin në kulmin e tyre. Nga koha e “qeverisë së Facebook-ut” e deri te protestat e studentëve, gjithçka përkthehej në batuta, montazhe dhe postime virale që sillnin pak buzëqeshje në një realitet shpesh të zymtë. Por me kalimin e viteve, “industria e memeve” filloi të venitej: politikanët u bënë më të parashikueshëm, gafat u bënë rutinë, dhe humori filloi të duket i konsumuar. E megjithatë, siç duket, vetëm qeveria Rama kishte fuqinë për ta ringjallur këtë sektor. Dhe  Rama nuk ishte vetëm: krah tij, projekti i “Tony Blair Institute” solli një risi që askush nuk e priste. Shqipëria prezantoi botërisht “superministren” Diella, një figurë e konceptuar si ministre nga Inteligjenca Artificiale, por që në fakt i ka kthyer buzëqeshjen popullit në mënyrën më të paparashikuar: duke u kthyer vetë në meme. Në një vend ku krizat politike, ekonomike e shoqërore janë bërë përditshmëri, vetëm humori na shpëton. Dhe kush tjetër, përveç Edi Ramës  mund të sillte një ministre që në javën e parë të punës u bë më shumë meme sesa të gjitha kabinetet e mëparshme.

Por çfarë janë memet?

Jo thjesht shaka në internet, por një gjuhë e re komunikimi. Memet funksionojnë sepse janë të thjeshta, të përbashkëta dhe të lehta për t’u riprodhuar. Ato shfrytëzojnë ironinë, absurditetin dhe humorin për të përçuar mesazhe politike, shoqërore apo thjesht argëtim. Në aspektin politik, memet kanë fituar një rol të rëndësishëm: ato krijojnë narrativë, formësojnë opinionin publik dhe i japin energji debateve që ndryshe do të ishin të thata. Nuk është rastësi që vetë Edi Rama është politikani shqiptar me më shumë meme në historinë e rrjeteve sociale. Nga “kryeministri piktor” te gafat parlamentare, Rama ka qenë furnizuesi kryesor i humorit online për më shumë se një dekadë. Këtë e vërtetojmë edhe nga studimi i bërë mbi “Memet në mediat sociale dhe efekti i tyre mbi audiencat në Shqipëri” të publikuar në vitin 2024. Në monitorimin njëjavor të këtij studimi ne periudhën Janar 2020, kryeministri Rama është në krye të listës për numrin më të madh të memeve me 24 meme. Gjithashtu gjatë studimit është konstatuar se memet rreth tij nuk mungojnë asnjë ditë. Memet në lidhje me politikën patën një nivel të lartë interaktiviteti, ku gjatë periudhës së monitorimit kjo kategori ka marrë 1482 komente në faqet “Brryli Broadway”, “Jeta Osh Qef”, “Genc Sejko” dhe “Altin Tufa”. Pra, memet nuk janë thjesht batuta që harrohen pas pesë minutash. Ato janë fuqi komunikimi, një armë politike e gjeneratës së re. Kohërat kanë ndryshuar dhe figurat popullore të memeve sic kanë qenë Edi Rama, Erion Veliaj, Lulzim Basha dhe Sali Berisha, tashmë janë zëvendësuar prej një personazhi tjetër , “Diella” kolege e tyre por me një ndryshim biologjik. Ajo është “bijë” e inteligjencës artificiale dhe tashmë nuk i konkurron këto figura vetëm në politikë, por edhe në një fushë tjetër, tek memet në mediat sociale.

Rasti “Diella”

Foto credits: “Kazan tv”, “Brryli broadway”,

Një figurë e prezantuar si inovacion nga “Tony Blair Institute”, e vendosur në qeveri nga Rama për të treguar se Shqipëria është “në pararojë të teknologjisë”. Në teori, ajo do të sillte seriozitet, vizion dhe një erë të re digjitale. Në praktikë, ajo solli diçka tjetër: një bum të paparë memesh virale. Në rrjetet sociale, satira shpërtheu menjëherë. “Diella do korruptohet si gjithë të tjerët”, “Kur të ketë skandale, do fajësohet AI”,  këto ishin disa nga ironitë që pushtuan TikTok-un, Instagram-in dhe Facebook-un.

Kontrasti është i qartë: ndërkohë që opozita tradicionale nuk po arrin të prodhojë material të freskët për humorin popullor, Rama arriti të shpikë një figurë që ringjalli krejt sektorin e memeve. Me Diellën, qeveria shqiptare nuk solli teknologji, por komedi të nivelit të parë. Sipas teorisë së Limor Shifman, një meme bëhet virale kur ka tre elementë: humor, provokim dhe thjeshtësi. Rasti i Diellës i ka të treja. Humori: vetë ideja e një ministreje AI është absurde në një vend ku interneti bie me shiun e parë. Provokimi: projekti ngre pyetje të mëdha mbi përdorimin e teknologjisë dhe seriozitetin e politikës. Thjeshtësia: është shumë e lehtë të imagjinosh dhe të bësh shaka mbi një “ministre virtuale”. Pikërisht këto elementë e bënë Diellën një fenomen. Audienca shqiptare, e lodhur nga retorikat e njëjta, e pa këtë figurë si një arratisje argëtuese nga monotonia. Një ministre që është vetë meme është ndoshta përkufizimi më i saktë i realitetit politik shqiptar.

Artikull i Mëparshëm

Përtej humorit

LËR NJË KOMENT

Ilse Aigner lindi më 7 dhjetor 1964 në Feldkirchen-Westerham. Në vitin 1981, përfundoi arsimin e mesëm të ulët (Mittlere Reife) në shkollën Wilhelm-Leibl-Realschule në Bad Aibling. Pas përfundimit të formimit...
/ Nov 9
Nga Isa Myzyraj Sot në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian u tregua qartë se përtej vullnetit politik në Tiranë e Bruksel rruga e Shqipërisë drejt BE-së është e vështirë....
/ Nov 10
Tashmë që nuk ka më diskutim që të gjithë po e përdorim Inteligjencën Artificiale, pyetja që lind është: a dimë realisht ta përdorim dhe si po e bëjmë? Inxhinieri i...
/ Oct 28
“Ka ardhur koha për luftë civile, të marrim gjithë armatimet e rënda kundër kësaj policie, granata gjithçka kemi, o burra.”Kjo deklaratë është transmetuar në një ekran televiziv shqiptar. Nuk është...
/ Nov 10