Historia e Parashqevi Simakut po kthehet nga mediat në një telenovelë për publikun shqiptar, ku shikuesi mezi pret serinë e radhës, duke lënë në hije shumë çështje të tjera me interes publik dhe deri diku shumë të diskutuara deri para publikimit të asaj videoje të famshme, ku artistja shqiptare shfaqej si një grua e pastrehë në një stacion të Nju Jorkut.

Ky shkrim nuk merr përsipër të analizojë figurën e Parashqevi Simakut si artiste, por po analizojmë çfarë ndodhi në opinionin publik gjatë këtyre ditëve. Pse e quajmë telenovelë? Sepse, u bënë disa seri, me të parën që nis me shfaqjen e papritur të artistes në rrugë, në një shtet të huaj.

Seria e parë – Rishfaqja

Telenovela nis të premten me publikimin e një videoje që mbante logon e televizionit amerikan “ABC 7” nga gazetari Blendi Fevziu, video në të cilën shfaqej një grua e pastrehë që merrte ndihma nga një grup fëmijësh në Nju Jork. Kjo grua ngjante me artisten shqiptare Parashqevi Simaku, e cila ishte larguar nga vendi por dhe nga skena në kulmin e famës dhe suksesit të saj, në vitin 1992.

Seria e dytë – Parashqevia apo jo?

Pas publikimit të videos nisin reagimet dhe debatet jo vetëm në rrjet por edhe në televizione. Është apo nuk është ajo? Ndonëse ende nuk ishte konfirmuar që ishte vërtet ajo, fati personal i Parashqevisë preku zemrat e shumë njerëzve. Njerëz që e kishin njohur më përpara dolën në programe televizive të flisnin për të, tregonin historinë e njohjes së tyre, historinë e largimit të saj në Amerikë, ndërkohë që kishte dhe njerëz që nuk e besonin fare që ishte ajo, madje sugjeronin se video ishte produkt i Inteligjencës Artificiale.

Seria e tretë – Thirrje për ndihmë

Ndërkohë që të gjitha këto debate vazhdonin pëpr dy ditë rresht, nisën thirrje për të hapur një llogari në “Go Fund Me” për të gjetur dhe ndihmuar artisten. Të tjerë u ankuan për thirrjet për ndihma, duke sugjeruar se artistja po të kishte dashur ndihmë do kishte kërkuar me kohë. Shumë bënin thirrje për ruajtjen e privatësisë së saj. E në të njëjtën kohë, pati dhe njerëz që u morën personalisht me të duke kritikuar vendimet, historinë dhe figurën e saj.

Seria e katërt – Raportet me djalin në lupë

Shumë të afërm të artistes folën për mediat duke thënë se gruaja në video ishte Parashqevia vërtet, ata e njihnin nga tiparet, buzëqeshja, ndonëse kishin vite pa e parë dhe pa komunikuar me të. Miq të saj nisën të tregonin tanimë detaje shumë personale të jetës së saj, të flisnin për ndarjen me bashkëshortin dhe për raportet e këngëtares me të birin.

Seria e pestë – Konfirmimi

Dy ditë më pas një grua shqiptare e quajtur Elvira Tata arriti ta gjente këngëtaren pranë një stacioni trenash në Nju Jork. Ajo bëri foto si dhe video me Simakun, të cilat i publikoi në rrjetet e saj sociale dhe më pas u bënë virale. U konfirmua që ishte ajo!

Seria e gjashtë – Heroi që e shpëton

Pasi u gjet nga zonja Tata, një biznesmen shqiptar që jetonte prej vitesh në Amerikë, Elton Ilirjani u lidh me të dhe shkoi ta shpëtonte personazhin kryesor të kësaj historie nga rruga. Ilirjani nisi të ndante me publikun në rrjete momente nga takimi i tij me artisten, momente nga darka që i dha në restorantin luksoz, momente ku shfaqej duke kënduar në shqip, duke i dhuruar bizhuteri të shtrenjta, madje edhe momente duke iu ulur në gjunjë.

Seria e shtatë – Shohim ku do jetojë, çfarë po ha dhe po pi Parashqevia

Përveç videove të momenteve nga darka, të tjera pamje u publikuan në rrjet nga heronjtë e kësaj historie. Pamje nga dhoma e hotelit luksoz në Manhatan që ata kishin zgjedhur për këngëtaren, të cilën e kishin prenotuar për 3 javë. Sa më shumë i ofrohej publikut, aq më shumë ishte i etur dhe publiku për seri të reja.

Seria e tetë – Emisionet marrin famë, nga personazhi që rimori famën nga emisionet

Për disa ditë me radhë, emisionet e mëngjesit, paradites, pasdites dhe mbrëmjes kishin vetëm një emër: “Parashqevi Simaku”. Këngëtarja ishte zhdukur qëllimisht nga vëmendja e publikut shqiptar në kulmin e saj, mediat e rikthyen në vëmendje në momentet e saj më të këqija. Dhe ashtu sikurse e rikthyen në famë, përfituan dhe vetë famë. Mjaft të përmendim episodet e mbrëmjes së hënë, ku prezantuesit e dy programeve më të ndjekura të orës 21:00 në televizionet kombëtare po mburreshin se Parashqevi Simaku po i ndiqte live. Në njërin prej këtyre programeve, u dha çdo detaj mbi gjetjen dhe strehimin e saj, duke përmendur edhe çdo vakt që artistja kishte ngrënë e kishte pirë në 48 orë.

Seria e nëntë – Rikthimi në rrjet për të përgatitur rikthimin në skenë

Sikurse përmendëm më lart, në disa video Simaku u shfaq duke kënduar përsëri shqip dhe në disa postime të njerëzve që e shoqëronin, sugjerohej se ajo mund të rikthehej përsëri në skenë. E njëjta gjë u përsërit dhe në programet e ndryshme televizive të së hënës, ku njerëz të lidhur me artisten flisnin me siguri se ajo do të rikthehej. Ndonëse nuk e dimë nëse kjo do të ndodhë apo jo, artistja duket se është rikthyer së paku në hapësirën online me një postim ku falenderon të gjithë shqiptarët që u interesuan për të. Dhe përmes këtij postimi, që ende nuk është verifikuar se është vërtet Simaku, por që po mbush mediat me lajme thuhet se ajo vërtet ka ndërmend të rikthehet në muzikë, por në të ardhmen, gjë që lë publikun dhe mediat me shpresë për “një sezon të dytë”, akoma pa mbaruar “sezoni i parë”. Historia ka treguar se po, mund të rikthehesh pas një periudhe shumë të gjatë, mjaft të kujtojmë rastin e Martha Stewart e cila pasi kaloi 5 vite në burg, u rikthye me një shfaqje të re televizive, akoma më fuqishëm dhe me më shumë sukses se sa kishte patur më parë duke u kthyer në një shembull se si mund të rishpikësh veten pas një rrëzimi, pak rëndësi kanë rrethanat.

Seria e dhjetë – Paratë, nga ku nis një jetë e re

Episodi i fundit lidhet me paratë. Të katërtën ditë u konfirmua zyrtarisht dhe llogaria e “Go Fund Me” e hapur nga biznesmeni Elton Ilirjani dhe ku shqiptarë (dhe jo vetëm) mund të kontribuojnë me para për artisten shqiptare, për ta ndihmuar atë të rimëkëmbet. Këtu gjërat bëhen më konkrete, sezoni mbyllet me një fund të lumtur. Deri tani janë mbledhur mbi 45 mijë dollarë dhe targeti është të arrihet plot 1 milionë dollarë, një shumë e konsiderueshme për të ndryshuar tërësisht jetën e një njeriu dhe që lë publikun kurioz të dijë “Ç’do ndodhë në sezonin e dytë?”.

E vërteta pas këtyre serive që mediat i servirën publikut është se përtej ndihmës që mund të jepej edhe në konfidencialitet, disa çështje me rëndësi publike u fshinë nga diskursi publik. Cilat janë ato?

1-Pensionet

Pensionet ishin një nga temat më të nxehta në politikën shqiptare, me të gjitha palët që po përgatiten për zgjedhje (lexo këtu).  Për herë të parë në një dekadë, pensionistët erdhën në vëmendje përmes protestave të përjavshme përpara Kryeministrisë dhe kryeministri Edi Rama për herë të parë kishte nisur një diskurs që lidhej pikërisht me rritjen e tyre, edhe pse më shumë duke u justifikuar se pse kjo rritje nuk kishte ndodhur në 3 mandatet e tij qeverisëse sesa duke ofruar një zgjidhje konkrete.

Të dhënat e INSTAT-it kanë treguar se deri në fund të vitit 2023, rreth 705 mijë shqiptarë ishin pensionistë. Projeksionet tregojnë se numri i pensionistëve pritet të rritet në vitet në vijim dhe rrjedhimisht ata përbëjnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit.

2-Siguria në shkolla

Vrasja e një 14-vjeçari në mes të ditës dhe pranë shkollës së tij e dyshuar që është kryer nga një bashkëmoshatar në kryeqytet, ngriti shqetësime serioze në lidhje me sigurinë e fëmijëve në shkolla. Incidente të ngjashme u përsëritën gjatë muajit në vazhdim (lexo këtu) duke shtuar urgjencën e dhënies përgjigje të këtyre pyetjeve: Çfarë po bëhet me edukimin në Shqipëri, si mund të forcohet siguria në shkolla, a duhet të integrohen më shumë programe edukimi, a duhet forcuar legjislacioni, po rrjetet sociale a duhen shtrënguar kur bëhet fjalë për fëmijë përdorues?

3-Çështjet e SPAK-ut

Duke nisur nga çështja më e fundit që ishte ajo e kontrollit të banesës së kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe fondacionit të gruas së tij (lexo këtu), e deri te një nga dosjet më të forta që ka çuar në një sërë arrestimesh dhe masash sigurie deri më tani, ajo e Suel Çelës (lexo këtu), çështjet që po hetohen nga prokurorët e posaçëm kanë mbetur në hije, pasi e gjithë vëmendja është transferuar tek Parashqevi Simaku.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Irena Beqiraj “Vetëm fanatikët e rrezikshëm refuzojnë të bëjnë kompromis" - ky do të ishte një justifikim i mirë për argumentin e Braçes i cili votoi pro një reforme...
/ Oct 11
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas një investigimi të "The Wall Street Journal", sipas të cilit ajo është mburrur...
/ Oct 11