
Reforma Territoriale dhe shkrirja e disa bashkive ka provokuar debate në sallën e parlamentit. Përveç demokratëve, kundër PS-së ka dalë edhe deputeti Erion Braçe. Bashkëkryetari i komisionit të Territoriales Arbjan Mazniku iu kthye Braçes duke i thënë se lidhur me funksionin disa prej tyre e kanë mundësinë, por nuk e bëjnë edhe pse e kanë detyrë. Ai solli si shembull Divjakën, ndërsa Braçe reagoi duke vënë duart në kokë. Maznuku u shpreh: “Zhvillimi i turizmit. Lushnja shpenzon? Po. Nuk shpenzon bashkia për këtë punë. Strehimi social është një politikë që duhet ta bëjë bashkia, nuk e bën. Kujdesi social është, është, zoti Braçe”.
Ai përmendi Entin e Banesave kur tha se ai po i ndihmon bashkitë kur mundet. “Bashkitë e kanë strehimin kompetencë të tyre prej 2000 vjetësh. Dhe kur bashkitë e shohin të arsyeshme dhe të mundshme të merren me strehimin, e kanë detyrë primare të merren. Dhe Lushnja merret, Divjaka nuk merret”.

Lidhur me shërbimet sociale Mazniku tha: “Kujdesi social për të sëmurët është funksion. Lushnja e bën, Divjaka nuk e bën. Është mbështetja e arsimit profesional. Lushnja e bën. Transporti publik, sërish. Të gjitha këto janë funksione të cilat nuk kanë asnjë pengesë, as nga ligji, as nga buxheti. Unë besoj jashtë mase që kryetari i Këshillit Bashkiak të Divjakës do të bëjë gjithçka. E ka të pamundur prej tipologjisë së strukturës ekonomike që ata kanë”. Dhe ne na duhen bashkitë që ndërtojnë këto projekte, që ndërtojnë këto programe, në mënyrë që të shkojmë te Bashkimi Evropian dhe të marrim financimet”, tha Mazniku.

Në foltore kreu i PD-së Sali Berisha ka kundërshtuar Reformën e re Territoriale. Ai akuzoi mazhorancën se nuk po merr parasysh qëndrimet e qytetarëve dhe se ndryshimet do të cënojnë shërbimet dhe investimet në zonat që preken. Berisha denoncoi rastet ku sipas tij ka patur rënie të ndjeshme të investimeve pasi u hoqën disa komuna.
“Po shuani bashkitë me një votë, po i hiqni shqiptarëve shërbimet dhe investimet! Kjo është hakmarrje politike ndaj qytetarëve. Vini këtu në parlament dhe në një akt armiqësor të hapur pohoni se nuk keni detyrim të dëgjoni zërin e qytetarëve për fatin e tyre”, u shpreh ai.“Shkoni në Shëngjergj, shihni, asnjë qindarkë. Shkoni në Krrabë, asnjë qindarkë! Shkoni kudo që hiqen bashkitë dhe komunat, investimet ranë në zero. T’i heqim edhe këto, jashtë çdo lloj kriteri, jashtë çdo lloj standardi”, tha ai.

Ndërsa përmendi vlerat e disa bashkive që PS ka propozuar të shkrihen, Berisha u ndal te ajo e Klosit duke thëë: “Shuani Klosin, një bashki me emër dhe potencial shumë të madh. Potencial të madh mineral, rezerva minerare botërore, potenciale të mëdha ujore, potenciale të mëdha të gjithanshme”, u shpreh Berisha. Sipas tij pas këtyrë lëvizjeve, duhet që krue i qeverisë Edi Rama të japë dorëheqjen: “Faktohet si një armik i vërtetë i shqiptarëve. Të japë dorëheqjen, se i nxin fytyrën kombit”, tha Berisha.

Protestuesit para godinës së kuvendit kanë bërë thirrje për të mos e votuar Reformën Territoriale. Sot ata janë përballur me sulmet policore. Ndaj tyre është hedhur gaz lotsjellës dhe sprai me piper. Sipas “News 24” një person ka patur edhe dëmtime në kokë dhe është dërguar me urgjencë në spital. Protestuesit janë dëgjuar të bëjnë thirrje për të shkrirë qeverinë e jo bashkinë. Gjatë protestës janë hedhur vezë në drejtim të policisë. Zona e kuvendit u mbajt e rrethuar nga një numër i shtuar i forcave policore. Për shkak të tensioneve policia ka shoqëruar 8 persona në komisariatin Nr.1.


