Nga Indrit Vokshi

Kultura lidhet me botën e brendshme të njeriut. Civilizimi lidhet me transformimin e botës së jashtme materiale e të prekshme.

Prej shekujsh shtete të civilizuara janë quajtur ato shtete të cilët ndërtonin ujësjellës, ura, rrugë, ndërtesa, deri edhe banja publike. Përmes kulturës, dijes e vetëdijes së brendshme, njerëzit transformonin botën e jashtme.

Sot Shqipëria është vend i pacivilizuar i ndodhur afër civilizimit. Me urbanistikën kaotike e cila dëshmon mungesën e kulturës së brendshme. Kaosi mendor dhe shpirtëror, mungesa e marrrëdhënies me të bukurën dhe me artin është shpalosur fizikisht e në përmasën e plotë në kaosin në rrugë, në ndërtime e në manaxhimin e fuqive të natyrës.

Ne nuk arrijmë të manaxhojmë lumenjtë e përrenjtë. Nëpër grykëderdhje si në Gotull përballë Ishmit ta zëmë, mbeturinat kanë krijuar republikën e tyre. Ndërsa shqiptarët krenarë që aty përballë ka kaluar Skënderbeu e kanë njohur sovranitetin e republikës së mbeturinave. Me një lehtësi krejt legjitime sikur po kryejnë aktin më të lartë qytetar, mbeturinat derdhen në lumenj e përrenj.

Hajt po pranojmë se populli është i njëjtë kudo. Problemi këtu është se elita politike, e cila supozohet të jetë kulturalisht më lart sesa pjesa tjetër, gjendet në të njejtin nivel (a)kulturor me më ordinerët. Elita politike nuk e ka problem që rrugët, qytetet, lumenjtë, kanalet, përrenjtë dhe pyjet janë të ndotura dhe jashtë çdo kriteri të civilizimit.

Elita politike nuk ka një shqetësim kulturor e të civilizimit. Është elitë e stomakut dhe e ekzibicionit me pasurinë sepse si shkallë e qenies njerëzore këta janë në shkallën e instiktit fizik e fiziologjik e jo në shkallën e shqetësimit mendor, intelektual e kulturor.

Kanali i Hamallajt është thjesht simptoma më e qartë e më përfaqësuese e botës së brendshme të elitës, e cila e sundon Shqipërinë duke marrë votë e legjitimitet prej popullsisë. Elita është treguar edhe e pabesë ndaj popullit dhe e ka gënjyer për çështje të plaçkës. Mirëpo asnjëherë nuk është treguar e pabesë në kuptimin që ta befasojë popullin duke i imponuar kulturë e civilizim. Sepse nuk i mbart vetë.

Lufta kryesore duhet të jetë luftë kulturore dhe për art; sepse transformimi i brendshëm i njeriut përcakton edhe transformimin e jashtëm.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Irena Beqiraj “Vetëm fanatikët e rrezikshëm refuzojnë të bëjnë kompromis" - ky do të ishte një justifikim i mirë për argumentin e Braçes i cili votoi pro një reforme...
/ Oct 12
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas një investigimi të "The Wall Street Journal", sipas të cilit ajo është mburrur...
/ Oct 11