
Nga Gjergj Erebara
Kam filluar o shokëni, të lexoj për dëfrim propagandën e qeverisë. Dje pati dy hipoteza në lidhje me Revolucionin e Flamingove. E para ishte që Revolucioni është stisur nga e majta ekstreme evropiane, e cila synon të minojë Evropën duke u nisur nga Shqipëria, për t’u përhapur, përmes Parlamentit Evropian (pas anëtarësimit të Shqipërisë) në të gjithë Evropën, përmes diçkaje që propaganduesi e përshkruante si “revolucion permanent”.
E dyta ishte hipoteza që sugjeronte se Revolucioni është i dështuar sepse, duke qenë se nuk ka “prodhuar udhëheqës”, nuk mundet të gjejë dot person të përshtatshëm për kryeministër. Kjo është një përsëritje e argumentjt të mëparshëm që sugjeron se Edi Rama është i pazëvendësueshëm.
E para është tregues i fantazisë së shfrenuar të politikës së nonsensit, asaj që sheh një komplot në çdo cep dhe që reflekton mentalitetin e armiqve të jashtëm në bashkëpunim me armiqtë e brendshëm që na ka lënë trashëgim Partia e Punës.
E dyta është edhe një herë reflektim i mentalitetit të kultit të individit.
Revolucioni nuk ka pse të prodhojë “udhëheqës” sepse është revolucion demokratik. Nuk ka për synim zëvendësimin e një autokrati me një autokrat, por ka për qëllim krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme në të cilat, qytetarët do të votojnë dhe zgjedhin, jo një “udhëheqës”, një të modelit të liderit të pazëvendësueshëm, por një kryeminstër, si një qytetar që do të bëjë një punë rigoroze dhe aspak heroike. Do të kujdeset që shërbimet publike të funksionojnë, që hipotekat t’i përgjigjen në kohë qytetarëve, që ujësjellësi të shpërndajë ujë dhe jo të sigurojë vota për partinë e të tilla si këto. Ai gjithashtu, në konsultim dhe nën mbikëqyrjen e parlamentit, do të caktojë se ku do të shkojnë investimet publike e çfarë e sa taksa do të duhet të paguajnë qytetarët. Pra, vendi nuk ka nevojë për një udhëheqës tip lideri legjendar që dublon Skënderbeun, por një qytetar në shërbim të qytetarëve.
Shihemi në shesh!


