
Nga Mentor Kikia
Për tjetër gjë u nis, e tjetër gjë arriti! “Përshtatja” e Mozaikut “Historia e Shqipërisë” në fasadën e Muzeut Kombëtar shkaktoi një debat të fortë publik. Thuajse të gjithë e morën për çmenduri qeveritare, për të promovuar ligjin e barazisë gjinore. U deshën sqarime zyrtare e më tej, për të kuptuar se “heroinën” e mozaikut nuk e kishin qethur. U deshën gjithashtu sqarime për të kuptuar se në mozaik nuk ishin bërë ndërhyrje deformuese, por koka e qethur e gruas ishte një instalacion, një “pllakatë” e mbivendosur e mozaikut origjinal, si një thirrje sensibilizuese për kancerin e gjirit tek gratë. Bukur shumë! Edhe pse përdorimi i një monumenti kulture, unik si ky, për të tilla qëllime, ha diskutim tjetër! Por kur u deshën kaq shumë sqarime për të mësuar se çfarë ishte ai instalacion që ngjante aq shumë real në fakt, e mendoni se kjo ia ka arritur qëllimit, pra që gratë dhe vajzat në mënyrë masive ta kenë kuptuar mesazhin që duhej dhënë?



E kur këtë s’e kuptuan “burrat dhe gratë inteligjente”, që në vend të sensibilizimit, u mobilizuan kundër instalacionit/“deformimit”, mendoni se e kanë kuptuar të gjitha shtresat sociale për t’i nxitur që të bëjnë mamografinë dhe depistime të tjera? Të tilla mesazhe duhet të jenë sa më të thjeshta, duke iu përshtatur çdo targeti dhe çdo niveli të shoqërisë. Gjithësesi, instalacioni tregoi e nxiti diçka tjetër: Që shoqëria ka ende nerv dhe po ta pickosh i lëvizin gjymtyrët, nuk i janë mpirë plotësisht. Reagimi për një dëmtim të supozuar apo një shpërfytyrim të supozuar të trashëgimisë historike, ishte i admirueshëm. Për sensibilizimin e grave kundër kancerit, gjeni ndonjë simbolike tjetër, më komunikuese me publikun, dhe besoj se do ju bashkohen të gjithë. Edhe unë!


