
Përgjatë një muaji debati dhe shqetësimi kryesor në tryezat mediatike dhe politike ka qenë edukimi i brezave të rinj, që nisi pas ngjarjes tragjike të vrasjes së një fëmije 14-vjeçar pranë shkollës së tij në Tiranë, për të cilin kryeministri Edi Rama ia delegoi fajin “TikTok”-ut. Madje ka hapur diskutime për mbylljen e pjesshme ose të plotë të rrjetit social, pasi sipas tij po “frymëzon sjellje të gabuara” tek fëmijët.
Por sot dy deputetë të Republikës së Shqipërisë kanë degraduar në komunikimin mes tyre kur seanca plenare transmetohej live nëpër televizione dhe video e debatit të tyre u bë viral në rrjete. A duhet luftuar TikTok-u, apo shfaqjet me fjalor linçues të deputetëve të Republikës së Shqipërisë?!
Fillimisht deputetja Ina Zhupa ngriti shqetësimin mbi deklaratën e Erion Braçes në Komisionin e Dezinformimit, që kërkoi hetim mbi dezinformimin mbi rastin e vrasjes së 14-vjeçarit. Zhupa tha se Braçe kërkoi ndjekje penale për gazetarët, por ai e mohoi një gjë të tillë duke thënë se ka kërkuar që autoritetet të hetojnë dezinformimin që ka qëllim të qartë politik. Këtu nisi të devijojë debate në përdorimin e një fjalori linçues mes dy deputetëve, me Braçen që fillimisht e quajti Zhupën “ruse”, i tha mos të hedhë parfum, të presë thonjtë dhe që s’di të shkruajë, lexojë e as nuk dëgjon mirë. Kjo e fundit u revoltua dhe iu kundërpërgjigj po me të njëjtën gjuhë, duke i kujtuar Braçes një shprehje: “o Erion t’u rrittë boja, sa shumë M… të ha goja”. Një moment që revoltoi deputetët socialistë në sallë të cilët u përfshinë në debat dhe me secilën palë që mbronte tjetrën, kryeparlamentarja Elisa Spiropali ndërpreu seancën.
Lexojeni me vëmendje se si nisi dhe si u zhvillua debati mes tyre:
Si nisi debati:
Ina Zhupa: Mediat që nuk ndjekin linjën e qeverisë duan t’i përndjekin. Mbylleni komisionin e dezinformimit. Del kryetari i komisionit dhe thotë të ndiqen penalisht gazetarët. Kam një kërkesë prej jush. Mbyllni komisionin e dezinformimit, këta duan të persekutojnë mediat, se nuk u çojnë ujë qeverisë…
Erion Braçe: Si mundet ta lë pa replikë kur kjo mediat i di rubinet?! Dëgjojeni fjalinë e kryetares së Komisionit të Edukimit dhe Medias. Media që nuk çojnë ujë të qeveria! Uji mbahet o në kanale o në tuba, nuk mbahet në media. Mos u lyej me parfum, pri thonjtë. Kjo është e para. E dyta, në asnjë sekondë, në asnjë moment, të mbledhjes së djeshme të komisionit, të asaj që unë kam thënë para mediave nuk kam kërkuar të hetohet media apo gazetarët. Kam thënë që duhet të hetohet deri në fund krimi, të mbahen përgjegjës të gjithë autorët. Kam kërkuar dhe do vijoj të kërkoj që autoritetet të hetojnë dezinformimin që ka qëllim të qartë politik. Ti je njëra nga ato që duhet të hetohesh për dezinformimin, mbi të gjitha që dezinformon hapur fare në Kuvend. Që ti nuk di të lexosh unë këtë e dimë, por që nuk dëgjon ky është problem tjetër mental. Deklaratat janë publike, merri dëgjoji, zbardhi, nëse s’di të shkruash, ti zbardh unë. Është e qartë që unë se kam thënë atë, që është shumë e qartë që ti mund të dukesh si ruse, por nuk je ruse.
Si precipitoi debati:
Ina Zhupa: Keni një problem të madh me gjatësinë, unë nuk i dëgjoj ata nën 1 e 50 metra, nuk e di kush ta jep të drejtën të më quash ruse se unë nuk ia jap të drejtën vetes të të them ‘kone’ edhe pse të thonë të gjithë. Me thënë të drejtën, kemi një shprehje ne nga anët tona për fëmijët kur futen në çështje të të mëdhenjve, ne u themi “o Erion t’u rrittë boja sa shumë M… të ha goja”. *(edhe deputetja vetë tha vetëm germën e parë). (Spiropali ndërhyn: Nuk është e hijshme kjo) E meriton plotësisht! Keni bërë dje një tryezë dhe lejuat këtu që deputeti Braçe të etiketonte parfumin, gjatësinë, thonjtë dhe ti nuk reagove. Ti që mbajtje dje një fjalim për parfumin. Nuk reagove!
Në rendin e ditës ishte dhe një interpelancë urgjente me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e kërkuar pikërisht nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike për mungesën e sigurisë në shkolla. Interpelanca u shmang, seanca u mbyll.

Deputeti i PD-së Flamur Noka i doli në krah Zhupës për shprehjen e përdorur, duke thënë se fjala e nisur me shkronjën “M” ishte fjala “mizë”
*Shënim: Gogo.al ka zgjedhur të mos e publikojë videon e debatit mes deputetëve, as në websajt dhe as në rrjete për të mos kontribuuar në përhapjen e pamjeve me fjalor linçues


