
Përdorimi i fondeve të huaja nga Jared Kushner po diskutohet sërish. Aktivistët ambientalistë i frikësohen faktit se resorti që ai po planifikon të ndërtojë mund të shkatërrojë një ekosistem delikat. Në një nga udhëtimet e tij në Shqipëri në vitet e fundit, Jared Kushner shkoi për hiking përgjatë një bregdeti mesdhetar me duna rëre të paprekura dhe plazhe të rrethuara nga shkëmbinj. Ai e përshkroi atë vend në një intervistë si “magjik” dhe “natyror.” Po ashtu, ai e quajti një “pikturë të jashtëzakonshme” për ëndrrat e tij për zhvillimin e projekteve luksoze. “Është një vend ku njerëzit do të donin të ishin.”- tha Kushneri.
Tani, Kushneri po kërkon të shndërrojë këtë pjesë të Shqipërisë në llojin e kompleksit luksoz për të cilin vjehrri i tij, ish-presidenti Donald Trump, do të krenohej. Ky do të ishte projekti më i madh i Kushner deri tani, duke përdorur një pjesë të fondit të tij privat të kapitalit prej rreth 3 miliardë dollarë, i financuar kryesisht nga investitorë në Arabinë Saudite dhe shtete të tjera të Gjirit, për të sjellë turizmin ndërkombëtar në një zonë që ka ngecur në vend sa i takon zhvillimit për shkak komunizmit dhe viteve të neglizhencës.
Por zhvillimi i planifikuar nga Kushner po përballet me kundërshtime lokale dhe ndërkombëtare për shkak të dëmeve të mundshme mjedisore. Grupet e mbrojtjes së natyrës paralajmërojnë se ndërtimi i vilave dhe dhomave të hotelit mund të shkatërrojë një habitat për pelikanët, flamingot dhe disa specie të kërcënuara dhe të minojë përpjekjet ndërkombëtare për të ruajtur një nga ekosistemet e fundit të egra dhe bregdetare në Mesdhe.
“Kam shqetësime të mëdha.”- tha Ryan Gellert, CEO i kompanisë Patagonia, e cila ka punuar me Shqipërinë për të ruajtur një sistem lumor të egër (e ka fjalën për Vjosën) jo larg vendit të mundshëm të Kushnerit. Në një intervistë, Gellert tha se sistemi i lumenjve mbështetet në një deltë të shëndetshme. “Është një zonë e mrekullueshme, unik në të gjithë Mesdheun. Dhe ideja e zhvillimit të saj, veçanërisht në mungesë të një plani të përgjithshëm, është një ide vërtet e keqe.”

Projekti i propozuar për Zvërnecin nga Affinity Global Development
Është të paktën hera e dytë që Kushneri bashkëpunon me qeveritë në Ballkan që janë miqësore me ish-presidentin, me ndihmën e të paktën një ish-zyrtari të administratës së Trumpit, një praktikë biznesi që shumë demokratë dhe kritikë të tjerë thonë se është një konflikt interesi.
Ish-këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë ka pranuar miliarda nga fondet sovrane të investimeve të vendeve me të cilat ai ka pasur marrëdhënie si zyrtar qeveritar, dhe tani po investon në vende me të cilat vjehrri i tij do të kishte marrëdhënie nëse ri-zgjidhet sërish. Kushneri fiton rreth 40 milion dollarë në tarifa menaxhimi, pavarësisht se çfarë ndodh me investimin, dhe ka mundësi të fitojë shumë më tepër nëse marrëveshjet janë të dobishme, e thënë kjo sipas një letre të fundit nga Kryetari i Komitetit të Financave të Senatit, Ron Wyden, një demokrat nga Oregoni.
Jared Kushneri pranoi në një intervistë me “The Washington Post” se ai po përfiton nga marrëdhëniet e zhvilluara gjatë kohës së tij në qeveri, por ai bëri një dallim midis shitjes së ekspertizës së tij dhe krijimit të një kompanie investimi.
“Shumë njerëz largohen nga qeveria dhe ata në një farë mënyre shesin shërbimet e tyre, e dini në bazë të lidhjeve të tyre. Unë nuk doja ta bëja këtë, kam qenë gjithmonë një investitor”- tha Kushneri.
Kushneri dhe partnerët e tij gjithashtu kundërshtojnë pretendimin se projekti do të shkatërrojë ekosistemin. Asher Abehsera, CEO dhe partner i Affinity Global Development, firmës zhvillimore të Kushnerit, tha se projekti do të përmirësojë zonën dhe jo ta kërcënojë atë. Kushner tha se projekti do të respektojë të gjitha kërkesat mjedisore dhe do të jetë shumë i qëndrueshëm.
Kushneri është ndihmuar nga fakti se Shqipëria po përpiqet të shfrytëzojë fluksin e udhëtimeve që po pasuron Europën Jugore, duke përfshirë dhe vendet e tjera në Ballkan. Shqipëria udhëhiqet nga një kryeministër që kishte kërkuar të punonte ngushtë me Trumpin gjatë mandatit të tij të parë dhe do të kishte një mundësi të dytë nëse Trumpi kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Kryeministri, Edi Rama i përket Partisë Socialiste dhe gjithashtu është takuar disa herë me të dërguarin e atëhershëm të Trumpit për Ballkanin, Richard Grenellin, cili tani punon për kompaninë e Kushnerit për të ndihmuar në zhvillimin e marrëveshjeve në Europën Lindore.
Një resort i Kushnerit në Shqipëri?

Kushneri po planifikon dy zhvillime në Shqipëri, por ai më i diskutuari është në zonën bregdetare të Zvërnecit, një parajsë e izoluar me plazhe dhe shkëmbinj me Detin Adriatik në njërën anë dhe një lagunë nga ana tjetër. Zona është parë prej kohësh si një thesar për investitorët e mundshëm. Ajo gjithashtu ka qenë e paprekshme si një peizazh i mbrojtur, ku një shenjë paralajmëron madje që nuk e lejon as kampingun.
Por qeveria shqiptare kohët e fundit ndryshoi një ligj për të hapur dyert për turizmin e nivelit të lartë, në objekte “5 yje ose më shumë”, në këto zona të mbrojtura. Zyrtarët thonë se është jorealiste të izolohesh nga pjesë potencialisht fitimprurëse të një vendi që po përpiqet të arrijë ekonomikisht pas dekadash izolimi.


Një muaj pas ndryshimit të atij ligji, Kushneri ndau në rrjetet sociale projekte ëndërruese se si mund të transformohej ajo zone. Një seri kompleksesh resortesh ose vilash të këndshme, të ndërtuara nga guri, druri dhe xhami. Pamjet madje përfshinin një avion që fluturonte, pasi në Vlorë pritet të ndërtohet edhe një aeroport.
“Është shumë e vështirë të thuhet jo për zhvillimin ekonomik.”- tha Besjana Guri, një nga themelueset e EcoAlbania, një organizatë joqeveritare mjedisore. Por ajo shtoi se “Shqipëria ka diçka që vendet e tjera nuk e kanë, kështu që duhet ta mbash ashtu dhe të përfitosh prej saj në një mënyrë të ndryshme. Shqipëria ka ende natyrë.”
Përdorimi i fondeve sovrane saudite

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë Jared Kushner dhe Ivanka Trumpi kur mbërritën në Qendrën Globale për Luftimin e Ideologjisë Ekstremiste pak përpara inaugurimit të saj në Riad, Arabi Saudite, më 21 maj 2017.
Kushneri e krijoi kompaninë e tij private të kapitalit, Affinity Partners, menjëherë pasi Trumpi humbi garën e tij për t’u rizgjedhur president – dhe që atëherë kjo kompani ka qenë fokusi i tij kryesor. Ai punësoi ish-zyrtarë të tjerë të Trumpit dhe mori 3 miliardë dollarë fonde, sipas dosjes së Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Shkëmbime të kompanisë, duke përfshirë këtu 2 miliardë dollarë nga fondi i pasurisë sovrane të Arabisë Saudite.
Kjo u mundësua nga Princi i Kurorës Mohammed bin Salman, me të cilin Kushneri kishte bashkëpunuar ngushtë. Siç u raportua fillimisht nga New York Times, katër anëtarë të një paneli prej pesë personash të këshilltarëve të Fondit të Investimeve Publike Saudite fillimisht nuk ishin në favor të sigurimit të parave për Kushnerin, por menjëherë pas atij takimi, princi drejtoi bordin në miratimin e marrëveshjes.
Financimi erdhi pasi një raport i inteligjencës amerikane arriti në përfundimin se princi i kurorës kishte miratuar vrasjen ose kapjen e kolumnistit të Ëashington Post-it, Jamal Khashoggi, i cili u vra në Konsullatën Saudite në Stamboll në vitin 2018. Princi ka mohuar të ketë urdhëruar vrasjen, por ka marrë përgjegjësinë për të, duke thënë se ajo që kishte ndodhur ishte e “gabuar“. Kushneri gjithashtu mori qindra miliona dollarë nga fondet në Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Wydeni vuri në dukje ato burime financimi për të ngritur shqetësimet nëse Kushneri ka shfrytëzuar në mënyrë të pahijshme kohën e tij në Shtëpinë e Bardhë dhe lidhjet me Trumpin. Ai shkroi në letrën e tij se financimi i Kushnerit nga burime kryesisht të huaja “krijon një pamje që investitorët e Affinity nuk janë të motivuar nga interesat komerciale për të kërkuar një kthim nga investimi, por nga konsideratat strategjike të shtetasve të huaj që kërkojnë të derdhin para tek individët amerikanë me lidhje personale me ish-presidentin Trump”.
Don Fox, ish-drejtori i detyrës së Zyrës së Etikës Qeveritare, tha: “Çështja është nëse ai po tregton me zgjuarsinë e tij për biznesin apo me faktin se ai është dhëndri i ish-presidentit i cili mund të jetë përsëri president. A është kjo e paligjshme? Jo. A duket mirë? Jo.”
Kushneri fillimisht sugjeroi se ai do të investonte një sasi të konsiderueshme të parave saudite në Izrael, duke e portretizuar atë si një lloj vazhdimi të rolit të tij të mëparshëm si negociator i Trumpit në Lindjen e Mesme. Në atë rol, Kushneri u zotua se do t’i afronte muslimanët dhe hebrenjtë dhe ndihmoi në negocimin e Marrëveshjes së Abrahamit, e cila normalizoi marrëdhëniet midis Izraelit dhe katër shteteve arabe – një marrëveshje që tani është e tensionuar nga lufta në Rripin e Gazës. Por përveç dy marrëveshjeve të njohura, që përfshijnë një kompani automobilistike dhe një firmë sigurimesh, investimet më të mëdha nuk kanë arritur të realizohen.
Kushneri është fokusuar, në vend të kësaj, në dy vende në Ballkan, Serbinë dhe Shqipërinë, si dhe marrëveshjet në Shtetet e Bashkuara. Në Serbi, kompania e Kushnerit nënshkroi një marrëveshje në maj për të transformuar një kompleks të dikurshëm të mbrojtjes kombëtare, i bombarduar në vitin 1999 nga forcat e NATO-s të udhëhequra nga SHBA-të, në apartamente luksoze, një hotel, zyra dhe dyqane.
Një lojtar kyç në marrëveshjet ballkanike është Grenelli, i cili ka folur publikisht për rolin e tij në lidhjen e Kushnerit me liderët në Serbi dhe Shqipëri. Ai shërbeu më parë si ambasador i SHBA-ve në Gjermani dhe drejtor i inteligjencës kombëtare, përveç punës në Ballkan. Ai përmendet shpesh si sekretar i mundshëm i shtetit nëse Trumpi zgjidhet sërish, që do të thotë se ai mund të ketë të bëjë me zyrtarë të huaj me të cilët po kërkon të çimentojë marrëveshjet tani. Grenelli nuk iu përgjigj një kërkese të Washington Post-it për intervistë.
Marrëveshja për rinovimin e vendit në Beograd ishte e ndjeshme, për shkak të historisë si një objektiv bombardimi i NATO-s, dhe u negociua në fshehtësi. Pas shpalljes së marrëveshjes në maj, ministri serb i ndërtimit, transportit dhe infrastrukturës, Goran Vesiç, tha se Serbia kishte zgjedhur një “kompani me reputacion amerikan” për të kryer punën. Në njoftimin për shtyp thuhej se Affinity Partners kishte marrë një qira 99-vjeçare për tokën. Vendi do të përfshijë gjithashtu një memorial “kushtuar për të gjitha viktimat e agresionit të NATO-s nga viti 1999”, thuhet në njoftim.
Por Kushneri tashmë është përballur me disa reagime. Planet e kompanisë për Serbinë kanë çuar në protesta në rrugë. Dhe pasi ai ndau “imazhe paraprake të dizajnit” në mediat sociale, disa nga njerëzit që jetonin pranë Zvërnecit u befasuan.
“E di që turizmi sjell rritje.”– tha Kostaq Konomi, kryeplaku i fshatit më të afërt. “Por nëse po ndërton diçka të re, po shkatërron gjithashtu diçka.”
Një pronë e brishtë dhe potencialisht fitimprurëse

Lopët kullosin përgjatë shpateve malore
Në Shqipëri, prona ku Kushneri kërkon të ndërtojë vilat luksoze, tani për tani, është tokë e pa-rrethuar, e arritshme në këmbë. Prej aty, përtej një plazhi gjysmë-milje të gjatë, ke disa kodrina. Lopët ushqehen me bar të ashpër. Insektet gumëzhijnë përreth shkurreve. Rrugët e këmbësorëve të çojnë edhe më lart, në një kreshtë të përqafuar nga dielli që, nga njëra anë, bie thikë drejt Adriatikut dhe, nga ana tjetër, zbret butë drejt lagunës. Ky vend quhet Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë.
Dhe është vendi ku Kushneri është përfshirë në një debat të nxehtë në Shqipëri mbi nevojën për ta ruajtur këtë zonë të egër apo për ta zhvilluar. Argumenti për ta ruajtur vjen edhe nga historia e trazuar e Shqipërisë. Deri në vitin 1990, vendi ishte nën kontrollin e diktaturës. Qeveritë e huaja paralajmëruan kundër udhëtimeve në Shqipëri. Ekonomia ishte prapa fqinjëve të Mesdheut. Ndoshta e vetmja përparësi, kur ‘perdja e hekurt’ ra, ishte se Shqipëria u gjet, pothuajse rastësisht, me një pasuri të natyrës së paprekur.


Përcaktimi se sa prej kësaj natyre duhet të ruhet, ka qenë një sfidë kryesore për Ramën, i cili është në pushtet që nga viti 2013. Vitin e kaluar, duke punuar me grupet mjedisore dhe Patagonian, qeveria e Ramës shpalli Vjosën Park Kombëtar, lumi i fundit i egër në Europë. Rama e quajti parkun një “trashëgimi për brezat e ardhshëm.”
Por, Rama gjithashtu ka udhëhequr një zhvillim të shpejtë për turizmin dhe ekonominë e vendit. Qeveria e tij ka ofruar lehtësira tatimore dhe stimuj të tjerë për investitorët. Nën drejtimin e tij, përgjatë bregdetit, ndërtuesit kanë kthyer zona të qeta me pisha apo duna rëre, në hotele, apartamente dhe vila. Kohët e fundit, ndërsa Shqipëria ka fituar një reputacion si destinacion me kosto të ulët, ai ka thënë se vendi ka nevojë gjithashtu për “turizëm të profilit të lartë që tërheq konsumatorë të mëdhenj”.
Rama dhe zyra e tij e shtypit nuk iu përgjigjën kërkesave për koment, shkruan Washington Post. Por në një deklaratë vitin e kaluar, ai tha se “çfarë mund të gjenerojnë 400 jahte është e barabartë me atë që mund të fitohet nga 40,000 vizitorë me kosto të ulët.”
Fillimisht, as Kushneri dhe askush tjetër nga orbita e Trumpit nuk dukeshin partnerë të mundshëm. Para zgjedhjes së Trumpit në 2016-ën, Rama parashikoi në një intervistë se ai do të “dëmtonte” demokracinë globale. Ai tha në një tjetër se retorika e Trumpit kundër myslimanëve ishte duke “e turpëruar Amerikën në sytë e botës”. Por pasi Trumpi u bë president, të dy burrat u takuan të paktën tre herë. Një raport i publikuar në fillim të këtij viti nga Demokratët, i titulluar “Shtëpia e Bardhë për Shitje”, në lidhje me përpjekjet e supozuara të vendeve të huaja për të ndikuar te Trumpi – përfshinte një pjesë të një udhëtimi që Rama bëri në Uashington. Udhëtim gjatë të cilit Rama dhe zyrtarë të tjerë shqiptarë qëndruan në hotelin e Trumpit.
Raporti thoshte se tre partitë kryesore politike të Shqipërisë, përfshirë Partinë Socialiste të Ramës, punësuan lobistë me bazë në SHBA “me lidhje të ngushta me presidentin e atëhershëm Trumpin” për të ndikuar në administratën e tij.

Elton Skendaj, drejtor me origjinë shqiptare i programit të demokracisë dhe qeverisjes në Universitetin e Georgetoën, tha se Rama është “shumë transaksional” dhe në këtë mënyrë një partner i natyrshëm për Trump.
“Kushdo që është në Shtëpinë e Bardhë do të jetë miku më i mirë i Shqipërisë.”– tha Skendaj. “Dhe ata do të bëjnë çmos për ta pritur atë. Njerëzve si Trumpi ose Kushneri, shqiptarët nuk do t’ju thoshin, ‘Oh, nuk mund ta besojmë se po i thyeni të gjitha këto norma demokratike’ ose ‘Ti je i korruptuar’. Këtu ata dinë të punojnë me ju.”
Sondazhet tregojnë se Shqipëria është një nga vendet më pro-amerikane në botë. Dhe qeveria e saj, e parë prej kohësh nga autoritetet perëndimore si e rrënuar nga korrupsioni, i sheh investimet e huaja si një mënyrë për të forcuar besueshmërinë e saj.
Shqipëria u shfaq në ‘radarët’ e Kushner në vitin 2021, kur një mik ia përshkroi Shqipërinë si një destinacion që duhet parë. Kushneri shkoi. Ai u takua me Ramën gjatë atij udhëtimi, tha ai në një intervistë, por nuk diskutoi për ndonjë sipërmarrje të veçantë biznesi. Bumi turistik në Shqipëri mbeti në mendjen e tij, megjithatë, kur u kthye në Shtetet e Bashkuara filloi të mendojë dhe kështu ai dërgoi partnerin e tij të biznesit, Abehseran, për të parë vendin dhe për të zhvilluar idenë për një projekt. Kushneri ka treguar se Rama i tha atij se “nëse mund të zhvilloni diçka shumë speciale, jam mendjehapur.”
Kushneri shkoi përsëri në Shqipëri vitin e kaluar, ku kaloi disa ditë me gruan e tij, Ivankën. Së bashku me Grenellin, ai vizitoi gjithashtu një muze kombëtar me Ramën, sipas fotografive të publikuara në mediat shqiptare. Disa politikanë shqiptarë thanë se Rama ka kohë që e ka ngritur idenë e zhvillimit të ishullit të Sazan. Ajo zonë ka më pak debate për dëmtimin e mjedisit, sepse nuk është zonë e përcaktuar si e mbrojtur.
Me Zvërnecin, Abehsera, partneri i Kushnerit në biznes, tha se mundësia për ta zhvilluar atë u hodh fillimisht nga Kastrati Group, i cili dominon disa industri kryesore në Shqipëri, përfshirë naftën. Abehsera tha se Kastrati Group do të ishte potencialisht “partneri ynë lokal i ndërtimit në terren.” Zyrtarët e Kastrati Group nuk iu përgjigjën një kërkese për intervistë, shkruan Washington Post.
Shqipëria ende nuk ka marrë një propozim zyrtar nga Kushneri për projektin në Zvërnec. Por Kushneri tha se Rama e ka parë personalisht projektin dhe është “shumë, shumë i emocionuar.”
Ambientalistët kundërshtojnë pasi kjo zonë bregdetare është një nga habitatet më të rëndësishme në Evropë, e jashtëzakonshme për diversitetin e saj natyror: Ajo ka dunat e rërës që strehon breshka deti dhe një lagunë që shërben si një strehë për zogjtë e ujit. Një raport i vitit 2021 nga Andrej Sovinc, një ekspert mbi zonat e mbrojtura që punon në emër të Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës, tha se laguna kishte “vlerë të konsiderueshme ruajtjeje në shkallë kombëtare dhe madje globale.”
Zona e planifikuar për zhvillim është vetëm tetë milje në jug të grykës së Vjosës. Aleko Miho, një biolog në Universitetin e Tiranës, thotë se dy vendet janë të lidhura: Lumi ndër shekuj formoi lagunën duke depozituar sedimentet. Në raportin e tij, Sovinci ngriti idenë që laguna gjithashtu të bëhet park kombëtar, një status më i lartë se ai që mban aktualisht. Sovinci kujtoi që zyrtarët shqiptarë, në takime, e quajtën një lëvizje të tillë të panevojshme; zona, përfundimisht, ishte tashmë e mbrojtur.


Aleko Miho, biolog në Universitetin e Tiranës, ka studiuar dhe shkruar për lagunën ku Kushneri planifikon të ndërtojë.
Ambientalistët thonë se qeveria ka një histori të tillë që luan me rregullat. Aeroporti aty pranë, në ndërtim e sipër dhe i planifikuar të hapej vitin e ardhshëm, kishte qenë gjithashtu pjesë e zonës së mbrojtur. Pak përpara nisjes së punimeve të ndërtimit, qeveria rishikoi dhe zvogëloi kufijtë e zonës së mbrojtur. “Është një mbrojtje në letër, por jo në realitet.”- tha Ulrich Eichelmann, themeluesi i organizatës Riverwatch.
Pastaj, në shkurt, ndërsa OJQ-të protestuan jashtë parlamentit, qeveria ndryshoi ligjin mbi zonat e mbrojtura, duke hequr një pengesë të mundshme për planet e Kushnerit. Disa ligjvënës, të cilët folën në kushtet e anonimitetit për të ndarë detaje të legjislacionit, thanë se qeveria nuk e kishte ndryshuar ligjin specifikisht për Kushnerin. Ata thanë se disa politikanë shqiptarë zotërojnë tokë në zonat e mbrojtura dhe do të përfitonin nga ndryshimet. Rama tha në mediat sociale se ky ndryshim ishte pjesë e “rrugës ambicioze të Shqipërisë për zhvillim të qëndrueshëm.”
Ministrja e Shqipërisë për Turizmin dhe Mjedisin, Mirela Kumbaro Furxhi, tha në një intervistë se “gjithë Shqipëria është e hapur për zhvillim.” Ajo tha se “një vend i vogël nuk mund të përballojë të mbrojë sipërfaqe të gjera toke, zyrtarisht më shumë se 21 përqind e territorit të Shqipërisë, për të parandaluar përparimin ekonomik”. Në dekadat e fundit, të rinjtë kanë ikur nga vendi në kërkim të punëve diku tjetër. Shumë nga fshatrat përreth vendeve ku Kushner planifikon ndërtimin e resorteve janë të banuara pothuajse tërësisht nga pensionistë dhe mund të përfitojnë nga një rritje e mundësive për punë.
A mund të bashkëjetojnë një resort dhe një ekosistem?

Plazhet e qeta të Zvërnecit
Projekti i hartuar nga Affinity paraqet një vizion për të ardhmen e kësaj zone. Abehsera tha se disa mijëra njerëz do të kenë vende pune, si në ndërtim ashtu edhe në sektorin e turizmit pranë hoteleve dhe vilave. Ai shtoi se “konsideratat mjedisore janë të mëdha” dhe se cilësia e lagunës mund të përmirësohet, duke shtuar se flamingot dhe pelikanët do të mbrohen.
Joni Vorpsi, 28 vjeç, një ornitolog që punon për Shoqatën për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, ka frikë se kjo nuk do të jetë e mundur. Ndërsa ecte përgjatë lagunës një mëngjes, duke mbajtur tripodin dhe dylbitë e tij, ai përshkroi se çfarë mund të ndodhë në vitet e ardhshme, ndërsa ndalonte për të treguar zogjtë me krahë të zinj dhe flamingot, të mbledhura në një grup prej më shumë se 1,000. Projekti i Kushner, tha Vorpsi, do të thotë vite ndërtimi, rrugë të reja dhe punime infrastrukturore për të siguruar furnizimin me energji, plus rritje të trafikut për aeroportin e Vlorës.
“Nuk mund të bashkëjetojnë.”- tha ai. “Edhe nëse përpiqesh të jesh i kujdesshëm, ka aq shumë shqetësime.”
Ai pranoi se jo të gjithë kujdesen për zogjtë. Por për Joni Vorpsin, ata janë një tregues i një mjedisi të shëndetshëm, i një natyre në ekuilibër. Ata ushqehen me bimët në lagunë, dhe në këmbim, kjo e mbron lagunën nga tharja prej vegjetacionit.


Ka ende disa pengesa që resorti të bëhet realitet, përfshirë në Uashington. Kushneri dhe Ivanka, vajza e Trumpit, të dy kanë thënë se nuk planifikojnë të kthehen në Shtëpinë e Bardhë nëse Trumpi zgjidhet përsëri. Por Kushneri ka lënë një mundësi hapur, duke vënë në dukje në intervista të ndryshme se jeta e tij nuk ka funksionuar gjithmonë siç ka planifikuar, si kur Trump e solli atë në Shtëpinë e Bardhë.
Nëse Kushneri do të kthehej në Shtëpinë e Bardhë, aktivitetet e tij investuese mund të krijonin pamjen e konflikteve të interesit. Si një punonjës i qeverisë, ai do të duhej të publikonte detaje financiare mbi kompaninë e tij private që aktualisht nuk është i detyruar t’i zbulojë.
Kushneri ka penguar përpjekjet e demokratëve që duan të mësojnë më shumë rreth marrëdhënieve të tij financiare. E vetmja gjë që Kushneri është i gatshëm të parashikojë është trajektorja për Shqipërinë. Ai thotë se vendi është “i përgatitur për diçka të veçantë.”
“Çmimet janë të arsyeshme, tha ai. Njerëzit janë miqësorë.” “Koha ime në Shqipëri më bëri me të vërtetë të ndiej se ishte një vend në rritje.”– tha ai.
Artikullin origjinal mund ta lexoni në The Washington Post


