Nga Dallandyshe Xhaferri

Ndërsa sfidat ligjore dhe pretendimet për kushte çnjerëzore po shtohen, qendra e Italisë për migrantët jashtë territorit të saj duket e destinuar të dështojë.

“Jemi harruar. Kur më telefonojnë, u them ‘nuk jam këtu’, sepse që kur kam ardhur këtu, nuk ekzistoj më.”

Kjo është dëshmia e njërit prej burrave që, pa dëshirën e tij, po merr pjesë në një nga eksperimentet më përçarëse të Evropës për të frenuar fluksin e migrantëve nga Lindja dhe Jugu global. Në kërkim të një jete më të sigurt dhe punëve dinjitoze, shumë prej tyre e kishin kthyer sytë nga Italia, derisa pas një marrëveshjeje mes qeverive italiane dhe shqiptare në vitin 2023, rrjedha e ëndrrës së tyre europiane ndryshoi drejtim dhe dallgët e Adriatikut i çuan në brigjet shqiptare.

Dhjetëra migrantë janë dërguar në kampin e Gjadrit në Shqipëri, ndërsa presin që autoritetet italiane të vendosin nëse do t’i kthejnë në vendet e origjinës apo do t’i risjellin në Itali. Edhe pse ka kaluar një vit që nga mbërritja e migrantëve të parë, kritikët thonë se qëllimi për të cilin kryeministrja italiane Giorgia Meloni pretendonte se do t’i shërbente qendra me kosto 1 miliard euro, ka dështuar. Madje, aty janë raportuar disa raste të tentativave për vetëvrasje.

Marrëveshja e nënshkruar nga Meloni dhe kryeministri shqiptar Edi Rama parashikonte që deri në 36 mijë persona në vit të strehoheshin në dy qendra paraburgimi për migrantët në Shqipëri. Këta individë, të dëbuar nga Italia për mungesë dokumentacioni, do të kishin mundësinë që kërkesat e tyre për azil të shqyrtoheshin nga autoritetet italiane në territorin shqiptar.

Qendra më e madhe prej të dyjave ndodhet në një ish-bazë ushtarake shqiptare në një fshat të largët verior, në Gjadër. Ajo është shndërruar në një “qendër paraburgimi për riatdhesim” (CPR, sipas terminologjisë italiane), ku mbahen vetëm burra të rritur. Ata që marrin përgjigje negative për azilin do të kthehen në vendet e tyre të origjinës.

“Deri në 36 mijë persona do të qarkullojnë çdo vit, natyrisht jo të gjithë njëherësh, pasi kapaciteti maksimal i dy qendrave nuk do të kalojë 3 mijë shtretër […] Kjo marrëveshje nuk përfshin të miturit, gratë shtatzëna dhe grupet e tjera vulnerabël,” deklaroi Meloni për mediat italiane dhe shqiptare në ditën e nënshkrimit, më 6 nëntor 2023. Kostoja e marrëveshjes, sipas The Guardian, pritej të arrinte në 1 miliard euro gjatë pesë viteve.

Megjithatë, edhe pse ka kaluar një vit që nga momenti kur policia italiane shoqëroi 16 migrantët e parë nga Bangladeshi dhe Egjipti drejt kampit të Gjadrit, aktualisht aty nuk ndodhen më shumë se disa dhjetëra persona. Policia italiane që ruan kampin nuk jep të dhëna mbi numrin e saktë të të ndaluarve. Sipas një numërimi të kryer në korrik nga Tavolo Asilo e Immigrazione (TAI), një organizatë që mbështet migrantët, në kamp ndodheshin rreth 60 persona, të intervistuar individualisht. Vetëm 27 ishin të pranishëm në gusht, raportoi agjencia italiane e lajmeve ANSA, dhe vetëm 17 më 7 tetor 2025, sipas EUobserver.

Një raport i organizatave jofitimprurëse italiane përfundoi se Italia kishte dërguar vetëm 132 persona në kamp që nga hapja e tij, raportoi France 24.

Marrëveshja sfidohet në gjykata

Shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian e shohin “modelin shqiptar” si një prototip, deklaroi Meloni gjatë një vizite në qendrat e kampit në qershor 2024, disa muaj përpara se të mbërrinin të parët e ndaluar.

“Pesëmbëdhjetë vende të BE-së kanë nënshkruar dhe dërguar tashmë një kërkesë në Komisionin Evropian që ky shembull të ndiqet. Madje edhe vetë qeveria gjermane. Ministri i saj i Brendshëm këshilloi ndjekjen e këtij modeli,” tha Meloni.

Komisioni Evropian e mbështeti idenë e transferimit të migrantëve në “qendra riatdhesimi” në vende jashtë BE-së, përmes propozimit të marsit 2025 për rregullat e reja të unionit mbi kthimin e migrantëve pa dokumente.

Megjithatë, marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për migrantët është zhytur tashmë në një moçal ligjor. Sfida e parë ligjore erdhi vetëm një javë pas hapjes së kampit të Gjadrit, kur një gjykatë emigracioni në Romë e shpalli marrëveshjen të paligjshme dhe urdhëroi kthimin e migrantëve në Itali.

 Më pas, Gjykata e Lartë e Italisë e shqyrtoi çështjen dhe ia përcolli atë Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, e cila vendosi se kampi dhe marrëveshja nuk plotësojnë kriteret ligjore të nevojshme për mbrojtjen e migrantëve, duke theksuar se proceset duhet të monitorohen dhe të menaxhohen në mënyrë efektive.

Gjykata e BE-së analizoi rastin e dy shtetasve nga Bangladeshi, të cilët ishin dërguar në Gjadër pasi u shpëtuan në det. Italia argumentoi se veprimi ishte i ligjshëm, pasi e konsideron Bangladeshin si një “vend të sigurt origjine”, por gjykata e rrëzoi këtë pretendim, duke theksuar se “një shtet anëtar nuk mund të përfshijë një vend në listën e vendeve të sigurta të origjinës nëse ai vend nuk ofron mbrojtje të përshtatshme për gjithë popullsinë e tij.”

Për momentin, çështja mbetet pezull, pa një vendim përfundimtar mbi ligjshmërinë e kampeve në Shqipëri.

Ka edhe më shumë kundërshtime ligjore ndaj paktit Rama–Meloni, argumenton Fioralba Duma, përfaqësuese shqiptare e Rrjetit Kundër Paraburgimit të Migrantëve.

“Nga pikëpamja ligjore, kemi të bëjmë me një operacion plot të panjohura dhe boshllëqe të dyshimta,” tha ajo, duke theksuar se ndërtimi i kampit shkel jo vetëm ligjet dhe kushtetutat e Italisë dhe Shqipërisë, por edhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Italia nuk mund të ushtrojë juridiksion mbi një territor që i përket shtetit shqiptar, sepse kjo bie ndesh me parimin e sovranitetit. Në praktikë, kemi të bëjmë me një model të ri kolonializmi administrativ: një mënyrë për ta zhvendosur kufirin e Evropës jashtë territorit të saj, duke krijuar ‘zona gri’ ku ligji dhe të drejtat e njeriut pezullohen,” tha Duma, duke shtuar se përfituesit e vërtetë të kësaj marrëveshjeje nuk janë qytetarët italianë apo shqiptarë, por vetëm dy qeveritë.

Grafite kundër kampeve të CPR në një nga lagjet më multikulturore të Torinos, Itali. Foto nga Dallandyshe Xhaferri.

Reagimet e ashpra

Siç bëhet e qartë nga komentet e Dumas, marrëveshja Rama–Meloni ka nxitur kritika të forta nga organizatat dhe ekspertët e të drejtave të njeriut, të cilët e dënojnë atë si pjesë të një strategjie më të gjerë shtypjeje dhe çnjerëzimi. Përtej përplasjes ligjore, disa aktivistë paralajmërojnë se marrëveshja shkel normat ndërkombëtare dhe të drejtat themelore të njeriut. Eleonora Stano, nga organizata për mbrojtjen dhe shpëtimin e migrantëve Mediterranea Saving Humans, e cilëson atë si “propagandë fashiste dhe raciste, e maskuar si menaxhim migracioni.”

“Të marrësh një copë territori shqiptar dhe të ndërtosh mbi të një kamp përqendrimi nën juridiksion italian, për të burgosur dhe dëbuar njerëz nga një qendër në tjetrën, nuk ka asnjë lidhje me sigurinë. Përkundrazi, përfshin praktika çnjerëzore dhe të paligjshme, të kryera në dëm të më të pambrojturve dhe të diskriminuarve për shkak të origjinës së tyre,” tha Stano.

Ndërkohë, eksperti shqiptar i sigurisë Fatjon Softa u shpreh se hapja e kampit të Gjadrit u prit me shqetësim nga banorët e fshatit të vogël, kryesisht për shkak të mungesës së informacionit dhe transparencës.

“Ka dëshmi shqetësuese që sugjerojnë se qeveria dhe partnerët e saj e kanë paraqitur këtë skenar në mënyrë pozitive, ndërkohë që problemet janë mbajtur në hije, veçanërisht për publikun shqiptar,” tha Softa, duke theksuar se banorët e Gjadrit nuk janë dakord me izolimin e migrantëve brenda kampit.

Të ndaluarit në kamp lejohen të dalin shumë rrallë, për shembull, vetëm kur u nevojitet të vizitojnë një spital.

“Izolimi nuk është zgjidhje; nevojiten protokolle të hapura, monitorim i pavarur dhe programe komunitare që nxisin komunikimin dhe përfitimet lokale,” shtoi Softa, duke theksuar se përvoja italiane ka treguar se mbajtja e migrantëve në izolim nuk sjell asnjë përfitim real.

Burime të shumta raportojnë kushte të rënda

Izolimi i burrave nga Afrika dhe Lindja e Mesme në Shqipëri nuk është shoqëruar vetëm me incidente të vogla, por edhe me raste të vetëdëmtimit me pasoja kërcënuese për jetën.

Hamid Badoui u bë i njohur për aktivistët italianë dhe shqiptarë në maj të këtij viti. Historia e tij,  ajo e një migranti maroken pa dokumente në Itali, hodhi dritë të fortë mbi kushtet në kamp. I transferuar nga qendra CPR në Bari, në jug të Italisë, drejt Gjadrit, ai qëndroi atje për më shumë se një muaj, derisa një konflikt mes shtetasve marokenë në kamp çoi në rikthimin e tij në Itali. Para se të kryente vetëvrasje në një burg të Torinos, duke u varur me lidhëset e këpucëve, Badoui i kishte thënë avokatit të tij, sipas mediave italiane, se të ishe në burg ishte më mirë sesa të ktheheshe në Shqipëri.

Meqë hyrja në kamp është rreptësisht e kufizuar, nuk ekzistojnë dëshmi të detajuara për jetën brenda tij. Organizata Tavolo Asilo e Immigrazione (TAI) mblodhi informacion nga burime të shumta për raportin e saj 50-faqësh, të publikuar në korrik, i cili arriti në përfundimin se kushtet në këtë kamp janë më të këqija se në qendrat CPR brenda Italisë për shkak të vendndodhjes jashtë territorit italian, mungesës së monitorimit civil dhe rrjeteve të mbështetjes, si dhe pengesave gjuhësore që e bëjnë të pamundur çdo formë komunikimi apo mirëkuptimi.

Nuk është e qartë nëse të ndaluarit mund të përdorin telefona celularë. Atyre u lejohet të përdorin telefonin e qendrës për vetëm 20 minuta në ditë, gjë që, sipas raportit, është shumë pak për të ruajtur lidhjet familjare apo për të menaxhuar çështjet ligjore. Të ndaluarit jetojnë në kontejnerë metalikë, ndërsa i vetmi ambient i përbashkët është një oborr 17 me 10 metra, i rrethuar me gardh dhe i mbuluar nga sipër me rrjetë metalike. “Nuk ofrohen aktivitete argëtuese dhe televizioni nuk funksionon,” thuhet në raport.

Izolimi në kampin e Gjadrit, i konsideruar si territor italian dhe i ruajtur nga policia italiane, është bërë i padurueshëm për disa prej të ndaluarve.

TAI raportoi të paktën dy tentativa vetëvrasjeje në kampin e Gjadrit. Përveç tyre, të paktën dy persona u vendosën në izolim për “çrregullime të sjelljes”, por pas vlerësimit mjekësor u cilësuan të papërshtatshëm për të qëndruar në izolim dhe u rikthyen në Itali. Dyshohet për disa tentativa të tjera vetëvrasjeje, por ato nuk janë konfirmuar.

Kampi i Gjadrit qëndron sot si një pasqyrë e zymtë e premtimeve të thyera dhe prioriteteve të gabuara. Dikur i paraqitur si një zgjidhje “inovative” dhe “efikase” evropiane, ai është shndërruar në një projekt të ngarkuar politikisht, moralisht shqetësues dhe ligjërisht të paqartë.

“Për Giorgia Melonin, ky është një mënyrë për të treguar se ajo ‘kontrollon kufijtë’ dhe migracionin,” tha aktivistja Duma, “pasi prej vitesh e ka përgatitur terrenin duke e paraqitur migrantin si një kërcënim.”

“E njëjta gjë vlen edhe për Edi Ramën,” shtoi ajo, “veçanërisht në politikën e jashtme, ku ai paraqitet si një ‘partner i besueshëm’ i Evropës, si një lider ‘efikas’ dhe ‘punëtor’ i Ballkanit.”

Shënim: Ky shkrim është publikuar te “Transitions”. E gjeni duke klikuar këtë link:

LËR NJË KOMENT

Avokate me profesion, 50-vjeçarja Fatima Zahra El Mansouri ka qenë për disa vite kryetare e bashkisë së Marrakeshit. Fatima Zahra El Mansouri është emëruar kryeministrja e parë grua e Marokut, pasi...
/ Sep 30
Nga Auron Tare Shiu i vjeshtës kishte filluar ndërsa unë isha në studiot e një televizioni që më kishte ftuar atë natë. Pas bisedës po prisja te kafja e televizionit...
/ Oct 3
Çfarë është Shqipëria e këtyre 35 viteve? Fatos Lubonja, një nga intelektualët e paktë që i ka mbetur Shqipërisë, për koherencën, qëndrueshmërinë e ideve të tij ndër vite dhe guximin...
/ Jul 29
Kuvendi i Kosovës miratoi me 91 vota pro projektligjin për Dhomat e Specializuara. Ndryshimet e propozuara lidhen edhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Nisma e PDK-së kishte...
/ Oct 5