
Tensionohet protesta në Zvërnec. Një protestues është tërhequr zvarrë nga persona që dyshohet të jenë punonjës të Sigurisë. Turma ka kërkuar të largojë gardhin me gjemba të vendosur në vijën bregdetare. Një video tregon si protestuesin e tërheqin për disa metra dhe e fusin në mes të dunave të vogla me rërë.
Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, i pranishëm në këtë tubim, ka reaguar. Ai përmes një videoje ka ngritur zërin kundër forcave të Rendit që kanë heshtur para rastit kur një qytetar merret me forcë nga rojet private të kompanisë që po bën ndërtime në Nartë.
“Kjo është skandaloze, nuk ka ndodhur kurrë që gangsterët të rrëmbejnë një person dhe policia të mos bëjë asgjë. Jemi të revoltuar. Kërkojmë lirimin menjëherë. Gangsterë të veshur me të zeza, polici private kanë rrëmbyer një qytetar të Zvërnecit dhe policia nuk e vendos ujin në zjarr, po mbron gangsterët nga qytetarët” tha Qori.
Policia e Vlorës reagoi duke pranuar se gjatë shoqërimit nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, shtetasit E. S. i cili ka tentuar të prishën gardhin, i janë shkaktuar dëmtime trupore. “Menjëherë kanë ndërhyrë shërbimet e Policisë, të cilat kanë nxjerrë shtetasin E. S. nga ambienti ku mbahej nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë. Më pas, ai është paraqitur në ambientet e DVP Vlorë, ku ka bërë kallëzim ndaj dy punonjësve të kësaj shoqërie”, sqaron policia duke bërë të ditur janë proceduar penalisht të dy punonjësit, shtetasit G. V., 41 vjeç, dhe A. G., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Deklarata e plotë
Më datë 30.05.2026, është zhvilluar një tubim i organizuar nga banorë të fshatit Zvërnec, në vendin e quajtur “Portonovë”, të cilët kundërshtojnë zbatimin e një projekti ndërtimor nga një kompani private.
Policia e Vlorës, pas njoftimit të marrë nga banorët për zhvillimin e këtij tubimi, ka marrë masat e nevojshme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbrojtjen e pronës private.
Gjatë tubimit, situata është përshkallëzuar dhe një grup protestuesish kanë kryer veprime të dhunshme me qëllim prishjen e rrethimit të kantierit të kompanisë.
Në këto rrethana, njëri prej protestuesve, shtetasi E. S., është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit dhe është shoqëruar nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë në ambientin e përcaktuar për rojet.
Gjatë shoqërimit nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, shtetasit E. S. i janë shkaktuar dëmtime trupore.
Menjëherë kanë ndërhyrë shërbimet e Policisë, të cilat kanë nxjerrë shtetasin E. S. nga ambienti ku mbahej nga punonjësit e shoqërisë private të sigurisë. Më pas, ai është paraqitur në ambientet e DVP Vlorë, ku ka bërë kallëzim ndaj dy punonjësve të kësaj shoqërie.
Në vijim të veprimeve procedurale, u proceduan penalisht dy punonjësit e shoqërisë private të sigurisë, konkretisht shtetasit G. V., 41 vjeç, dhe A. G., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.


