
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për nxitjen e një debati pikant në rrjetet sociale mbi pyetjet themelore: të zhvillojnë apo jo Call Centerat? A janë ato zgjidhje ë, provizore në afatshkurtër për të kaluar vështirësitë ekonomike apo në thelb sjellin më shumë dëme për zhvillimin e të rinjve shqiptarë në fushat që kanë studiuar e që Shqipërisë i duhen? Siqeca është një i ri i cili tashmë ka dalë nga kjo industri.
Olardi filloi të punojë në call centër në vitin 2012 pas një eksperience jo të mirë gjatë studimeve në Itali. Ai erdhi në Tiranë ku iu bashkua edhe familja nga Patosi pasi babai humbi vendin e punës. “Duke parë tregun e punës dhe mundësitë që kishim m’u desh të bëja një zgjidhje. Atëherë kjo ishte pak a shumë një zgjidhje e detyruar pasi në 2012-ën tregu ishte ai që ishte”.
Interesi për punën në call centër ka rënë. Gazetarja Valmora Gogo, duke iu referuar “Scan TV”, vëren se sektori është përgjysmuar, shifrat janë tkurrur. “Në qoftë se ndoshta në 2023-in (në mos gaboj) ka qenë diku te 19.400 të punësuar dhe diku te mbi 800 subjekte, tani është diku te 10.000. Ndoshta është matur para disa vitesh prapë dhe kjo shifër, po themi të dhënat e fundit është që është thuajse përgjysmuar”.
Duke e njohur nga afër këtë industri Siqeca tha se një nga arsyet mund të jetë fakti se brezat e rinj nuk e flasin aq mirë italishten, ndërsa rajoni e zotëron më mirë anglishten dhe gjermanishten. “Tregu anglishtfolës nuk është shumë i zhvilluar këtu tek ne pasi dihet që ka konkurrencë shumë herë më të madhe në botë dhe kostot janë më të ulëta në vende të tjera. Një tjetër arsye sipas tij është edhe se ka shumë kompania të paregjistruara ku punohet nga shtëpia”.
Olardi tregon se pas punës në kompaninë “Albacall” kaloi në një tjetër ku nga punonjës i thjeshtë, iu ofruan mundësi për t’u ngritur në detyrë duke patur edhe mundësi për trajnime. Atij kjo përvojë i ka vlejtur për të zhvilluar aftësitë menaxheriale. Pas 8 vitesh punë ai u largua nga call centeri. Siqeca thotë se me punën aty shumë njerëz kanë ndërtuar jetën dhe kanë krijuar stabilitet. Ndërsa përmend avantazhet, Gogo i kujton edhe rastet e publikuara nga policia për mashtrime si “Operacioni ghost call” dhe mashtrimi me mbi 50 milionë euro i 2026-ës, goditja në kullat luksoze të Tiranës qëu lidh me investigimin e lejen në janar 2026, mashtrimi 7 milionë eurove i “Blue Energy Call”, “Broker Z” dhe “Global X” në mars 2022”. Gogo sjell në vëmendje edhe një studim që është bërë në Tiranë nga “Together for Life”.
Ajo sqaron se: “Janë kampionuar, janë pyetur diku tek 1.000 të rinj që punonin në call center, ku rreth 32% pra mbi 1/3 ky në mos gaboj është studimi i 2018-ës, thonin se gjatë punës në call center u është shkaktuar stress, probleme me shikimin dhe dëgjimin”. Duke iu referuar 2 autorëve të huaj ajo thotë: “Pashë pastaj nja dy autorë Kastanhera dhe Çambel i 2021-it apo Sharbotel 2008-ës, të cilët thoshin se puna në call center ka një specifikë që menaxhohet çdo sekondë e performancës dhe kjo si duket sjell atë ezaurimin emocional”. Pas kësaj reference Gogo sqaron se është pak a shumë e ngjashme. “Në qoftë se unë e di që jam në test nga ty apo ti e di që unë po të testoj, vetvetiu, trupi, truri mbi të gjitha reagon ndryshe. Po ashtu ka një lloj pamundësie për të balancuar kohën e thirrjes me cilësinë që sjell edhe një lloj tronditje të shëndetit mendor”. Krahas këtyre shembujve ajo shton edhe rastin e shokut akustik.
Olardi u vu para pyetjes së gazetares Gogo se gjatë gjithë kësaj përvoje pune 8-vjeçare në call centër a e ka zbatuar ai mendimin kritik? Ai i përgjigjet duke i aprovuar dhe se kjo i ishte dashur për të sqaruar klientët. “Duhet të jesh i aftë dhe ta kuptosh dhe në të njëjtën kohë pastaj duke përdorur sistemet që ke në dispozicion ta bësh një zgjidhje sepse normalisht ti ke objektiv që ai mos të marrë sërish, sepse po ty do të bjerë ngarkesa.
Ditë më parë Gogo pati një qëndrim në rrjete sociale mbi fenomenin e call centerave në Shqipëri. Në podkast ajo sqaron: “Dua të shpjegoj pak pse unë bëra dhe mbajta atë lloj qëndrimi… Pse unë dola në këtë qëndrim sepse kam rreth 12 vjet si pedagoge. Kjo është kauzë që mua më cingërin zemrën dhe shpirtin sa herë kam përballë studentë që lënë profesionin. Thonë: “O zysh, unë me 500.000 nuk punoj dot te kjo media që po më sugjeron ti sepse unë shkoj në një call center dhe marr 700.000 për gjashtë orë.
Atëherë t’i analizon punën dhe thua: “Unë si pedagoge paskam punuar keq, sepse: 1) nuk i kam dhënë shembullin këtij studenti apo studenteje që profesioni të bën dhe profesioni duhet të jetë pasioni kryesor. Për sa kohë ti si student ke zgjedhur gazetarinë, komunikimin, syno njëherë aty, syno njëherë aty. Natyrisht jo të gjithë ata që do shkollohen do të përfundojnë gazetarë apo videoeditorë apo social media menaxherë. Ti analizon punën dhe thua: “Shiko unë s’kam mundur dot t’i nxis këta studentë që prit se kjo zgjidhje nuk është aq strategjike për profesionin tënd dhe prandaj është mirë që kjo arenë debati këtu kjo studio e vogël të shërbejë që njerëzit të fillojnë të mendojnë në mënyrë kritike për zgjidhjet e tyre strategjike.
Pse? Sepse në momentin që ti zgjedh paranë, dhe komoditetin dhe nuk zgjedh të sakrifikosh qoftë për dy vjet apo tre vjet, çfarë është sakrifica? Sakrifica është shumë e thjeshtë. Nuk ka media në Shqipëri që punon në të zezë. Të gjithë ata që punojnë në media janë të deklaruar në shtet. Pra marrin rroga sigurisht i marrin më të vogla mbase sesa call centerat sepse është lloj tjetër industrie, patjetër media është specifike pra është biznes, por është specifike.
Edhe pse ti si student i gazetarisë, po themi, apo student i inxhinierisë të shkosh atje tek kompania inxhinierike dhe ato dy- tre vjet që ti je në procesin e të mësuarit t’ia dedikosh këtij lloj mësimi që do sjellë nesër një punë, një CV që po ta përmbledhësh do fillojë vetë CV-ja të punojë për ty. Patjetër, sepse natyrisht do të duket që në fillim po paguhesh pak, nuk po merr hakun tënd, po në fakt kur e shikon për dy vjet rritjen, jam e bindur për këtë, është shumëfish më e madhe sesa rritja në një call center.
Po kur e shikon për 10 vjet apo për 15 vjet, po kur e shikon që të rinj edhe në vitet kur po flasim, pra nga 2012 e mbrapa, që nuk e kam pasur mundësinë e zgjedhjes, pra e kanë filluar si punë provizore dhe me kalimin e viteve kanë qenë të detyruar të jetonin aty, pasi ju e dini shumë mirë që kostot e jetës që nga 2012 dhe sot janë në një rritje gati progresive. Pra, imagjinoni, ka qenë e vështirë të dilni nga ky sektor në ato vite. Imagjinoni sot që çmimet e qirave janë goxha më të larta, çmimet e ushqimeve janë goxha më të larta. Karburanti edhe pse euro dikur ishte 1.4 vazhdon nafta të jetë po me 2000 -2300.
Pra unë mendoj se ka shumë të rinj që duan të dalin nga ai lloj sektori, por nuk kanë alternativa. E do ishte shumë mirë që edhe kompanitë vetë edhe shteti vetë domethënë të krijonte një urë të përkohshme ku këta të rinj të mund të kalonin tek profesionet e tyre përkatëse ose te diçka tjetër që ata mund të kontribuojnë. Qoftë me një incentiv financiar të përkohshëm, diku te gjashtë muaj ose një vit do ishte më se e mjaftueshme, pra që ti të kesh mundësi të bësh atë kalimin, po të bësh kalimin dhe mos mos të biesh nga të ardhurat, sepse nuk mund ta përballosh me jetën në Tiranë me me këto paga. Të jemi të jemi realistë. Domethënë bëhet shumë e vështirë, sidomos kur ti je mësuar me një standart të caktuar dhe janë shumë të rrallë ata që pranojnë ta ulin”, tha Gogo.


