
Simbol i sakrificës dhe trimërisë, një ndër pasqyrat identitare të Çamërisë dhe e trashëguar ndër breza të tërë, Vallja e Osman Takës më në fund u përfshi në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Shqipërisë. Ndonëse është një ndër vallet më të njohura shqiptare me karakter epik, Vallja e Osman Takës ose siÇ njihej tradicionalisht si “Vallja e Burrave të Konispolit” nuk kishte gjetur vend në listat klasifikuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, duke u bërë pengesë për përfaqësime të mëtejshme edhe ndërkombëtare.
Ministria e Kulturës njofton se vallja, një nga shprehjet më të veçanta të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe simbol i identitetit çam, është regjistruar tashmë zyrtarisht si pasuri shqiptare. Duke u njohur si vlerë kjo valle mbart historinë, krenarinë dhe qëndresën e një tradite të përcjellë ndër breza. E lidhur me figurën legjendare të Osman Takës nga Konispoli, vallja dallohet për lëvizjet e fuqishme dhe elegante, përmes të cilave përcillen trimëria, sakrifica, solidariteti dhe shpirti i lirë.
Propozimi për listimin është bërë nga qytetarë çamë dhe Bashkia e Konispolit.
Çfarë përfaqëson Vallja e Osman Takës?
Historia e figurës së Osman Takës nis pikërisht në Konispol, atje ku ishte vendosur familja e tij, ndërsa përjetësimi lidhet me përpjekjen për ruajtjen e nderit që u shndërrua në lavdi për të.
Asokohe, Konispoli ishte pjesë e Vilajetit të Janinës, ndaj dhe zona ruhej nga ushtarët turq. Një ditë një oficer turk i zbuloi fytyrën dy vajzave që po ktheheshin nga xhamia. Sipas legjendës, njëra nga vajzat ishte motra e Osman Takës, e cila i rrëfeu të vëllait çfarë kishte ndodhur. Osman Taka mblodhi në odën e shtëpisë djemtë më trima të Konispolit, organizuan sulm ndaj ushtarëve turq. Oficeri dhe 3 ushtarë u vranë, njërin e lanë të gjallë, për t’i rrëfyer sulltanit se ç’ngjau. Më pas, ditët u pasuan me arratisje të Osman Takës dhe trimave të tij, ku u strehuan në një stan. Për kokën e Osman Takës veliu i Janinës kishte ofruar 5000 napolona ari, ndërsa i zoti i stanit e tradhtoi. Ushtria turke rrethoi stanin, ku qendronte Osman Taka, ndërsa veliu kishte kërkuar ta çonin të gjallë në Janinë. Ekzekutimin e dënimit do ta ndiqte vetë Veliu i Janinës, Hasan Beu me të shoqen. Kryerjen e ekzekutimit do ta bënte Kadiu Mexhit Bej, i cili më parë i pyeti të dënuarit se cila ishte kërkesa e tyre e fundit për këtë botë. Osman Taka kërkoi një sofër të madhe dhe sazet e Filatit të kryesuar nga Braho Salameti, për të kërcyer “Vallen e Burrave të Konispolit”. Kërkesa u plotësua, melodia e sazeve filloi, bashkë me interpretimin e valles nga të dënuarit. Gruaja e Veliut të Janinës u mahnit nga interpretimi, i kërkoi të shoqit tërheqjen e fermanit. Kështu, Osman Taka dhe djemtë e Konispolit i shpëtuan dënimit.


