
Të dielën e 28 Korrikut, gjatë mbajtjes së Kongresit të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama i habiti të gjithë ata që ishin në sallë, por jo vetëm, kur njoftoi emrat e ministrave të rinj që kishte përzgjedhur.
Madje disa media konsiderojnë se kryeministri ka zgjedhur një qeveri me profil teknik për t’u përgatitur për zgjedhjet, pasi kjo lëvizje vjen në një kohë kur ato janë vitin e ardhshëm.
E ndërkohë kemi të bëjmë me personazhe krejtësisht të panjohur, të cilët vijnë nga disa drejtori duke u vendosur në poste dhe në Ministritë më të rëndësishme, siç janë ajo e Financave, Ministria e Brendshme si dhe Ministria e Mbrojtjes.
Ervin Hoxha do të zëvendësojë Ministrin e Brendshëm Taulant Balla në Ministrinë e Brendshme, Petrit Malaj pritet të marrë postin e Ministrit të Financave duke i zënë vendin Ervin Metës që vetëm pak kohë kishte në këtë detyrë si dhe Pirro Vengu do të jetë Ministri i ri i Mbrojtjes, në vend të Niko Peleshit.

Kush është Ervin Hoxha, Ministri i ri i Brendshëm
Ervin Hoxha që prej nëntorit të vitit 2023 ishte në postin e drejtorit të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. Ai ka lindur në Tiranë, më 13 Tetor të vitit 1974.
Hoxha u arsimua për 4 vite në Turqi, në shkollën Teknike të Përgatitjes së Nënoficerëve, (Teknik Astsubay Hazirlama Okulu). Më pas ai vazhdoi Akademinë e Lartë të Sigurisë (Offizier Schule des Herres) në Dresden të Gjermanisë. Në vitin 2006 përfundoi ciklin universitar në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës.
Arsimin pasuniversitar e përfundoi në Shkollën e Lartë të Policisë Gjermane (Deutsche Hochschule der Polizei), duke fituar titullin M.A në Administrim Publik dhe Menaxhim Policor.
Për më shumë se 20 vite Hoxha ka shërbyer në funksione të ndryshme nga niveli ekzekutues deri në nivelet më të larta te drejtimit në institucione qendrore dhe ligjzbatuese të shtetit shqiptar si: Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë. Gjithashtu ai ka qenë disa herë në postin e drejtuesit ndër vite. Jo vetëm kaq, Hoxha ka drejtuar dhe Departamentin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit. Ai u vendos gjithashtu Shef i Njësisë Kombëtare Europol, Shef i Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol, Drejtor i Policisë Rrugore, Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, Drejtor i Hetimit Tatimor dhe Pastrimit të Parave, Zv. Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, si edhe Drejtor Kabineti dhe Këshilltar i disa funksionarëve të lartë të shtetit shqiptar.
Dhe në fund, në nëntor 2023 u emërua në krye të IKMT-së. Sipas biografisë së tij tek Shërbimi i Provës, një tjetër institucion që e ka drejtuar, ai gjithashtu është njohës i gjuhëve të huaja në nivele të avancuara: gjuhën turke, gjermane dhe atë angleze.

Kush është Ministri i ri i Financave, Petrit Malaj
Malaj deri tani ka mbajtur postin e drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN). Ai është diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, ku më pas vijuar studimet për Master në “Administrim Biznesi” në Universitetin Wisconsin, në SHBA.
Ai është kualifikuar për “Bankë dhe Financë” në Universitetin Georgetown, SHBA dhe më pas ka ndjekur një program kualifikimi për Drejtimin e Tregut të Kapitaleve, të Ministrisë Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim të Gjermanisë.
Përvoja e tij e punës ka nisur në sistemin bankar në Shqipëri dhe më pas është angazhuar si Drejtor Ekzekutiv në kompaninë “BDO Albania” dhe pjesë e BDO International.

Kush është Ministri i ri i Mbrojtjes, Pirro Vengu
Ndryshe nga dy ministrat e tjerë të rinj, Pirro Vengu është disi më i njohur për publikun për shkak të posteve që ka mbajtur gjatë qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.
Konkretisht, për shkak se ka që prej vitit 2019 në drejtim të Portit të Durrësit, një institucion në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të drejtuar nga Belinda Balluku.
Më përpara, ai gjithashtu ka qenë shef i kabinetit në Ministrinë e Jashtme gjatë qeverisjes Rama, në vitet 2013-2017, në kohën kur kjo ministri drejtohej nga Ditmir Bushati. Vengu ka mbajtur gjithashtu postin e Drejtorit të Antikorrupsionit në Kryeministri nga viti 2017 në 2019-ën.
Ajo që të tre ministrat e rinj kanë të përbashkët është se nuk janë figura të larta politike brenda Partisë Socialiste, siç ishin ministrat që zëvendësuan: Balla e Peleshi.


