
Prej disa ditësh, tema e pranisë së vajzave të identifikuara si “eskorta” në disa institucione të vuajtjes së dënimit është kthyer në një nga temat më të shfaqura në emisionet televizive dhe portalet online. Nga një çështje me natyrë ligjore dhe administrative, ajo është shndërruar në një debat të përditshëm në prime time, duke u trajtuar si një ngjarje me peshë kombëtare.
Televizionet kryesore, që nga Euronews Albania e deri te Top News, Vizion Plus dhe Report TV , kanë zgjedhur ta vendosin këtë fenomen në qendër të vëmendjes së publikut, përmes emisioneve të ndjekura dhe trajtimesh që shpesh më shumë nxisin kuriozitet sesa analizë.
Normalisht, çështjet që lidhen me etikën, sigurinë brenda institucioneve dhe transparencën janë të rëndësishme për t’u diskutuar. Por pyesim: Pse pikërisht tani ky trajtim masiv dhe pothuaj i njëzëshëm nga mediat?
Ndërkohë që kjo temë dominon ekranet, vendi përballet me zhvillime të rëndësishme që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, si zjarret aktive në zona të mbrojtura, përfshirë Parkun Kombëtar të Lurës, mungesa e ujit në disa qytete në kulmin e verës, rritja e çmimeve për produktet bazë, çështje gjyqësore me interes publik që kalojnë pa vëmendje, si dhe debatet për reformën territoriale dhe shërbimet e munguara në zonat rurale. Madje, kur i kemi akoma të freskëta pajmet e shembjeve të ndërtesave në Theth dhe debatin juridik dhe politik që ato prodhuan.
Gjithashtu, reagimet për mënyrën si po zhvillohen Operacionet “Plazhi i Lirë” apo fushatat e Kryeministrit Rama kundër bizneseve që sipas tij zënë hapësira publike, si dhe masa për ndalimin e tregtimit të bulmetit pa faturë , që prek drejtpërdrejt fermerët e vegjël dhe shitësit ambulantë dhe ngrejnë pyetje legjitime mbi sigurinë ushqimore dhe përfaqësimin e interesave të qytetarëve.
Këto janë vetëm disa nga temat që përbëjnë interes real publik, që prekin përditshmërinë dhe mirëqenien e qytetarëve. Por kur vëmendja mediatike zhvendoset thuajse e tëra tek temat me element ndjeshmërie, lind pyetja: A po pasqyrojnë mediat realisht prioritetet e publikut, apo po ndjekin logjikën e shifrave dhe klikimeve?
Nëse “fenomeni i eskortave” është trajtuar në këtë masë për shkak të bujës apo burimeve të tij “interesante”, atëherë është momenti për një reflektim.


