
Universiteti i Stambollit njoftoi të martën se kishte anuluar diplomën e rivalit kryesor politik të presidentit Tayyip Erdogan për shkak të parregullsive, duke i dhënë një goditje opozitës disa ditë para se ajo ta zgjidhte atë si kandidatin e saj presidencial për zgjedhjet e ardhshme.
Pa një diplomë universitare, kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, nga Partia “Republikane Popullore”, partia kryesore opozitare, nuk mund të kandidojë për president. Ai tha se vendimi i universitetit ishte i paligjshëm dhe jashtë juridiksionit të tij dhe se do ta sfidonte ligjërisht.
“Do ta çojmë këtë vendim të paligjshëm në gjykatë dhe do të luftojmë kundër tij,” tha Imamoglu, por shtoi: “Nuk kam besim se do të merren vendime të drejta,” duke përmendur presionin politik mbi gjyqësorin. Nuk do të dorëzohem, nuk do të lodhem. Ekremi nuk është më subjekti i kësaj çështjeje, por i gjithë kombi është. Gjithçka që njerëzit kanë fituar dhe arritur është në rrezik.”- shtoi ai.
Qeveria e Erdogan-it mohon çdo presion politik mbi gjykatat dhe thotë se gjyqësori është i pavarur. Ky veprim vjen në mes të një goditjeje ligjore në zgjerim ndaj figurave opozitare, veçanërisht ndaj Imamoglu-t. Ai pason aktakuza të shumta kundër kryebashkiakut dhe emërimin e disa administratorëve të qeverisë në pozicione komunale të mbajtura nga opozita.
“Ky është një tjetër moment kyç në rënien e demokracisë në Turqi.”- tha Seda Demiralp, kryetare e Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Isik në Stamboll.

Gabime të qarta
Në një deklaratë, universiteti tha se 38 persona kishin kaluar në mënyrë të parregullt në programin anglisht të Fakultetit të Menaxhimit në vitin 1990. Diplomat dhe gradat e 28 prej tyre, përfshirë Imamoglu-n u anulluan si të pavlefshme për shkak të “gabimeve të qarta” lidhur me rregulloret e Bordit të Arsimit të Lartë (YOK).- deklaroi shkolla.
Në javët e fundit, autoritetet nisën një hetim mbi dyshimet për falsifikim të dokumenteve zyrtare që lidhen me diplomën universitare të Imamoglu-t, një veprim që kritikët e quajtën përpjekjen më të fundit të shtetit për të përdorur gjyqësorin për të frenuar kundërshtimin politik.
Javën e kaluar, avokati i Imamoglu-t, Mehmet Pehlivan, i tha “Reuters” se nuk kishte parregullsi me diplomën e kryebashkiakut.
Në një postim në “X” të martën, avokati tha se bordi drejtues i universitetit nuk kishte autoritet për të marrë një vendim të tillë dhe e quajti atë të pavlefshëm. Imamoglu ka kohë që shihet si një sfidues i aftë për Erdogan-in, i cili ka drejtuar Turqinë për më shumë se dy dekada dhe i cili duhet të mbajë zgjedhje përpara vitit 2028 nëse dëshiron të rikandidojë sipas kushtetutës.
Në muajt e fundit, kryebashkiaku ka rritur kritikën ndaj presidentit dhe qeverisë së tij, ndërsa ka shpallur kandidaturën e tij për të përfaqësuar “CHP-në” në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Ky vendim tregon se “regjimi nuk po përmbahet nga asnjë mjet për të shtypur opozitën, përfshirë anulimin e diplomës së dikujt pas 30 vjetësh.”– shtoi Demiralp.
“CHP” dhe “IYI”, një tjetër parti opozitare e dënuan këtë veprim. Kryetari i CHP-së, Ozgur Ozel, tha se vendimi ishte një “njollë e errët” dhe se partia e tij do të emëronte Imamoglu-n si kandidatin e saj presidencial më 23 mars. Kryebashkiaku i Ankarasë, Mansur Yavas, i cili shihet si një alternativë për kandidaturën presidenciale të CHP-së, mbështeti Imamoglu dhe tha se partia do të ndërmerrte veprime ligjore kundër vendimit të universitetit.
Shënim – Ky shkrim është pronësi intelektuale e “Reuters”. Lexo KËTU.


