
Kryeministri Edi Rama ka ndryshuar dukshëm qëndrimin e tij ndaj sistemit të drejtësisë përgjatë më shumë se një dekade në pushtet. Nga një qasje e kujdesshme dhe e distancuar në fillim të mandatit të parë, të dytë dhe pjesën më të madhe të mandatit të tretë, ku theksonte se “nuk është puna ime” të komentojë vendimet gjyqësore, ai është shndërruar në një zë kritik dhe shpesh aktiv ndaj gjykatave dhe prokurorisë, veçanërisht në rastet kur vendimet kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimet politike.
Në fillim, Rama e lidhte heshtjen e tij me nevojën për të forcuar pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, pse jo edhe për të mbrojtur idenë e tij se reforma në drejtësi po prodhonte një sistem të ri të drejtësisë të pakomentueshëm, duke i lënë gjykatat, sipas tij, të funksiononin pa presion politik. Megjithatë, me kalimin e viteve, ai ka ndërhyrë shpesh me qëndrime publike mbi vendime të rëndësishme gjyqësore, ku ka marrë rolin e avokatit të saj duke mbrojtur vendimet dhe deri tek roli i kundërshtuesit të saj.
Një prej rasteve të bujshme ishte ai i Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, i cili u arrestua gjatë fushatës zgjedhore dhe nuk mundi të betohej në detyrë për shkak të një vendimi gjykate. Rama e mbështeti këtë vendim, duke e cilësuar si një “qëndrim të drejtë ligjor” dhe duke theksuar se çështja i përkiste drejtësisë, jo politikës. Por pesha politike e këtij rasti bëri që vendimi në publik të shihej sikur mbronte interesin e njërës palë apo tjetrës.

Saga e “21 janarit“
Një tjetër rast i rëndësishëm, që pa dyshim ka lënë shenjë në jetën politike të Ramës, është ngjarja dhe procesi gjyqësor që pasoi 21 janarin. Vendimin e Gjykatës së Lartë për të rihapur hetimet mbi vrasjen e Aleks Nikës në protestën e vitit 2011, Rama e vlerësoi si një hap drejt drejtësisë për viktimat.
Rasti “Babale“
Në vitin 2024, pas dënimit të deputetit të opozitës Ervin Salianji me një vit burg për “dëshmi të rreme” në çështjen “Babale”, Rama kritikoi ashpër reagimin e opozitës në Kuvend. Protestat dhe aktet e dhunës i quajti një “revoltë kundër vendimit të gjykatës”, duke akuzuar kundërshtarët politikë se po minonin besimin te drejtësia.

Kur Erion Veliaj u arrestua nga SPAK-u më 10 shkurt 2025, Edi Rama shënoi një kthesë qëndrimi në raport me drejtësinë. Më parë ishte përpjekur të qëndronte i heshtur, por tani reagimi i tij ishte i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë. Në një dalje publike përballë “Sy më sy”, ai deklaroi se “të marrësh kryetarin e Tiranës nga detyra për ta futur në qeli pa gjyq” është një episod kaq i rëndësishëm për të mos mbetur pa koment. Ai e cilësoi si të padrejtë në fillim mbajtjen në izolim të kryebashkiakut të Tiranës. Madje qarkulluan edhe disa hipoteza se ai po mendonte të rregullonte disa dispozita të SPAK-ut dhe organeve të reja të drejtësisë, që ai i kishte mbrojtur me gjithë potencialin e tij politik, për të mos i dhënë akses në hetime dhe arrestime pa aktakuzë finale. Por në rast se në “Sy më sy” Rama ishte i tillë, për “DIE ZEIT”, ai e cilësoi arrestimin si një “sukses të reformës në drejtësi”, duke theksuar se për herë të parë një prokuror i pavarur po heton zyrtarë të lartë pa ndikim politik.

Dhe vijmë te rastet më të bujshme kundër gjyqtarëve dhe vetë drejtësisë. Ndër reagimet e tij më të forta spikat rasti i prokurores Elsa Gjeli në Shkodër, e cila e trajtoi si kundërvajtje administrative ndërhyrjen pa leje në një zonë të mbrojtur në Theth. Rama e cilësoi atë si të papërshtatshme, duke akuzuar se kishte “bërë një ese filozofike për pafajësinë e ndërtimit pa leje”. Reagimi i tij shkaktoi një valë debatesh: Prokuroria e Shkodrës mbrojti vendimin, ndërsa Gjeli iu drejtua Këshillit të Lartë të Prokurorisë për mbrojtje institucionale. KLP shmangu shqyrtimin e kërkesës, por Ministria e Drejtësisë nisi një procedim disiplinor ndaj saj. Ky episod u pa si një përplasje e drejtpërdrejtë mes pushtetit politik dhe sistemit të drejtësisë mbi autonominë e magjistratëve. Në këtë rast, Rama jo vetëm që komentoi vendime apo gjyqtaren, por u mundua që ministri i Drejtësisë të thërriste KLP-në për veprime kundër punës së saj, duke e sulmuar publikisht gjyqtaren.

Duket se metamorfoza e retorikës së tij përfundon këtu, dhe me rastin më të fundit ai sulmon hapur. Episodi më i fundit i ndërhyrjes publike të Ramës në një vendim gjyqësor lidhet me çështjen e një pallati pa leje, të konfiskuar dhe të kaluar nën administrimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Kryeministri shpërtheu ndaj gjyqtarit Hazbi Balliu, i cili sipas tij “nuk mori më shumë se 9 minuta kohë për të dalë kundër shtetit dhe për t’i dhënë të drejtë paditësve që ndërtuan një pallat të tërë pa leje”. Rama shtoi se materialet e paraqitura nga institucionet kërkonin shumë më tepër kohë për t’u lexuar, por gjyqtari, sipas tij, as nuk i kishte marrë parasysh, duke arsyetuar se fakti që në një ndërtesë të vjetër të ASHK-së, e dëmtuar nga tërmeti, nuk kishte pasur viktima, mjaftonte për të lejuar vijimin e punës nën “tavanët që binin”, ndërsa pallati pa leje mbetej në pritje.
Ky reagim i fundit konfirmon edhe një herë se Rama, ndonëse dikur deklaronte se vendimet e gjykatës nuk janë “punë e tij”, tashmë nuk heziton të dalë hapur kundër gjyqtarëve kur vendimet prekin çështje të ndjeshme politike, ekonomike apo institucionale. Këto ishin disa nga qëndrimet e Edi Ramës të mbajtura ndër vite për punën e drejtësisë. Nga një gjuhë që me stoicizëm refuzonte të komentonte punën e magjistratëve dhe aktorëve të tjerë të drejtësisë, nga frika se do t’i ngjante, siç thoshte, politikës së vjetër dhe paraardhësve të tij, deri te sulmet frontale kundrejt drejtësisë. Por çfarë mund të konsiderohet kjo – një stazhionim i mburojës së Ramës për drejtësinë, harresë e parimeve për mbrojtjen e saj në publik, cenim i interesave politike apo mungesë kohezioni dhe koherence politike?

Përgjigjen e këtyre pyetjeve nuk e kemi, por ama çfarë mund të themi me siguri është se Rama nuk është një person i thjeshtë që sulmon një institucion, por është pushtet, i cili sulmon një pushtet tjetër atë gjyqësor që në fakt duhet të jetë i pavarur dhe i pacënueshëm nga çdo lloj pushteti tjetër, për të garantuar drejtësi dhe barazi para ligjit për çdo qytetar.


