Ndërkohë që Ursula von der Leyen po bën tentativat e saj për t’u rikonfirmuar për të dytën herë në krye të Komisionit Evropian, shumë media ndërkombëtare po raportojnë për këtë gjë. Por, ajo që të bën përshtypje kur kërkon mbi jetën e saj është që të dalin përpara detaje që nuk i kishte pritur më parë.

Po, von der Leyen është gruaja e parë që drejton institucionin kryesor evropian. Ama e parë jashtë kornizës politike, Von der Leyen është një personazh krejt tjetër. Ajo është pjesë e një familje të madhe, pasi është nëna e shtatë fëmijëve. Një punë jo e lehtë edhe kjo e mëmësisë.

E vështirë duhet të jetë të jesh nënë e 7 fëmijëve dhe njëkohësisht edhe gruaja më e pushtetshme në Evropë (madje edhe në botë po t’i referohesh Forbes-it).

Von der Leyen ishte ministre e Mbrojtjes në qeverinë e Angela Merkel për gjashtë vjet nga viti 2013 dhe në 2019-ën u bë gruaja e parë që drejton Komisionin Evropian

Fëmija i një politikani, por e tërhequr nga muzika

Ursula von der Leyen lindi nga prindër gjermanë në Belgjikë në vitin 1958. Atëhere e kishte mbiemrin Albrecht. Ajo ishte fëmija i tretë, nga shtatë fëmijët.

Në moshën 13-vjeçare, familja e saj u transferua në Hanover të Gjermanisë, ku babai i saj Ernst Albrecht hyri në politikë. Ai u bë ministër-president i partisë së qendrës së djathtë Bashkimi Kristian Demokrat në Saksoninë e Ulët. E duket se nga babai e ka marrë edhe pasionin per politiken.

Por përpara se t’i bashkohej politikës, kur ishte adoleshente von der Leyen ishte e fokusuar në muzikë. Ajo performonte në një grup familjar, së bashku me nënën dhe vëllezërit e motrat e saj, të quajtur “The Albrechts”. Por karriera muzikore nuk vazhdoi as për të e as për familjarët e saj. Diçka shumë më serioze tërhoqi vëmendjen e saj: Politika. Por kjo ndodhi shumë më vonë.

Von der Leyen, pranë babait të saj Ernst Albrecht (burri në të majtë), pas performancës së grupit të saj familjar në një shfaqje televizive gjermane

Ndryshimi i identitetit për shkak të kërcënimeve

Në fund të viteve 1970, fraksioni i Ushtrisë së Kuqe të Gjermanisë, një grup gueril i ekstremit të majtë i njohur gjithashtu si banda Baader-Meinhof, filloi të kërcënonte politikanët dhe familjet e tyre.

Anëtarët e rinj të grupit terrorist, të cilët e konsideronin veten se po luftonin kundër establishmentit kapitalist gjermanoperëndimor, vranë më shumë se 30 njerëz gjatë gati dy dekadave.

Në vitin 1978, veprimet e grupit iu afruan në mënyrë të rrezikshme familjes Albrecht: Fraksioni i Ushtrisë së Kuqe kërcënoi se ata po planifikonin të rrëmbenin vajzën e tyre adoleshente.

Von der Leyen asokohe studionte ekonomi në Universitetin e Göttingen dhe për sigurinë e saj, prindërit e e inkurajuan të transferohej në një universitet tjetër dhe të ndryshonte emrin e saj.

Ajo u regjistrua në Shkollën Ekonomike të Londrës dhe mori pseudonimin “Rose Ladson”, një kombinim i pseudonimit të familjes së saj dhe mbiemrit të stërgjyshes së saj amerikane. Doli të ishte një ndryshim pozitiv.

Von der Leyen me prindërit e saj, Ernst dhe Heidi-Adele Albrecht

Jeta e saj në Londër ishte, sipas saj, “mishërimi i modernitetit: liria, gëzimi i jetës, të provosh gjithçka, gjë që më dha një liri të brendshme që e kam ruajtur deri më sot”.

Para se të diplomohej në ekonomi, von der Leyen ndryshoi kurs. Ajo nisi të studionte mjekësi në Shkollën Mjekësore të Hanoverit në Gjermani, duke pasur një interes të veçantë për shëndetin e grave.

Më pas në vitin 1987, një vit para se të diplomohej, ajo u martua me mjekun Heiko von der Leyen.

Balanca mes familjes dhe rritjes në karrierën politike

Ursula von der Leyen është e martuar me Heiko von der Leyen, një profesor i mjekësisë dhe CEO i një kompanie inxhinierike mjekësore. Çifti u takua pasi von der Leyen u kthye në Gjermani për të studiuar, ndërsa ishte pjesë e korit të universitetit.

Ndërkohë që ishte e martuar, Von Der Leyen nuk e ndali punën. As kur u bë nënë.

Kur Ursula von Der Leyen u bë nënë për herë të parë në moshën 28-vjeçare në vitin 1987, të qenurit një mama që punon nuk shihej me sy të mirë në shoqëri për kohën.

Sipas The Times, me të dëgjuar lajmin që ajo priste një fëmijë, një mjek i vjetër tha: “Zonja von der Leyen: shtatzënë? Jeni shumë dembele për të punuar?” Por, Von Der Leyen nuk i la komente të tilla që ta ndikonin apo ta pengonin në punën e saj.

Më vonë siç shkruan revista Vogue, ajo u transferua në Kaliforni në vitin 1992, ku burri i saj po kryente kërkime mjekësore në Stanford dhe ajo punonte si mjeke. Atëhere ajo thuhet se u befasua nga roli aktiv që baballarët amerikanë luanin në rritjen e fëmijëve të tyre.

Pastaj kur u kthyen në Gjermani, ajo u fokusua në kërkimet mjekësore. Vetëm më vonë në karrierën e saj vendosi të ndiqte gjurmët e të atit dhe të hynte në politikë. Ajo iu bashkua Unionit Demokristian (CDU) dhe, në vitin 1996, u përfshi në politikën e Saksonisë së Poshtme – i njëjti shtet federal që kishte qeverisur babai i saj. Në të njëjtën periudhë, ajo mori një diplomë master në shëndet publik.

Ursula von der Leyen me shtatë fëmijët e saj

Gjatë kohës së saj si ministre federale për çështjet e familjes nga viti 2005, von Der Leyen zbatoi atë që ajo e quajti “feminizëm konservator” duke futur disa reformat ë reja për vendin. Përmendim këtu “lejen e lehonisë” të asaj kohe që e ndryshoi në “lejen prindërore”, për ta bërë të qartë se rritja e një familjeje varet nga të dy prindërit, jo vetëm nëna.

Aktualisht, von der Leyen fle në një studio të vogël ngjitur me zyrën e saj në selinë e Komisionit, në vend që të marrë një shtëpi të sajën në Bruksel. Kur nuk fle në studio, ajo kthehet në shtëpinë e saj familjare në Beinhorn, një fshat i vogël në Gjermani, ku kalon kohë me fëmijët e saj në fundjavë dhe ndjek pasionin e saj për kalërimin.

Historia përsëritet: von der Leyen (e cila është një nga shtatë fëmijët) duke pozuar për një fotografi në 2005 me burrin e saj Heiko dhe shtatë fëmijët e tyre.

Së fundmi e ftuar në emisonin në “Che Tempo che fa” (minuta 1), Presidentja e Komisionit Europian u provokua me shaka nga moderatori italian Fabio Fazio lidhur me faktin që ka 7 fëmijë. Pasi përmendi këtë fakt, moderatori e pyeti atë nëse i mban mend të gjithë emrat e fëmiijëve të saj. Ajo filloi t’i përmendte të gjithë fëmijët, emrat e të cilëve janë: David 33-vjeç, Sophie 31-vjeç, Donata 28-vjeç, binjakët Victoria dhe Johanna 26-vjeç, Egmont 22-vjeç, dhe Gracia 21-vjeç.

Më i madhi është Davidi, ndërsa më e vogla Gracia

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Irena Beqiraj “Vetëm fanatikët e rrezikshëm refuzojnë të bëjnë kompromis" - ky do të ishte një justifikim i mirë për argumentin e Braçes i cili votoi pro një reforme...
/ Oct 11
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas një investigimi të "The Wall Street Journal", sipas të cilit ajo është mburrur...
/ Oct 11