
Cili është sekreti i një jete të gjatë? Tre motra braziliane, me një moshë të kombinuar prej 316 vitesh, të cilat këtë muaj u njohën nga Guinness si treshja më e vjetër e motrave ende në jetë në botë, mund t’i ndihmojnë shkencëtarët të gjejnë përgjigjen.
Ato janë bërë pjesë e Projektit DNA Longevo, një studim i udhëhequr nga shkencëtarja Mayana Zatz nga Universiteti i São Paulos, i cili synon të zbulojë faktorët biologjikë që ndikojnë në plakjen dhe jetëgjatësinë.
Gjetjet nga rasti i tre motrave mund t’i ndihmojnë shkencëtarët të kuptojnë më mirë pse disa njerëz ruajnë shëndetin fizik dhe aftësitë njohëse edhe në mosha tepër të avancuara.
Studiuesit do të krahasojnë personat 90 dhe mbi 100 vjeç me njerëz që kanë zhvilluar dobësi fizike, rënie të aftësive njohëse ose sëmundje kronike, për të identifikuar tiparet që lidhen me jetëgjatësinë.
“Nëpërmjet analizave të ADN-së, ne kërkojmë gjenet mbrojtëse dhe e dimë se ka disa të tillë,” tha Mayana Zatz, drejtuese e Qendrës për Kërkimin e Gjenomit Njerëzor në Universitetin e São Paulos. “Sa më shumë njerëz mbi 100 vjeç të studiojmë, veçanërisht familje me disa njëqindvjeçarë, aq më të sakta do të jenë kërkimet tona në identifikimin e këtyre gjeneve.”

Shkencëtarët besojnë se faktorët e trashëguar gjenetikë mund të kenë një rol më të madh se ndikimet mjedisore në ruajtjen e shëndetit dhe aftësive funksionale në moshë të avancuar.
Motrat, Zulina de Deus Nunes (103 vjeç), Zoraide de Deus Mota (104 vjeç) dhe Levita de Deus Nunes (109 vjeç), të cilat jetojnë në Rio de Janeiro, u identifikuan përmes LongeviQuest, një organizatë ndërkombëtare që verifikon rekordet e jetëgjatësisë dhe bashkëpunon me Guinness World Records.
“Kur tre motra arrijnë një moshë të tillë, është e qartë se ekziston një komponent i fortë gjenetik,” tha Ben Meyers, drejtori ekzekutiv i LongeviQuest. “Por, duke qenë se jetojnë pranë njëra-tjetrës, ato kanë edhe një rrjet mbështetës familjar, ku mund të ndihmojnë njëra-tjetrën kur është e nevojshme. Pra, edhe komuniteti luan një rol të rëndësishëm.”
Tre motrat ia atribuojnë jetëgjatësinë e tyre një ushqyerjeje të shëndetshme dhe një stili jetese aktiv.
Zulina kujton se fëmijërinë e kaloi duke notuar dhe peshkuar në lumenj. “Gjithçka ishte e freskët. Nuk kishim frigorifer,” tha ajo.
“Ushqyerja me gji është jashtëzakonisht e rëndësishme,” shtoi Zoraide.

Ky shkrim është pronësi intelektuale e Reuters


