
Rezultatet paraprake të zgjedhjeve në SHBA tregojnë për një fitore të Donald Trumpit dhe një rikthim në Shtëpinë e Bardhë pas një periudhe katërvjeçare mungese. Sipas rezultateve paraprake të numërimit, Trumpi ka arritur të sigurojë shumicën e votave elektorale dhe të fitojë deri më tani kundër rivales së tij, Kamala Harris.
Rezultatet e para kanë treguar një garë të ngushtë, por me një dominim të qartë të Trumpit në shtetet kyçe të fushatës. Shtetet si Florida, Teksas, Pensilvani, Ohio, Karolina e Veriut, Georgia dhe Michigan kanë rezultuar në mbështetje të Trumpit, duke e ndihmuar atë të kalojë pragun e nevojshëm për të fituar. Në këto shtete, fitorja e tij është konsideruar vendimtare për përfundimin e numërimit të votave, pavarësisht se numërimi i plotë i votave ende është në vazhdim, ekspertët politikë vlerësojnë se fitorja e tij është tashmë e pakthyeshme.
Fitorja në shtetet si Florida dhe Teksasi, të cilat janë gjithnjë të rëndësishme për çdo kandidat është një tregues i fuqisë së tij të vazhdueshme në jug dhe në perëndim, si dhe në qendër të vendit. Në shtetin e Pensilvanisë, që kishte një rëndësi kyçe në zgjedhjet e mëparshme, Trumpi ka fituar gjithashtu një mbështetje të madhe, duke i dhënë atij një avantazh në luftën për presidencën.

Republikanët marrin kontrollin e Senatit
Republikanët kanë marrë kontrollin e Senatit të SHBA-së nga demokratët në zgjedhjet e Kongresit të mbajtura të martën, kjo fitore erdhi pasi senatori Deb Fischer siguroi rizgjedhjen në Nebraska. Sipas raporteve nga ‘Associated Press’, republikanët kanë siguruar 51 vende në Senatin Amerikan duke rimarë kontrollin e dhomës për herë të parë në katër vjet.

Në një fjalim të shkurtër pas shpalljes së rezultateve paraprake, Trumpi ka falënderuar mbështetësit e tij dhe ka bërë thirrje për bashkim të kombit amerikan, duke theksuar se rikthimi i tij do të jetë një mundësi për të adresuar sfidat ekonomike dhe politike që kanë prekur vendin. Ai gjithashtu ka ripërsëritur premtimin e tij për të rivendosur “Amerikën e Madhe”.
“Falenderoj amerikanët për nderin që më zgjodhën si presidentin e 47 dhe 45 gjithashtu. Në këto raste ka qenë një garë shumë e fortë, fitoret për senat ishin të mrekullueshme. Është mrekulli të shikosh këto fitore, nuk e prisnim, dua t’ju falënderoj të gjithëve. Do të mbajmë dhe kontrollin e Dhomës së Përfaqësueve gjithashtu. Dua të falënderoj Mike Johnsonin. Dua të falënderoj gruan time të bukur zonjën Melania. Dua të falënderoj të gjithë familjen time, fëmijët e mi të mrekullueshëm.”– tha ai gjatë fjalimit.

Një fjalim pritej dhe nga kandidatja Kamala Harris, e cila do të kalonte natën e zgjedhjeve në Universitetin Howard në Uashington, por më vonë u njoftua se ajo nuk do të merrte pjesë. BBC News, raporton se pas njoftimit nga bashkë-kryetari i fushatës Cedric Richmond, turma u zhduk nga selia e Harrisit dhe atmosfera e ngjashme me festën e disa orëve më parë në Howard tashmë ishte përkeqësuar pasi dy shtete kyçe zgjodhën Trumpin. Nga selia e Harris, Lindy Li tha se situata është shumë e zymtë tani. “Njerëzit po bëhen gjithnjë e më të shqetësuar,por ka ende një rrugë. Unë ende po e mbaj atë, por kjo nuk është nata që ne donim.”– tha ajo.
Kryeminstri Rama, ishte ndër të parët të cilët uroj fitoren e Trumpit, edhe pse në prill të vitit 2016, Edi Rama u bë ndër të paktët kryeministra në botë që nisi një sulm të hapur ndaj Donald Trump, i cili në atë kohë ishte kandidat për president të SHBA.
“Urime Donald Trump për këtë fitore të jashtëzakonshme. Ishte një nder i vërtetë të punoja së bashku me Presidentin e 46-të të Shteteve të Bashkuara për të forcuar lidhjen midis dy vendeve tona. Pres me padurim të kem privilegjin e madh të punoj me Presidentin e 47-të për të përmirësuar më tej partneritetin tonë për paqe, prosperitet dhe përparim të mëtejshëm”, shkruan Rama në një postim në “X”.



