Që para se publiku shqiptar të njihej me marrëveshjen e plotë me Italinë për emigrantët, u nis puna për të përballuar breshërinë e kundërshtive në Shqipëri.

Megjithëse qeveria nuk nxori asnjë germë të marrëveshjes konkrete me Italinë, presioni u shtua edhe më shumë pas publikimit të dokumenteve të plota nga Gogo.al, duke e detyruar qeverinë të bënte “transparencë” e ta publikonte në websitin e kryeministrisë.

Që para publikimit të kësaj marrëveshje nga media, Agjencia për Media dhe Informim nisi të lustronte kundërshtitë në opinionin publik shqiptar, duke servirur në pjatë aspektet “pozitive”, si për shembull që kostot do i marrë Italia.

Megjithatë, përkundër debateve për emigrantët me Britaninë e Madhe, projekt që nuk u finalizua dot, janë qarkulluese tashmë në publik disa nga tezat mbrojtëse të vendimit të Ramës.

Teza e parë

Italia do na japë mbështetje për t’u anëtarësuar përfundimisht në BE.

(Nuk dihet sa influente do jetë Italia në vendimin e anëtareve të tjera që nuk e kanë pranuar Shqipërinë në BE, si Franca apo Holanda p.sh)

Teza e dytë

Përfitimi i projekteve me rëndësi nga Italia dhe BE-ja.

(Nuk ka asgjë konkrete të bërë publike, përveç shumës 16.5 milionë euro për operacionin e marrjes së emigrantëve.)

Teza e tretë

Shqiptarët në Itali do përfitojnë pensionet.

(Burime konfidenciale thonë se 500 mijë shqiptarë do përfitojnë pensionet në Itali. Mbetet për t’u parë si dhe kur si dhe a mund të vihen në të njëjtën peshore përfitimet e shqiptarëve në Itali me rrjedhojat e këtij vendimi politik në Shqipëri.)

Teza e katërt

Ky vendim politik sjell punë për të gjithë, rritet ekonomia.

(Edhe pse nuk ka filluar të artikulohet rëndshëm nga eksponentët afër PS-së, kjo tezë ka nisur të hidhet në publik.)

Teza e pestë

Kemi përvojë, mikëpritjen e kemi në gjak. Emigrantët janë njerëz mbi të gjitha.

(Pritja e afganëve është sjellë si shembull edhe nga vetë kryeministri Rama në takimin me kryeministren Meloni në Itali. Tezë që kërkon të revokojë emocionet te shqiptarët, të cilët këtë vendim e morën vesh nga televizionet.)

Disa teza qarkullojnë në publik në kundërshtim të vendimit të Ramës, ndërsa është lajmëruar për protesta kundër këtij operacioni. Nuk dihet megjithatë nëse këto protesta do t’i ngjasojnë atyre kundër armëve kimike.

Teza 1

Rama nuk i pyeti shqiptarët. Duhej referendum.

Teza 2

Nuk kemi kapacitete për të përballuar shërbimet e sigurisë, shëndetësisë…

Teza 3

Turizmi në Shëngjin merr fund.

Teza 4

Krizën e emigrantëve nuk e zgjidh dot Italia dhe Bashkimi Europian, jo më Shqipëria.

Teza 5

Marrëveshjen nuk e pranon as BE-ja. As ligjet ndërkombëtare.

Teza 6

Vritet e drejta e emigrantëve.

Teza 7

Mendoni se çfarë fluksesh trafiku të paligjshëm mund të prodhojnë këta emigrantë!

Teza 8

Ngritja e një kampi në Gjadër është “bombë me sahat”. Mendoni se çfarë revolte mund të prodhohet atje.

Përtej intervistave që Rama ka dhënë për mediet italiane, pritet edhe një përballje e mundshme e tij me shqiptarët duke përdorur mjetin që kryeministri i një vendi të vogël për të zgjidhur këtë krizë kaq të madhe e ka me aq zell, kutinë e televizorit.

Valmora Gogo është gazetare dhe lektore e Komunikimit dhe e Gazetarisë. Prej 17 vitesh ajo kontribuon në hapësirën mediatike në Shqipëri, duke nisur që prej gazetës Shekulli e deri te mediet online si Newsbomb.al, Shuplaka.al dhe Hashtag.al. Gogo mban gradën “Doktor në Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” dhënë nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. E fokusuar në kërkim dhe kryesisht në politikë, Gogo kujdeset në informimin e saktë të opinionit publik shqiptar.

Leave a Reply

  • (not be published)