Fermerë dhe blegtorë nga i gjithë vendi protestuan për rreth katër orë para Ministrisë së Bujqësisë në Tiranë, duke kundërshtuar Skemën e re Kombëtare 2026 dhe duke kërkuar subvencionim të naftës, mbështetje për prodhimin vendas dhe kufizim të importeve të bulmetit. Me pankarta dhe thirrje si “Stop importit të qumështit” dhe “Duam subvencione nafte si jahtet”, ata ngritën shqetësimin për rritjen e kostove dhe mungesën e mbështetjes. Sipas fermerëve, çmimi i lartë i naftës, plehrave kimike dhe inputeve të tjera po e bën të pamundur prodhimin. “Kemi fikur traktorët sepse nuk e përballojmë dot naftën”, u shprehën ata, duke theksuar se subvencionet në Shqipëri janë disa herë më të ulëta krahasuar me vendet e rajonit.

Pas protestës, një përfaqësi prej 10 fermerësh zhvilloi një takim dyorësh me ministrin e Bujqësisë, Andis Salla, dhe ministrin e Financave, Petrit Malaj. Në këtë takim u diskutuan kërkesat kryesore të fermerëve, por pa një zgjidhje konkrete të menjëhershme.

Ministri Salla u ka premtuar se skema e mbështetjes mund të rishikohet në muajin shtator, pas analizimit të rezultateve të gjashtëmujorit të parë. Deri atëherë, fermerët do të kenë mundësinë të përfitojnë nga një rimbursim prej 10% për çdo faturë, ndërsa në bazë të ecurisë së kësaj mase do të vendoset nëse do të rritet më tej mbështetja për sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.

Sa i përket një prej kërkesave kryesore të protestuesve, rikthimit të naftës pa taksa, kjo pikë është refuzuar nga qeveria dhe nuk është pranuar të negociohet. Ministri i Financave ka theksuar se aktualisht aplikohet vetëm një ulje prej 20% e akcizës, por jo heqja e plotë e saj.

Pas përfundimit të takimit, situata u tensionua, duke çuar në përplasje verbale mes fermerëve që kishin qenë në takim dhe atyre që prisnin jashtë. Këta të fundit kundërshtuan ashpër dakordësinë për të pritur deri në shtator, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme. “Duam zgjidhje sot, jo në shtator”, ishte një nga thirrjet kryesore.

Në terren u dëgjuan edhe dëshmi nga protestuesit për vështirësitë ekonomike. Një fermer nga Kavaja tregoi se kishte pasur 15 lopë, por është detyruar t’i shesë për shkak të kostove të larta dhe mungesës së mbështetjes. Probleme të tjera të ngritura ishin mungesa e ujit dhe kanaleve vaditëse, si dhe rritja e çmimeve të shërbimeve bujqësore. Fermerët theksuan gjithashtu se çmimi i qumështit mbetet shumë i ulët, rreth 400–500 lekë të vjetra për litër, ndërkohë që shpenzimet janë shumë më të larta, duke i çuar drejt falimentimit. Disa prej tyre paralajmëruan për përshkallëzim të protestave, përfshirë bllokime rrugësh, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.

Edhe pse skema e re për vitin 2026 parashikon disa lehtësira, si uljen e numrit minimal të krerëve për përfitim dhe rritje të financimit për bagëtitë dhe bletët, fermerët e konsiderojnë atë të pamjaftueshme për të përballuar krizën aktuale.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Gjergj Erebara Banka e Shqipërisë bleu shifrën rekord të 428.5 milionë eurove gjatë muajve prill, maj dhe qershor të këtij viti, një shifër e cila, sipas të gjitha gjasave,...
/ Oct 10
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ndonëse kanë kaluar 36 vite nga rrëzimi i komunizmit, Shqipëria duket se ka ndërruar emërtimin e sistemit politik, por jo përmbajtjen e saj. Kjo shembullzohet me efektet dhe diksursin publik...
/ Oct 10