
Kryetari i arrestuar i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka publikuar një letër të gjatë nga qelia e paraburgimit në Durrës, ku akuzon SPAK për një proces që, sipas tij, është i montuar politikisht dhe për veprime poshtëruese ndaj tij dhe familjes së tij. Ai pretendon se hetimi ndaj tij është ndërtuar mbi “thashetheme, letra anonime dhe sajesa”, dhe se çdo zhvillim i ri në dosje i komunikohet më parë mediave sesa atij vetë apo avokatëve.
Sipas Veliajt, javën e kaluar, pesë agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit mbërritën në IEVP Durrës për t’i komunikuar akuzat, megjithëse ai kishte autorizuar avokatët të merrnin dosjen në Tiranë. Ai shprehet se mediat kishin mbërritur një orë më parë dhe ishin informuar për vizitën, duke e kthyer këtë në një “spektakël” mediatik pa dijeninë e tij apo të avokatëve.
Veliaj shpjegon se shtesat në akuzë për “agjitacion e propagandë” në paraburgim, sipas tij, janë përpjekje për të mbuluar dobësinë e akuzës fillestare dhe mungesën e provave të forta. Ai pretendon se “ata kanë prodhuar asgjë më shumë se sa një innuendo – thashetheme, letra anonime, fletë-rrufe, shpifje dhe sajesa për një thriller sherifash”.
Ai thekson se SPAK i ka bërë një vetting personal, familjar dhe fisnor nga viti 2004 deri në 2025, duke përfshirë bashkëshorten, vëllanë, nënën, vjehrrin e ndjerë, kushërinjtë dhe gjithë rrethin shoqëror, në një përndjekje të gjatë dhe të thellë, pa gjetur sipas tij asnjë shkelje ligjore në aktivitetin e tij si ministër apo kryebashkiak.
Një episod që Veliaj përshkruan si të rëndë ka ndodhur gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale dy javë më parë, kur, sipas tij, agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit ishin të pranishëm në sallën e operacionit. Ai e cilëson këtë situatë si “voyerism absurd dhe intimidim të qëllimshëm”, duke përdorur termin francez “voyeurism” për të përshkruar privimin e intimitetit duke parë një person të pavëmendshëm dhe të zhveshur — në këtë rast, vetë ai, gjatë operacionit.
“Kam kaluar një vetting 21-vjeçar, nga ezofagu deri në rektum, i shoqëruar nga 30 forca sigurie,” shkruan Veliaj, duke e quajtur këtë pjesë të një procesi poshtërues dhe të koordinuar për ta eliminuar politikisht.
Ai gjithashtu pretendon se dosja e ngritur kundër tij është bazuar në një kallëzim të falsifikuar në emër të një personi që sipas prokurorisë nuk ekziston. Hetimi ndaj tij, sipas Veliajt, nisi menjëherë pas rizgjedhjes për një mandat të tretë në krye të Bashkisë së Tiranës, me mbi 160 mijë vota.
Veliaj paralajmëron se do të vazhdojë betejën ligjore dhe publike për të mbrojtur jo vetëm veten, por edhe ata që, sipas tij, po vuajnë nga një “tirani penale” me përmasa shqetësuese në Shqipëri.


