
Donald Trump mori detyrën e presidentit të SHBA-ve më 20 janar 2025. Slogani i fushatës së tij ishte “Make America Great Again” (Ta bëjmë Amerikën sërish madhështore), e për ta kthyer në realitet i dha përparësi zhvillimit ekonomik. Fokusi parësor i Trumpit u bënë taksat me vendet jashtë SHBA-ve, masë e cila përfshin Kinën, Europën, por edhe Shqipërinë e Kosovën. Ai është shprehur se SHBA-të janë shfrytëzuar nga “mashtues” dhe janë “plaçkitur” nga të huajt ndër vite dhe kjo është arsyeja kryesore se pse vendosi të hakmerret me tarifa doganore shtesë mbi mallrat që ata eksportojnë në superfuqinë ekonomike të botës. “Miku është më i keq se armiku”-ka shtuar Trump.

Më 2 prill 2025 u propozua taksa reciproke mbi të gjitha importet nga BE në masën 20 %, por që hasi në kundërshtime dhe e uli në 10% pas 3 muajsh negociata. Deri më 30 mars u diskutua që taksa për mallrat e makinat nga Europa të ishte në vlerën e 25 %, por 1 qershori solli një plan të ri taksimi, nga 25 % në 50% . Tarifat amerikane nuk e patën edhe aq të lehtë, pasi u kundërshtuan duke iu përgjigjur me masa reciproke. Presidentja e Komisionit Evropian nuk e ka mirëpritur qëndrimin e SHBA-ve duke paralajmëruar edhe ajo taska për importet nga SHBA-të. “Njoftimi i presidentit Trump për tarifat ndaj të gjithë botës, duke përfshirë edhe Bashkimin Evropian, është një goditje e madhe për ekonominë botërore. Më vjen shumë keq për këtë zgjidhje”- ka thënë Ursula von der Leyen, duke shtuar se efekti i tarifave do të ndihet menjëherë.

27 korrik 2025 dhe pakti në Skoci
Takimi në Turnberry të Skocisë mbylli debatet me një shtrëgim duarsh mes presidentit Trump dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Tarifat doganore, do jenë 15%, ndërsa ato për çelikun dhe aluminin do mbeten 50%. Marrëveshja përfshin edhe blerjen e armëve amerikane nga evropianët. BE-ja do të blejë nga SHBA-ja armatim dhe energji me vlerë 150 miliardë dollarë, si dhe do të kryejë investime në vlerë 600 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara. SHBA-të nuk ndalen këtu. Sekretari i Tregtisë i SHBA-së, Howard Lutnick, parashikon klauzola edhe për tarifimin e çipave dhe gjysmëpërçuesve që pritet do të vendosen si rezultat i hetimit federal në këtë sektor.

Taksa për medikamentet
Një strategji tjetër financiare amerikane është edhe vendosja e vijave të kuqe për shëndetësinë, kryesisht farmaceutikën. 15% taksa për medikamentet ka sjellë refuzim e kritika nga BE-ja. Federata Evropiane e Industrive Farmaceutike (EFPIA) tha se tarifat mbi ilaçet janë një instrument i hapur që do të prishë zinxhirët e furnizimit, do të ndikojë në investimet në kërkim dhe zhvillim dhe në fund të fundit do të dëmtojë aksesin e pacientëve në ilaçe në të dy anët e Atlantikut. Marka me emër dhe Organizata tregtare që përfaqësojnë kompanitë farmaceutike në të gjithë bllokun, përfshirë “Bayer-in” në Gjermani, “Novo Nordisk-un” në Danimarkë dhe shumëkombëshe amerikane me operacione në Irlandë, të tilla si “Pfizer-i” dhe “Johnson & Johnson” nuk kanë mirëpritur lajmin. Vendimi i SHBA-ve për të vendosur detyrime importi mbi produktet farmaceutike sipas tyre është një shkelje e një marrëveshjeje të Organizatës Botërore të Tregtisë të vitit 1995, sipas së cilës ilaçet dhe përbërësit aktivë në to kanë tarifë zero.



