
Në javët e fundit, tematika e pensioneve është kthyer në një çështje të nxehtë në politikën shqiptare, duke u pasqyruar si një nga shqetësimet kryesore dhe tema më e shpeshtë dhe në debatet politike. Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një tur takimesh me pensionistët në vend dhe së fundmi madje ka premtuar dhe një bonus fundviti në vlerën 10-15 mijë lekë dhe një tjetër bonus në pranverë. Në të njëjtën kohë, një grup tjetër pensionistësh ka protestuar përpara godinës së Kryeministrisë, duke shprehur shqetësime për nivelin e ulët të pensioneve. Problemi i pensioneve të ulëta është një problem që ka ekzistuar qëkur Rama erdhi në pushtet në vitin 2013, por vetëm 11 vite më vonë kthehet në vëmendje. Ndaj në të gjithë këtë diskurs ngrihet një pyetje e rëndësishme: Pse tani?
Teza 1 – Zgjedhjet
Ka dy narrativa kryesore që mund të shpjegojnë këtë fokus të ri të politikës në çështjen e pensioneve. E para lidhet me afrimin e zgjedhjeve që pritet të mbahen pikërisht në pranverë, pasi pensionistët përbëjnë një pjesë të madhe të bazës elektorale të Partisë Socialiste, me mbi 500 mijë pensionistë në vend siç ka pranuar dhe vetë kryeministri Edi Rama kur dha lajmin për bonusin: ”Bonusi i trefishtë do të përfitohet këtë fundviti nga më shumë se gjysmë milioni pensionistë, saktësisht 511 mijë ku përveç 400500 gjyshërve e gjysheve, përfshihen dhe 65800 invalidë pune dhe 44 600 përfitues pensionesh si nëna kryefamiljare apo fëmijë jetim. Ndërsa rreth 210 mijë pensionistë të tjerë do të përfitojnë nga bonusi i dyfishtë.” Prandaj pensionistët përbëjnë një grup të rëndësishëm për çdo palë që synon të fitojë besimin e popullit, veçanërisht kur zgjedhjet janë afër.
Teza 2 – Faktorizimi i opozitës së re
Nga ana tjetër, ekziston edhe një narrativë tjetër që ka të bëjë me faktorizimin e opozitës së re. Pas një periudhe ku opozita tradicionale ka qenë në krizë dhe ka patur një mungesë të pjesëmarrjes aktive në Parlament, kryeministri Rama duket se po e përdor çështjen e pensioneve për të krijuar perceptimin se po përballet me një opozitë të re. Në këtë rast, kemi përballë Arlind Qorin dhe partinë e tij “Bashkë”, që e ka ngritur e para shqetësimin e pensioneve dhe ka organizuar protestat para Kryeministrisë. Dhe Rama në njëfarë mënyre i është përgjigjur diskursit të Qorit, duke i kthyer pensionet në çështjen e tij kryesore përpara zgjedhjeve.
Ky zhvillim ka edhe një tjetër kontekst: shqetësimet e Bashkimit Europian lidhur me mungesën e një opozite funksionale në Shqipëri. Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, ka shprehur shqetësimin se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE kërkon angazhim të gjerë dhe pjesëmarrje të opozitës, duke e konsideruar këtë si një pjesë të domosdoshme të reformave thelbësore. “Mungesa e opozitës është vërtet problem. Dhe kjo është diçka që e kam diskutuar disa herë, edhe me disa përfaqësues të opozitës, duke u bërë thirrje që të angazhohen dhe të jenë pjesë e diskutimit, sepse duhet t’i kemi. I kam thënë edhe qeverisë se duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe transparente.”– është shprehur Gonzato pas hapjes së grup-kapitullit të parë të negociatave me BE-në. Tani që jemi në vitet e punës më intensive për integrimin në BE, ky realitet nuk mund të nënvlerësohet as nga faktori ndërkombëtar. Në këtë kontekst, duket se Rama po përpiqet të krijojë perceptimin se tanimë ka një opozitë të re përballë, pra për të treguar para europianëve se ka një rivalitet politik.

Sa pensionistë ka Shqipëria?
Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH) 590,649 persona morën pension pleqërie në vitin 2023. Shqipëria po përjeton një plakje të shpejtë të popullsisë, e cila pasqyrohet në të dhënat e Censit të vitit të kaluar. Mosha mesatare e popullsisë ka arritur në 42.5 vjet, duke u rritur me 7 vite që nga viti 2011, ndërkohë që një në pesë individë (pra 19.7%) është 65 vjeç e lart (lexo këtu për më shumë), një rritje e ndjeshme krahasuar me të dhënat e mëparshme. Faktorët e ndryshimit të strukturës së popullsisë, si ulja e lindjeve dhe migracioni, kanë çuar në rritje të konsiderueshme të pjesës së të moshuarve.
Në vitet në vazhdim, Monitor.al shkruan se numri i pensionistëve parashikohet të rritet me shpejtësi, pasi shumë nga ata që janë lindur në vitet 1950-1960 do të arrijnë në moshë pensioni. Deri në vitin 2050, pritet që një në katër shqiptarë të jetë mbi 65 vjeç, duke arritur një përqindje prej 26.4% të popullsisë. Ky trend i plakjes do të ketë ndikime të mëdha në sistemin e pensioneve dhe shërbimet shëndetësore, duke kërkuar reforma të thella për të përballuar rritjen e numrit të pensionistëve dhe për të garantuar mbështetje adekuate për këtë grup të popullsisë.




