
QSUT për herë të parë do ofrojë terapi hormonale për personat transgjinorë, kjo e financuar nga fondet publike. Sipas një udhëzimi të Ministrisë së Shëndetësisë në shërbimin tonë spitalor do sigurohet trajtim për të rriturit dhe adoleshentët nga 16 vjeç, në raste specifike edhe 14 vjeç. Terapia do kryhet me miratimin e familjes pas vlerësimit të mjekut. Urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë është miratuar më 28 prill dhe është firmosur nga zv. ministrja Eugena Tomini. Trajtimi është miratuar përmes një protokolli zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas urdhrit trajtimi do të jetë i aksesueshëm për burrat transgjinorë që kalojnë nga vajzë në burrë përmes hormonit të testosteronit, si dhe për gratë transgjinore që kalojnë nga burrë në grua përmes estrogjenit dhe anti-androgjenëve.


Në urdhër shkruhet: “Koha varet nga pjekuria njohëse e adoleshentit dhe aftësia e tij për të pranuar efektet potencialisht të pakthyeshme të trajtimit. Vlerësimi i kësaj është kompleks dhe kërkon bashkëpunimin e plotë të adoleshentit, familjes së tij dhe ekipit të trajtimit”. Në protokoll sipas “Report TV” përcaktohet terapia dhe ndryshimet e pritshme si trashja e zërit, rritja e qimeve dhe shtimi i masës muskulore te burrat transgjinorë dhe zhvillimi i gjoksit, zbutja e lëkurës dhe reduktimi i qimeve trupore te gratë transgjinore. Para nisjes së kësaj ndërhyrjeje hormonale kërkohet të nënshkruhet “Fleta e pëlqimit të Informuar”, ku sqarohen edhe efektet negative si problemet kardiovaskulare, hipertensioni, çrregullimet metabolike apo komplikacionet tromboembolike apo edhe infertilitetin. Trajtimi i këtyre çështjeve vjen pas kërkesave të përsëritur nga persona të komunitetit LBGTQ+ bënin ndërhyrje në vendet fqinje përmes operacioneve kirurgjikale.

Mjeku Erion Dasho reagon duke shkruar: “Ndërkohë që nga ministrja Sala pritej sigurimi i preparateve për kimioterapi dhe sëmundje të tjera kërcënuese për jetën, papritur merret vendimi që sistemi shëndetësor publik shqiptar të ofrojë preparate për ndryshimin e gjinisë”. Lidhur me lirinë e të drjtën mbi seksualitetin, Dasho është kundër përdorimit të terapisë te fëmijët. “Si mjek, mbështes të drejtën e personave ADULTË për të vendosur mbi seksualitetin e tyre, por as ai mjek, as si qytetar nuk mund të jem dakord që kjo terapi ende kontroverse t’u ofrohet edhe fëmijëve”.
Më tej ai shton: “Së pari, nevojitet urgjentisht transparencë mbi këtë vendim! Nëse është e vërtetë se terapia për ndryshimin e gjinisë do t’u ofrohet edhe fëmijëve, konfirmohet se ministrja Sala, Borati dhe rilindësit janë, as më shumë dhe as më pak, por ekzekutues të agjendave soroiste. E vetmja shpresë për qytetarët shqiptarë mbetet reagimi i vendosur i opozitës dhe pjesës së shëndoshë të opinionit publik për t’iu kundërvënë këtij vendimi thellësisht skandaloz”.


