
Numri i vendeve të punës për të sapodiplomuarit është përgjysmuar pothuajse gjatë vitit të fundit, sipas shifrave të reja, ndërsa punëdhënësit po shkurtojnë pozicionet e nivelit fillestar në favor të Inteligjencës Artificiale dhe po përballen me kostot në rritje. Faqja e punësimit Adzuna tha se në korrik kishte vetëm 8 383 vende pune për të sapodiplomuarit të publikuara në platformë, nga 15 397 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Adzuna zbuloi gjithashtu se konkurrenca mes punëkërkuesve në të gjitha nivelet po rritet. Në korrik kishte mesatarisht 2,14 punëkërkues për çdo vend pune, nga 1,93 një vit më parë.
Megjithatë, disa kanë thënë se këto të dhëna mund të mos pasqyrojnë të gjithë tregun e punës për të sapodiplomuarit dhe mund të tregojnë më tepër një ndryshim në mënyrën se si reklamohen vendet e punës. Bizneset kanë deklaruar se rritja e kontributeve të sigurimeve kombëtare që paguajnë punëdhënësit, si dhe rritja e pagës minimale, e kanë bërë punësimin më të kushtueshëm, veçanërisht për punonjësit në nivelet fillestare.
Numri i vendeve të punës për të sapodiplomuarit të publikuara në platformë arriti nivelin më të ulët që kur Adzuna nisi të regjistrojë të dhëna të tilla në vitin 2016. Kompania vuri në dukje se kulmi i vendeve të punës për të sapodiplomuarit ishte në vitin 2017, kur në faqen e saj ishin publikuar më shumë se 55 800 vende pune. Kjo është më shumë se gjashtë herë numri i vendeve të publikuara në korrik.
Andrew Hunter, bashkëthemelues i Adzuna-s, tha se shifrat tregojnë se “Punëdhënësit ende nuk kanë gjetur një arsye për të rritur punësimin” e të sapodiplomuarve. Por eksperti i tregut të punës për të sapodiplomuarit, Charlie Ball, tha se shifrat mund të mos jenë aq të këqija sa duken në pamje të parë. Sipas tij, ato mund të tregojnë se kompanitë po reklamojnë më pak vende pune posaçërisht për të sapodiplomuarit, edhe pse vetë vendet e punës mund të ekzistojnë ende dhe në fund të plotësohen nga të sapodiplomuar.
Nga përvoja e tij në këtë sektor, Ball tha se tregu i punës për të sapodiplomuarit “nuk është shembur”, por shtoi: “E dimë që tregu i punës për të sapodiplomuarit është i dobët. E dimë që nuk është në gjendje të mirë.” Shifrat zyrtare tregojnë se shkalla e papunësisë së të rinjve në Mbretërinë e Bashkuar që përfshin moshat 16 deri në 24 vjeç, ishte 16,2% në tre muajt deri në mars 2026. Numri i të rinjve që nuk janë në arsim, punësim apo trajnim (NEET) tani është mbi një milion.
Të rinjtë i kanë thënë më parë “BBC News” se kanë aplikuar për qindra vende pune pa marrë as edhe një përgjigje. Ata kanë shprehur gjithashtu zhgënjim për numrin në rritje të punëdhënësve që përdorin inteligjencën artificiale për të përzgjedhur aplikimet.
Ish-ministri i qeverisë Alan Milburn po drejton një shqyrtim të gjerë mbi krizën e papunësisë së të rinjve. Ai ka thënë më parë se numri i vendeve të punës në nivelet fillestare po zvogëlohet, ashtu si edhe numri i vendeve të punës me kohë të pjesshme, të cilat tradicionalisht plotësoheshin nga adoleshentë dhe studentë.
Të dhënat e Adzuna-s treguan gjithashtu se vendet e lira të punës në turizëm, arsim dhe ndërtim janë rritur gjatë javëve të fundit. Por sektorë të tillë si shëndetësia, infermieria, hoteleria dhe logjistika kanë regjistruar më pak vende të lira pune. Kryeministri Andy Burnham ndryshoi së fundmi rregullat për kontratat publike, në mënyrë që kompanitë që konkurrojnë për këto kontrata të duhet të tregojnë se si do të krijojnë vende pune dhe mundësi trajnimi. Një zëdhënës i qeverisë tha të hënën:
“Shifrat e fundit tregojnë se ka 253 000 njerëz më shumë në punë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa papunësia vazhdon të bjerë. “Jemi të vendosur të bëjmë më shumë për të rikthyer mundësitë për të rinjtë përmes paketës sonë prej 2,5 miliardë paundësh për punësimin e të rinjve, e cila do të ofrojë pothuajse një milion mundësi për të fituar të ardhura ose për të mësuar.”
Ky shkrim është në pronësi intelektuale të “BBC”


