
Numri i shqiptarëve që shkuan me gomone katër vjet më parë në Britaninë e Madhe mbetet në qendër të kritikave nga politikanët e krahut të djathtë dhe mediat, deklaroi ambasadori shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, Uran Ferizi.
Ambasadori Ferizi tha se dyndja e mbi 12,000 shqiptarëve në vitin 2022 ishte e jashtëzakonshme sepse ndodhi në një kohë të shkurtër, por megjithatë i bëri thirrje partisë së Nigel Farage të ndalojë “vëzhgimin e shqiptarëve”, duke argumentuar se politika e vizave në Mbretërinë e Bashkuar në atë kohë, u jepte shqiptarëve një përqindje të ulët të vizave, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, gjë që mund t’i ketë shtyrë emigrantët të futeshin në mënyrë të paligjshme.
Zyra e ambasadës shqiptare në Britaninë e Madhe ka ndërtuar një raport 10-faqësh të bazuar kryesisht në të dhëna nga Ministria e Brendshme dhe Observatori i Migracionit në Universitetin e Oksfordit. Ai tha se 12,658 shqiptarë kaluan Kanalin e La Manshit në vitin 2022, një rritje jashtëzakonisht e madhe, por ekuivalente me vetëm rreth 1% të imigracionit të përgjithshëm afatgjatë në Mbretërinë e Bashkuar për atë vit. Shkuarja e shqiptarëve më pas ra ndjeshëm dhe sipas analizës së ambasadës, shumica e atij grupi është larguar që atëherë nga Mbretëria e Bashkuar.
Vetë Ferizi ka kaluar një përvojë të tillë, pasi shkoi në Britaninë e Madhe si emigrant i paligjshëm kur ishte adoleshent dhe 4 vjet më pas vijoi studimet për Matematikë në Universitetin e Oksfordit.

“Një pakicë e zhurmshme në politikën dhe median britanike e ka mbajtur gjallë krizën e migracionit shqiptar shumë kohë pasi përfundoi”, tha ai. “Zhvillimet aktuale tentojnë ta prishin historinë”.
“Konservatorët dhe për fat të keq disa në qeveri, mund të duken më të etur për të konkurruar me titujt e Reformës sesa për të vënë në pikëpyetje provat.”
Sipas raportit të Ferizit, aplikantët shqiptarë për viza në Mbretërinë e Bashkuar kishin një normë miratimi prej vetëm 65.5% gjatë periudhës 2018–2025, krahasuar me rreth 90% në të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, me më shumë se 70,000 aplikime shqiptare të refuzuara.
Ferizi argumenton se kjo meriton një shqyrtim më të madh. “Kur rruga ligjore është jashtëzakonisht e vështirë, nuk mund të diskutosh ilegalitetin, sikur të dyja nuk kanë të bëjnë fare me njëra-tjetrën”, tha ai. Raporti nuk pohon se refuzimet e vizave shkaktuan rritjen e numrit të personave që kalojnë Kanalin e La Manshit, por ngre mundësinë që qasja e kufizuar ligjore i detyroi disa të rinj shqiptarë drejt emigracionit të paligjshëm.
Ferizi ka kritikuar mbulimin e çështjeve të shqiptarëve nga Daily Telegraph për cilësimin e tyre si kriminelë. Ai citoi një artikull të vitit 2024, ku pretendohej se 1 në 50 shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar ishin në burg, shifra më e lartë krahasuar me emigrantët e çdo kombësie.

Ky artikull është pronësi intelektuale e ” The Guardian“


