

Ky vit padyshim është viti i Vangjel Tavos. Ai u rikthye në politikë, pas një shkëputjeje disa vjeçare fillimisht si prefekt i Vlorës në Mars 2024, e tanimë do të jetë kryetari i ri i bashkisë së Himarës.
Në zgjedhjet e 4 Gushtit, kandidati i PS-së ka marrë 5022 vota, kurse rivali i tij, Petro Gjikuria, kandidat i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, ka marrë 3545 vota. Pra Tavo ka fituar me 58.62% të votave, ndërsa Gjikuria arriti të merrte vetëm besimin e 41.38 % të zgjedhësve.
Numërimi i votave finale është pritur me entuziazëm nga socialistët në KZAZ-në bashkinë e Himarës. Tavo foli në një prononcim të shkurtër për median, ku falenderoi të gjithë himariorët që e votuan dhe i garantoi se menjëherë do të niste punën për zgjidhjen e problemeve të tyre pa dallim.
“Dua të falenderoj pa përjashtim banorët e bashkisë Himarë, Vranishtë, Lukovë, për durimin që patën duke na dëgjuar gjatë fushatës dhe duke na besuar mandatin në vijim të mandatit 2023. Që sot vazhdojmë punën për ato që kemi premtuar. Të bashkuar të gjithë, të majtë e të djathtë përtej besimit të secilit, të gjithë për Himarën e bashkuar, për Himaurën e qetë dhe pa probleme.”- tha kryebashkiaku i zgjedhur.

Më pas, në një reagim publik në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, Tavo falenderoi kryeministrin Edi Rama për mbështetjen që i dha në këto zgjedhje.
“Dua të shpreh mirënjohjen e thellë për Kryeministrin Edi Rama i cili më propozoi dhe besoi te unë me vullnetin dhe dashamirësinë e tij të plotë për t’i dhënë Himarës normalitet dhe mbështetje edhe më të madhe për të ecur përpara e për t’u zhvilluar, ashtu siç e meriton. Për ta bërë Himarën kryefjalën e bashkëpunimit dhe harmonisë midis Shqipërisë dhe Greqisë, duke lënë pas në të shkuarën kapitullin e mbyllur të para 4 gushtit, e që nga sot, duke parë përpara drejt një të ardhme më përbashkuese dhe evropiane.“-tha Tavo.

E në përfundim kujtoi premtimin e dhënë dhe ftesën publike që i kishte bërë më herët rivalit të tij Petro Gjikuria, që të bëhet nënkryetar i bashkisë.
“Në përfundim, dua të përsëris atë që e kam thënë vazhdimisht përpara datës së votimit, se, fjala ime është një kontratë publike për mbajtjen e premtimeve. Kësisoj, jo më si kandidat, por tashmë zyrtarisht si Kryetar i Bashkisë Himarë, unë e ftoj z. Petro Gjikuria të pranojë detyrën e nënkryetarit të bashkisë. Jam i vetëdijshëm që kjo është e paprecedentë në historinë zgjedhore të tre dekadave të fundit, ndaj pikërisht për këtë arsye, e nis unë i pari me shembullin konkret të bashkëpunimit dhe bashkimit që meriton kjo bashki. Nëse z. Gjikuria ka vendosur të qëndrojë e jetojë në Himarë unë e mirëpres të pranojë e t’i bashkohet programit tonë për Himarën dhe himarjotët. E ka ftesën e hapur për të kontribuar me ide dhe energji për të ecur përpara. Sepse Himara është e të gjithëve.”-shkruan Tavo.

Kujtojmë se Gjikuria mbrëmjen e kaluar, pas përfundimit të procesit të votimit, u shpreh i sigurt që do të fitonte. Dhe i bezdisur nga pyetjet e shumta të gazetarëve për ftesën e Tavos, ai tha: “Unë do jem fitues, dhe po të dojë Tavo të vijë për të punuar për mua është i mirëpritur. Unë jam fitues i kësaj gare, jam fitues se himariotët më kanë besuar dhe jam i sigurt për këtë.”
Shkëputja 3-vjeçare dhe rikthimi i suksesshëm i Vangjel Tavos në politikë
Vangjel Tavo e nisi angazhimin e tij në politikë nën siglën e Partisë Socialiste në vitin 1996. Ai vazhdoi deri në vitin 2010, por pas disa konflikteve me kryetarin e partisë Edi Ramën ai u largua dhe iu bashkua Lëvizjes Socialiste për Integrim të Ilir Metës.
Në kohën kur PD-LSI ishin në pushtet, ai shërbeu si Ministër i Shëndetësisë (në vitet 2012-2013) duke zëvendësuar Petrit Vasilin.
Më vonë, në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës dhe 2017-ës, Tavo u zgjodh deputet në qarkun e Gjirokastër.
Ai kandidoi përsëri në këtë qark edhe në zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021, por nuk ia dopli të merrte mandatin e deputetit. Pas kësaj ai u shkëput përkohësisht nga politika.
Ai iu rikthye politikës vetëm këtë vit, pasi me ftesë të kryeministrit Edi Rama fillimisht u mandatua si prefekt i qarkut të Vlorës në muajin Mars. E më pas u përzgjodh si kandidat për bashkinë e Himarës, duke fituar bindshëm. Pavarësisht konflikteve, ai zgjodhi që rikthimin ta bënte vetëm pasi fillimisht u mandatua nga qeveria si prefekt i qarkut të Vlorës dhe tani së fundi si kandidat për bashkinë e Himarës.

Në një intervistë për CNN-in grek, pasi u pyet mbi këtë çështje, ai shprehet se ka qenë një ndër kundërshtarët më të ashpër të Edi Ramës.
“Unë kam qenë një nga kundërshtarët më të fuqishëm dhe më të ashpër të Ramës, ndaj ai nuk më ftoi si bashkëpunëtor të tij. Ai më ftoi vetë që të zgjidhja disa çështje sepse, me sa kuptoj, ekziston edhe vullneti i tij për t’i zgjidhur këto probleme që të mos jenë më pengesë për ecurinë e marrëdhënieve mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë.”-tha Tavo.
Kryeministri Edi Rama e quajti fitore spektakolare rezultatin e së dielës.
“MIRËMËNGJES dhe me urimin për kryebashkiakun e ri të Himarës për fitoren spektakolare, kënaqësinë e mbështetjes domethënëse për Partinë Socialiste në zgjedhjet e djeshme, si edhe vendosmërinë për ta kthyer #Himarën2030 në një prej destinacioneve më të kërkuara të Mesdheut, ku në radhë të parë të gjithë ata që punojnë në industrinë turistike në Greqi, të kthehen për paga më të mira e për ajrin e pazëvendësueshëm të vendlindjes, ju uroj të gjithëve një javë sa më të qetë.”– shkruan Rama në një postim në Facebook, të cilin e shoqëron me një video ku shfaqet krah Tavos. Ata duken si dy skulptura prej guri që më pas transformohen dhe e gjithë video shoqërohet me këngën labe: “Bini ju o cula, bini ju longarë”.
MIRËMËNGJES 😊 dhe me urimin për kryebashkiakun e ri të Himarës për fitoren spektakolareMIRËMËNGJES 😊 dhe me urimin për kryebashkiakun e ri të Himarës për fitoren spektakolare, kënaqësinë e mbështetjes domethënëse për Partinë Socialiste në zgjedhjet e djeshme, si edhe vendosmërinë për ta kthyer #Himarën2030🇦🇱 në një prej destinacioneve më të kërkuara të Mesdheut, ku në radhë të parë të gjithë ata që punojnë në industrinë turistike në Greqi, të kthehen për paga më të mira e për ajrin e pazëvendësueshëm të vendlindjes, ju uroj të gjithëve një javë sa më të qetë🫶
Posted by Edi Rama on E diel, 4 gusht 2024
Problemi me 6 mijë zgjedhës që iu kishin skaduar kartat e ID-së
Por ky proces zgjedhor nuk ka kaluar pa andralla. Janë mbi 6 mijë zgjedhës, të cilët nuk mundën të bëjnë zgjedhjen e tyre, pasi iu kanë skaduar kartat e identitetit.
Ndonëse në zgjedhjet e kaluara, ata u lejuan me karta të skaduara, në këto zgjedhje të pjesshme për Himarën, nuk u lejuan.
Shumë qytetarë dolën njëri pas tjetrit duke treguar para mediave, se kishin shkuar të votonin por nuk ishin lejuar për shkak të kartave të skaduara të identitetit. “Ka shumë persona që janë me karta të skaduara dhe insistojnë që të votojnë me kartë, por ligji nuk e lejon.”– ka pranuar Arqile Bollano, kryetari socialist i qendrës së votimit Kuç për Report Tv.
Kjo ka shkaktuar pakënaqësi te opozita, e cila ka ngritur akuza se procesi i rinovimit të kartave të identitetit është lehtësuar për qytetarët me bindje socialiste, ndërsa është vështirësuar për të tjerët. Megjithatë kjo nuk e ka ndaluar procesin e votimit.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, e ka konsideruar si akt anti-Kushtetues përjashtimin nga votimi të qindra qytetarëve, për shkak të skandencës së dokumenteve të identifikimit. Sipas Berishës, ky është një akt i pa precedent, krim shtetëror elektoral, dhunim i Kushtetutës, që ka si qëllim të vetëm manipulimin e rezultatit zgjedhor nga kryeministri.
Problemi me kartat e identitetit u konfirmua dhe nga kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi. Në një deklaratë për mediat ai tha se janë mbi 6 mijë zgjedhës me karta identetitet të skaduara, por kjo shifër ka qenë dhe vitin e kaluar (por vjet ata u lejuan të votojnë me karta të skaduara). Kjo përbën rreth 25 % të numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar në Himarë.
Megjithatë, Celibashi shton se kjo nuk është kompetencë e institucionit që ai drejton.
“Është e vërtetë që janë 6 mijë votues të cilët dokumenti ose u ka skaduar ose u skadon deri ditën e sotme. Do të duhet të them që e njëjta shifër votuesish ka qenë dhe në zgjedhjet e kaluara. Përse për këto zgjedhje nuk u mor vendim nga qeveria për të zgjatur vlefshmërinë e kartave të identitetit nuk mund ta them’
Nuk kemi pasur një komunimim ditën e sotme se nuk është se do të kishte zgjidhje ditën e sotme. Kjo çështje do të duhej të ishte zgjidhur më parë. Është një çështje që lidhet me interesin e votuesve për të disponuar një dokument identifikimi e më pas autoritetet përgjegjëse shtetërore duhej t’i përgjigjeshin interesit. E njëjta gjë qëndron dhe për partitë. Nuk po përpiqem të shmang gravitetin apo shkakun por lidhet me interesin e kandiduesve, dhe të partive.”– tha kreu i KQZ-së.
Megjithatë ende nuk ka një shifër zyrtare se sa qytetarë nga këta që u kanë skaduar kartat e ID-së, janë paraqitur për të votuar por nuk janë lejuar dhe janë kthyer mbrapsht.
Në një anë ka qytetarë të cilët nuk po munden dot të votojnë për shkak të skadimit të kartave të identitetit, e në anën tjetër, opozita ka drejtuar akuza të tjera për qytetarë të cilët kanë marrë karta identiteti false me afat skadence 50 vite.
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka publikuar sot dy karta identiteti me afat 50-vjeçar dhe thotë se kjo gjë ka deformuar procesin e zgjedhjeve në Himarë.
Boçi tregoi rastin e një banoreje në Kakavijë, të cilën e kanë bërë banore të Himarës duke i dhënë një kartë identiteti me afat skadence 50 vite. Ai tregon dhe rastin e një banoreje tjetër me vendlindje Fterrën.



