
Zëvendëskryeministri i Bavarisë dhe ministri i Ekonomisë, Hubert Aiawnger u gjet pa jetë në dhomën e një hoteli në Berlin në rrethana ende të pazbardhura. Kryeministri i Bavarisë, Markus Söder, e përshkroi ngjarjen si një “tragjedi absolute”.
Presidentja e Parlamentit të Bavarisë, Ilse Aigner, tha se Aiwanger “u nda papritur nga jeta”, duke e cilësuar humbjen si “një humbje të madhe për Bavarinë”. “Jemi të gjithë thellësisht të tronditur”, deklaroi Söder, kryeministër i Bavarisë dhe kryetar i CSU-së. “Deutsche Welle” shkruan se bashkë me ta edhe kryetarja e grupit parlamentar të të Gjelbërve në parlamentin bavarez, Katharina Schulze, shprehu ngushëllimet e saj: “Ngushëllimet e mia më të sinqerta shkojnë për familjen, të afërmit dhe të gjithë ata që i qëndronin pranë.”

“The Guardian” shkruan se policia dhe prokuroria kanë hapur një hetim për të “përcaktuar shkakun konkret dhe rrethanat e vdekjes”. “Qëllimi i hetimeve është të përcaktohet shkaku i saktë i vdekjes dhe rrethanat që e kanë shoqëruar atë, si dhe të përjashtohet çdo përgjegjësi e mundshme e personave të tretë”, thuhej në deklaratën e policisë dhe prokurorisë. Autoritetet nuk dhanë detaje të tjera. Aiwanger, kryetar i partisë populiste Votuesit e Lirë (Free Voters) dhe njëkohësisht ministër i Ekonomisë së Bavarisë, ndodhej në Berlin për të marrë pjesë në inaugurimin e një zyre të partisë së tij. Megjithatë, ai nuk mori pjesë në aktivitet, pasi nuk ishte ndier mirë, raportoi gazeta “Bild”.
Partia e Aiwanger ishte partnere e vogël në qeverinë rajonale të Bavarisë, të drejtuar nga Unioni Kristian Social (CSU) i Markus Söder. Ai drejtonte degën bavareze të partisë Votuesit e Lirë që prej vitit 2006. Nën drejtimin e tij, partia hyri për herë të parë në qeverinë e landit në vitin 2018, por nuk arriti asnjëherë të fitonte numrin e nevojshëm të vendeve për të hyrë në parlamentin federal gjerman. Ai kishte planifikuar të mbante një fjalim në ceremoninë e hapjes së një zyre të partisë në Berlin, por e anuloi pjesëmarrjen për arsye shëndetësore, raportoi agjencia gjermane e lajmeve “DPA”.

Kush ishte Hubert Aiwanger?
I lindur në Bavarinë e Poshtme, në jug të Gjermanisë, Hubert Aiwanger u zgjodh në Parlamentin e Landit të Bavarisë në vitin 2008, si përfaqësues i partisë Votuesit e Lirë (Free Voters), ku më pas u bë kryetar i grupit parlamentar. ‘DW” shkruan se që prej vitit 2018, partia e tij ka qenë në koalicion me CSU-në e qendrës së djathtë, partinë simotër bavareze të Unionit Kristian Demokrat (CDU), që drejton qeverinë federale gjermane. Aiwanger mbajti postin e ministrit të Ekonomisë së Bavarisë dhe atë të zëvendëskryeministrit të landit. Aiwanger ishte figura kryesore përfaqësuese e Votuesve të Lirë në Bavari dhe në mbarë Gjermaninë.
Ai njihej për stilin e tij politik konfrontues dhe për qëndrimet e ashpra në debatet publike. Megjithatë, suksesi i tij politik në Bavari nuk u përkthye në sukses në nivel kombëtar, pasi partia e Votuesve të Lirë nuk arriti asnjëherë të fitonte numrin e nevojshëm të vendeve për të hyrë në Bundestag, parlamentin federal të Gjermanisë. Aiwanger ishte përballur edhe me një polemikë në nivel kombëtar në vitin 2023, pasi dolën raportime se, kur ishte 17 vjeç dhe nxënës shkolle, kishte shkruar një pamflet antisemitik, në të cilin kampi i përqendrimit Auschëitz përshkruhej si një “zonë argëtimi”.


