
Rreth 12 vite më parë, kur jetoja në Gjirokastër, disa ditë pasi kisha publikuar një investigim timin për trafikun e lëndëve narkotike përmes avionëve të vegjël te gazeta RD, një grua u mor personalisht me familjen time.
Ajo më “raportonte” se ime shoqe kishte shkelur marrëveshjen martesore.
Nuk iu përgjigja.
Më shkroi përsëri.
Nuk iu përgjigja.
Më shkroi për herë të tretë.
Atëherë i thashë: “Kush dreqin të ka autorizuar të më raportosh mua? Unë dhe ajo jemi dy njerëz të rritur. Çfarë bëjmë me jetën dhe trupin tonë është, para së gjithash, përgjegjësia jonë, jo e jotja”.
Për mua ishte e qartë: në vend që të përgjigjeshin për investigimin, po përpiqeshin të më tërhiqnin në një skandal familjar. Të më shpërqendronin. Të më bënin të heshtja ose të merresha me “gabimin tim”, sipas versionit të tyre.
Sot, kur dëgjoj gjithë këto histori për një artist, një kompozitor, seks, marrëdhënie intime dhe përgjues në ambiente private, më vjen e njëjta pyetje: Po ne çfarë dreqin kemi për të parë aty?
Dy të rritur kanë bërë seks.
Mirë. Po pastaj?
Nëse ka shkelje ligji, abuzim pushteti apo dikush është dëmtuar, hajde ta diskutojmë, por nëse thjesht po shohim nëpër vrimën e çelësit për të parë kush ia futi kujt, kjo nuk është interes publik.
Është manipulim. Dhe manipulimi është një nga mjetet më efektive për të shpërqendruar opinionin publik nga skandalet e qeverisë.Prandaj, kur një skandal seksual shpërthen papritur, pyetja ime nuk është vetëm: “Çfarë kanë bërë këta të dy?”
Pyetja ime është: “Nga çfarë po na largojnë vëmendjen duke na treguar këtë?”
Manipulimi nuk ka gjithmonë nevojë të të gënjejë, ndonjëherë mjafton të të bëjë të shikosh në drejtimin e gabuar.


