
Javët e fundit shumë po flitet për pensionistët. Disa nga politikanët shfaqen me ta duke protestuar e disa të tjerë nëpër takime duke u justifikuar për nivelin e ulët të pensioneve. Pas 3 mandateve qeverisëse kryeministri Edi Rama e ka ndjerë të rëndësishme të zhvillojë një tur takimesh me pensionistët në vend dhe për t’i përfshirë ata në diskutimet dhe planet për Shqipërinë e vitit 2030, që i bie dy mandate të tjera më vonë (në rast se garon dhe i fiton përsëri). Një deklaratë që është bërë dhe burim për gjenerimin e memeve në rrjet.
Në të njëjtën kohë që kryeministri Rama zhvillonte këtë të mërkurë një takim me pensionistët në Durrës, një grup tjetër pensionistësh po protestonin përpara godinës së Kryeministrisë në Tiranë. Kjo është e dyta protestë brenda javës që zhvillohet për pensionet.



Çfarë kërkojnë protestuesit
Protestuesit kanë shprehur pakënaqësi në lidhje me rritjen prej 4.6% në pensione dhe marrin si shembull rritjen e vendeve fqinje me 20% (si Kosova) dhe kërkojnë rritje të pensioneve në kufirin e pagës minimale. “Nuk mund t’u biem më qafë fëmijëve. Çfarë t’i kërkoj djalit unë?! Ka 3 fëmijë. Këta janë kriminelë!”- tha një pensionist. Një tjetër kërkon dhe rishikimin e statusit të minatorit nga qeveria: “Kemi dalë këtu për të drejtat tona. Jam minator i Memaliajt dhe sot marr një pension qesharak. Kërkojmë të drejtat tona për rritjen e pensioneve. I bëjmë thirrje qeverisë të shikojë statutin e minatorëve.”
Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori i cili ishte i vetmi nga politika në këtë protestë, ju ka bërë thirrje pensionistëve të vazhdojnë protestat e tyre dhe të frymëzojnë shoqërinë edhe pse kjo mund të duket paradoksale. “Kjo qeveri i bëri rrogat e deputetëve i bëri 3.5 milionë, dyfishoi rrogat e ministrave, kryeministrit dhe Presidentit. Ju me këtë protestë dhe me ato që të vazhdoni e keni gozhduar Edi Ramën, që nuk ka qenë më shumë në vështirësi se në ato të protestave në vitin 2018. Për ditë ka lëshuar deputetë, ministra, kryetarë bashkie dhe patronazhistë. Ju keni arritur ta shqetësoni Edi Ramën. Mos u ndalni! Vazhdoni frymëzoni një popull të tërë. Është e rrallë në historinë e njerëzimit që pensionistët të bëhen lokomotiva e shoqërisë. Mund të duket paradoksale, por ju jeni shpresa më e madhe që ka Shqipëria sot.”– tha Qori, i cili dha dhe disa shembuj nga rajoni dhe më gjerë për pensionet.
Ai u shpreh se në Itali paga e deputetit është sa 10-fishi i pensionit minimal, ndërsa në Shqipëri paga e deputetit është 41-herë më e lartë. “Në Italinë e zhvilluar, rroga e deputetit është sa 10-fishi i pensionit minimal. A e dini sa është në Shqipëri 41 herë më e lartë se pensioni minimal. Ne kemi një qeveri që thotë se nuk kemi para e s’jemi Gjermania e Zvicra, ne nuk mund të bëheshim nesër si Gjermania e Zvicra, por si vendet e rajonit. Kosova e ka 228 euro pensionin, 340 euro Bosnja, 405 euro Maqedonia, 440 euro Serbia, Mali i zi 450 euro. Si ka mundësi fqinjët tanë kanë pensione disa herë më të larta se ne. Sepse ne kemi një nga qeveritë më të korruptuara dhe të paafta të rajonit dhe të gjithë botës.”– tha Qori, i cili pak ditë më parë u ankua se nuk ftohej dhe deklaratat e tij censuroheshin nga disa televizione të caktuara.

Teza e Ramës – Informaliteti është faji për pensionet e ulëta
Në takimin me pensionistët Rama iu përgjigj akuzave për rritjen e pagave të deputetëve, por jo të pensioneve. “Pse rriten pagat e deputetëve? Pagat për kuvendin janë pagat për Kuvendin. Edhe sikur ta pezullonim fare parlamentin e t’ia merrnim pagat e deputetëve e di sa do të ndikonte? Do ndikonte 30 lekë. Sikur ta pezullonim komplet qeverinë bashkë me deputetët. 30 lekë. Sigurisht që ky është muhabet kot, por ky është thelbi. Çështja nuk është kështu. Taksat janë të fëmijëve, sigurimet shoqërore janë të pensionistëve. Po ju them që 500 milionë është çdo vit gropa që duhet të mbushim për pensionet e 500 milionë është gropa tjetër që duhet të mbushim nga mospagimi i detyrimeve të sigurimeve shëndetësore.”– tha Rama duke ia vënë fajin për këtë informalitetit.
Duke pranuar në njëfarë mënyrë se pensionet janë të ulëta, qeveria e Ramës pretendon se po ndërmerr një sërë hapash dhe një nga këto lufta kundër informalitetit të pagave. Nga i njëjti takim, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe tha se indeksimi i pensioneve vitin e ardhshëm do të bëhet në muajin prill.

Por sa janë pensionet në Shqipëri?
Të dhënat zyrtare nga Eurostat tregojnë se aktualisht një pensionist shqiptar përfiton rreth 2 herë më pak pension se sa fqinjët dhe pagesa mesatare e pensionit në Shqipëri luhatet rreth 131 Euro në muaj. Por kjo është vetëm një pjesë e diskutimit. Ana tjetër është se sa është fuqia reale blerëse e pensionistëve. Sipas një shkrimi të Kapitali.al, në vendet e Ballkanit pensionistët mund të blejnë me pensionin që u paguan qeveria të paktën dy herë më shumë mallra dhe shërbime se sa të moshuarit në Shqipëri.
Në buxhetin e vitit 2025, qeveria ka parashikuar vetëm 1.6 miliardë lekë për indeksimin e pensioneve. Ky fond është 2 herë e gjysmë më i ulët se sa ai që qeveria dha për indeksimin e pensioneve gjatë këtij viti dhe sipas llogarive mjafton vetëm për të indeksuar pensionet me diçka më shumë se 1 për qind. Kjo do të thotë se nëse gjatë këtij viti qeveria i indeksoi pensionet duke i rritur me 500 lekë në muaj, gjatë vitit të ardhshëm rritja do të jetë rreth 200 lekë në muaj.


Zgjidhja e opozitës: Një skemë si e Kosovës
Deputetja Jorida Tabaku e ka konsideruar qesharake rritjen pensioneve, sipas saj me vetëm 20 lekë në ditë. “Pensionet shqiptare nuk arrijnë të mbulojnë as nevojat më themelore të jetesë dhe kjo është një padrejtësi e madhe që po ju bëhet një brezi që ka dhënë gjithçka për këtë vend.”- thotë Tabaku, duke shtuar se dështimi i skemës së pensioneve është drejtpërdrejtë i lidhur me dështimin e ekonomisë së vendit. Deputetja thotë se rritja e detyruar e pagës minimale ka rritur vetëm shpenzimet e biznesit dhe ka detyruar shumë prej tyre të reduktojnë numrin e të punësuarve, duke shtuar papunësinë dhe pasigurinë ekonomike.
Ndërsa këshilltari për çështjet ekonomike në Partinë Demokratike Dorian Teliti, thotë ndonëse se në këto vite “çmimet janë rritur me nga 2-3 herë”, pensionet janë rritur më pak se 30%. Zgjidhja sipas tij është vendosja e minimumit jetik prej 220 eurosh. Shqipëria i ka burimet dhe buxheti i shtetit i ka të gjitha mundësitë financiare për ta fituar betejën me kafshatën e gojës, mjafton të largojmë abuzuesit e taksave tuaja nga karriget qeveritare.”-thotë ai.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i cili ndodhet në arrest shtëpie ka premtuar rritje të pensioneve, nëse vjen në pushtet, gjithashtu duke premtuar një minimum jetik prej rreth 200 eurosh dhe duke marrë si shembull skemën e aplikuar në Kosovë. “Garantoj çdo pensionist se gjatë debatit parlamentar do të bëjmë çdo përpjekje që të vendoset minimumi jetik, me të cilin çdo i moshuar, qoftë edhe ai që nuk ka punuar një ditë të vetme në shtet apo nuk ka paguar sigurime, do të ketë një pension bazë sa minimumi jetik prej 200 eurosh. Të gjithë pensionistët e tjerë, mbi këtë bazë do kenë një rritje 20 përqind të pensionistëve. Ju mund të më pyesni mua ku janë këto para, ku i merr këto fonde, pse e bën këtë premtim? Unë u përgjigjem shumë thjeshtë. Shqipëria ka sot një buxhet për vitin 2025, 2.2 herë më të madh se buxheti i Kosovës. Kosova vendosi dy javë më parë si pension minimal, d.m.th si pension edhe për ata që nuk kanë paguar një ditë sigurime, por nuk mund të lihen në mëshirë të fatit, pra si pension minimal, 120 euro. Ishte 100, e bënë 120 euro. Dhe mbi këtë bazë, pra unë nuk po bëj gjë tjetër, vetëm po zotohem të aplikoj skemën që aplikoi qeveria e Kosovës, dhe mbi këtë bazë një rritje prej 20 përqind në varësi të kontributeve që kanë gjatë jetës së tyre. Kjo është e mundshme 100 përqind.”- tha Berisha pak ditë më parë.
Ndërkohë Ardiatik Lapaj e ka krahasuar indeksimin e fundit të pensioneve si rritje sa me një puro të deputetëve të PS-së. “Çfarë do të bëjmë ne për gjyshërit e këtij vendi, për prindërit tanë? Pension në fshat nën 200 Euro në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë më. Pikë. Nuk i lëmë prindërit të hiqen zvarrë. Për pensionet në qytet, të gjithë ju fiksojeni mirë. Nëse një ditë do ta kemi pushtetin, Pensioni juaj do të rritet minimalisht 100 Euro për 4 vite për secalin nga ju. Që do të thotë nëse e ke 300 do të bëhet 400.”– ka deklaruar Lapaj.
Arlind Qori nga “Lëvizja Bashkë” kërkon një reformim të skemës së pensioneve. Gjithashtu Qori kërkon miratimin e minimumit jetik si standardi i pensionit minimal dhe rritjen e të gjitha pensioneve mbi këtë bazë. Ndërsa Endri Shabani nga “Nisma Thurje” tha në shtator se do të dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese një padi, për zhbërjen e ligjit të pensioneve suplementare të deputetëve: “Këto para duhet t’i shkojnë shqiptarëve që kanë punuar ndershmërisht, e paguhen me pensione qesharake.” Ai tha se qeveria indeksoi pensionet, duke e shitur në mënyrë të turpshme këtë lajm si rritje pensionesh.



