Ndërsa ka dështuar në maksimalizimin e ideve të propagandës, pas informimit të qytetarëve për sasitë e vërteta të dozave që do vijnë për vaksinën Kundër Covid19 (Lexo KËTU për më shumë), kryeministri Edi Rama po luan fort me pistën e Rindërtimit.

Edhe pse në thyerje të plotë të vendimit të KQZ-së për mos bërë fushatë me rindërtimin, sërish e shohim këto ditë duke dhënë çelësa banesash.

Megjithë pamjet propagandistike se po ndërtohen shumë shtëpi, një shkrim i Faktoje.al zbulon se numri i tyre nuk është i madh, aq sa shitet në pamjet që servir Rama. Hulumtimi tregon se u ndërtuan më pak shtëpi se ç’u premtuan (Lexo KËTU për më shumë).

Kryeministri Edi Rama këto ditë është duke testuar disa teza në komunikimin e tij me publikun, në kushte krejtësisht të pabarabarta loje me rivalët e tij politikë; në prepotencën e pushtetit për të dhënë çelësa edhe në shkelje të vendimeve të KQZ-së për lojë të ndershme, edhe pse raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar nxirrte si konkluzion se deri në shtator të vitit të kaluar Rama s’kishte shfrytëzuar as 8% të fondit për të futur në banesa e reja njerëzit që u dëmtuan nga tërmeti (Lexo KËTU për më shumë).

Ashtu siç pritej, duke shmangur krejtësisht llogaridhënien për vendimet marrë para fatkeqësive si tërmeti apo pandemia, mes të cilave punësimi, gjendja ekonomike, taksimi, largimi i mijëra shqiptarëve apo dështimi me hapjen e negociatave, fokusi i Ramës në komunikimin me publikun është kanalizuar te përballimi i situatës, duke dashur të kushtëzojë indirekt publikun në pyetje që mund të ketë. Dëshira e Ramës është që publiku të mendojë vetëm për këto dy kriza; Rindërtimin dhe Pandeminë.

Le t’i rendisim se çfarë tezash po qarkullon Rama së fundmi.

1. “Mandati i tretë më duhet që të vazhdoj Rindërtimin dhe Vaksinimin”. Kjo tezë jep përgjigjen që dëshiron Rama të mendojnë votuesit kur pyesin veten “Po pse t’i jap votën për një mandat të tretë Ramës?!” por rrjedhimisht u jep përgjigje rivalëve që e kanë ngritur këtë pyetje në diskursin publik.

2. “Mandatin e tretë s’do ta kërkoja, po do të kthehesha më në fund në shtëpi për të shlyer borxhet e mëdha që i kam familjes, e sidomos më të voglit nga ne të pestë, nëse nuk do të kishte ende plot gjyshër, prindër e fëmijë që duhen futur të gjithë, deri në fund, në shtëpi e në lagje të reja”, ka thënë Rama.

Përkthimi që dëshiron kryeministri Rama që ne të marrim nga kjo frazë? Unë s’mendoj si rivali im Lulzim Basha për familjen biologjike por në fakt ajo që ai e quan si familje, “familja e madhe socialiste” (ide çuar te publiku edhe nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali) është shoqëruar nga një sërë skandalesh këto 8 vite; ai i Elvis Rroshit, audiopërgjimi për vëllanë e Fatmir Xhafajt, Saimir Tahiri, audiopërgjimet për blerjen e votës etj., etj.

3.Ia dolëm me tërmetin, askush nuk besonte.

4.Ka ende punë për të bërë, s’kam mbaruar akoma.

5.“Vaksinimin e kam siguruar por mua si lider më takon që të marr vendime “personalitetesh””. Kjo tezë meriton një interpretim sepse kryeministri Rama me sa duket dëshiron që të zhvendosë tjetërkund vëmendjen e qytetarëve; që ata të debatojnë për vendimin e padrejtë të Ramës për të zgjedhur se kë do të vaksinojë, njerëzit e thjeshtë apo personalitetet në shkencë, art, etj, ndërkohë që numri i dozave të mbërritura është aq i vogël sa ky diskutim i bie të jetë pa vlerë. Mirëpo nëse qytetarët flasin për vendimin e padrejtë të Ramës, rrjedhimisht merret e mirëqenë që problemin e gjetjes së vaksinave Rama e ka zgjidhur.

6. “Fajin e ka Petrit Vasili dhe Lulzim Basha (jo më Berisha)”. Teza është shoqëruar me një video të hershme të spitaleve, ku kryeministri shfaq ish-ministrin e Shëndetësisë Petrit Vasilin dhe kryedemokratin Lulzim Basha, edhe ky ish-ministër e ish-kryebashkiak. Tanimë është zhvlerësuar teza “Fajin e ka Berisha”. Në dyshim mbetet “Ja iku Rama, po kush do vijë?!”

7. “Unë jam “babai”, pa mua s’keni ku shkoni por s’kam shkop magjik“. Teza është përkthyer në publik me foto të Ramës veshur me të zeza, teksa pretendon të duket madhështor në sytë e publikut me pallton e gjatë kur përpara mban një fëmijë 2-3 vjeç (në shkelje ligjore e etike, foto të cilën kemi vendosur ta publikojmë duke shmangur imazhin e fëmijës). Edhe pse dëshiron që publiku të mendojë se pa të nuk ka ku shkojë, sërish ka shumë punë dhe se vetë Rama nuk është magjistar që t’i zgjidhë të gjitha dhe shpejt. Megjithatë ai është “gomar”, që e çon ngarkesën në destinacion.

8.”Gomari jam unë gjithmonë kuptohet se unë mbaj ngarkesën, marr dhe të sharat, por kam një mirë që jam gomar që e çoj në destinacion ngarkesën gjithmonë pavarësisht se ata që Faik Konica i quan dembelët aktivë të Shqipërisë nuk më lënë rehat asnjë moment, megjithatë jam mësuar dhe me ta dhe ma bëjnë më të lehtë rrugën se më japin më shumë energji dhe më japin më shumë vendosmëri”, ka thënë Rama gjatë këtyre ditëve.

Ato që serviren nga Rama si biseda të thjeshta me qytetarët, teksa pretendon t’i shesë si biseda me qytetarë që vijnë si shkak edhe i natyrës së tij të dashur me njerëzit, në thelb janë të mirëmenduara paraprakisht. Sepse komunikimet me qytetarët nuk kanë qëllim fundor qytetarët me të cilët realizohen por një publik më të gjerë, televiziv dhe të rrjeteve sociale, duke dashur t’i thonë se Rama dhe të tijët janë punëmbaruar. Një tezë hedhur fillimisht nga Erion Veliaj, që me sa duket është sinkronizuar mirë me shefin e tij.

9.”Shqipëria buzëqesh”, “Punë jo gjumë”, “S’ka kohë për pushim”, janë këto sloganet që konkretizojnë qëllimet strategjike në komunikim me publikun.

10.Fasadat, Ishte-Është. Një tezë e vjetër dhe e përdorur me tepri nga Rama, ku jep pamje fasadash të godinave, tezë për të cilën ka marrë kritika të gjata lidhur me sipërfaqjen e ndërhyrjeve, ndërhyrje që janë interpretuar si të mbetura deri te fasada, në shëndetësi e më gjerë.

Nuk dihet se cilat nga këto teza do fuqizojë kryeministri Rama e cilat do lërë mënjanë apo nëse do përdorë strategjinë e busullës së çorientuar: gjithçka, në çdo drejtim dhe në çdo kohë. “Zhurmë, zhurmë…” kanë qenë fjalë të dashura në muzikë për të.

Valmora Gogo është gazetare dhe lektore e Komunikimit dhe e Gazetarisë. Prej 17 vitesh ajo kontribuon në hapësirën mediatike në Shqipëri, duke nisur që prej gazetës Shekulli e deri te mediet online si Newsbomb.al, Shuplaka.al dhe Hashtag.al. Gogo mban gradën “Doktor në Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” dhënë nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. E fokusuar në kërkim dhe kryesisht në politikë, Gogo kujdeset në informimin e saktë të opinionit publik shqiptar.

Leave a Reply

  • (not be published)