Në një konferencë të mbajtur këtë të martë për mediat, deputetja Monika Kryemadhi shprehu vendosmërinë për të respektuar masën e vendosur ndaj saj për “detyrim paraqitjeje” pavarësisht rezervave që ka mbi drejtësinë në vend, duke theksuar se do të përballet me akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe mos-deklarimit të të ardhurave. Para gazetarëve, Kryemadhi ndau emocione të forta duke folur për operacionet e fëmijës së saj dhe duke i quajtur akuzat e SPAK-ut për operacione plastike dhe fshehje të të ardhurave si gënjeshtra. Ajo përmendi dhe se operacionet janë paguar nga ajo vetë, duke thënë se ish-bashkëshorti i saj, Ilir Meta, nuk ka blerë vetë as edhe një shishe ujë.

Me lot në sy, kur u ndal në operacionet e fëmijës së saj Kryemadhi iu drejtua kryeministrit Edi Rama, duke pyetur nëse edhe ai i ka deklaruar faturat shëndetësore të djalit të tij kur ai po trajtohej për kancerin: “Të më falë shumë Matilda Makoçi, Gregor Rama dhe Edi Rama. A e ka deklaruar Edi Rama operacionin e fëmijës së vet kur e kishte të sëmurë me kancer, kush e ka paguar, ku e ka bërë dhe si e ka bërë? A e ka hetuar SPAK-u këtë gjë?” Në këtë konferencë, ndryshe nga daljet e saj të mëparshme publike ajo u shfaq pa make-up, ndërsa përsëriti se akuzat se ajo ka kryer operacione plastike nuk janë të vërteta.

Po ashtu, në lidhje me akuzat ndaj nënës së saj, ajo u shpreh se kjo është një përpjekje për të sulmuar familjen e saj, duke theksuar arritjet e saj dhe të familjes në jetën publike dhe politike. Kryemadhi nuk kurseu as kritikat për SPAK-un, duke e quajtur atë si një instrument të Edi Ramës për të intimiduar politikisht kundërshtarët. Ajo foli dhe për terrorin ndaj mjekëve dhe për kërcënimet ndaj personave që lidhen me jetën e saj private apo edhe të atyre me të cilët ka patur marrëdhënie blerje-shitje pronash.

Duke folur për marrëdhënien e saj me Ilir Metën, Kryemadhi zbuloi se ata nuk kanë pasur komunikim për shtatë muaj, megjithatë, ajo theksoi se ndjenjat për të vazhdojnë se ai mbetet babai i fëmijëve të saj. Përfundimisht, Kryemadhi shprehu besimin se do të mbajë një qëndrim të fortë ndaj akuzave dhe se do të luftojë për të vërtetën, duke e cilësuar veten si një njeri që fal, por që nuk harron. Megjithatë ishte një shprehje të cilën ajo e përdori “karma is a bitch”, një mesazh që dukej se po e jepte për rivalët e saj.

Shpenzimet për operacionet e fëmijës: “Ndihem e fyer“

Kryemadhi: Ndihem shumë e fyer që SPAK-u gënjen në deklaratën e tyre kur thotë 106 mijë euro operacione. Të nderuar gazetarë, të nderuar qytetarë, në moshën 6 vjeç fëmija im është operuar dhe mjekët i kanë dhënë 1 javë jetë nëse nuk bëhej ndërhyrja. Ka bërë dhe dy operacione të tjera, një herë në 2013-ën dhe njëherë në 2015-ën, fillimi i 2016-ës, dhe njëherë tjetër është bërë para një viti e gjysmë që është hapur nga maja e fytit dhe deri në fund të barkut.

“Ilir Meta nuk di sa kushton një shishe ujë”

Kryemadhi: Ka bërë dhe Ilir Meta një operacion, shëndetësor, në 2013-ën, që nuk e ka paguar Ilir Meta, e kam paguar unë, në cash, dhe nuk e di Ilir Meta se sa ka kushtuar, dhe për parantezë po ju them se çdo gjë që flitet aty, Ilir Meta nuk ka paguar asnjëherë në jetë të vet as një shishe ujë. Sepse është një personazh, i cili ju e dini shumë mirë që edhe sot po ta pyesësh se sa kushton një shishe uji në dyqan nuk e di. Kam paguar unë çdo gjë dhe çdo transaksion në shkollat e fëmijëve të mi. Kam paguar unë çdo gjë, dritat, ujin. Kam qenë unë ajo që ka marrë dhe rrogën e Ilir Metës në bankë. Ilir Meta është marrë vetëm me politikë. Është marrë me politikë të madhe, liberalizimin e vizave, integrimin europian, reformën në drejtësi… gjithë këto muhabete dhe ja ku jemi sot, që për hir të së vërtetës janë mundime që kanë vajtur kot, se ne vetëm demokraci s’kemi këtu sot.

Me lot në sy, Kryemadhi pyet nëse Rama e ka deklaruar operacionin e djalit të vet

Kryemadhi: Të më falë shumë Matilda Makoçi, Gregor Rama dhe Edi Rama. A e ka deklaruar Edi Rama operacionin e fëmijës së vet kur e kishte të sëmurë me kancer, kush e ka paguar, ku e ka bërë dhe si e ka bërë? A e ka hetuar SPAK-u këtë gjë? A do bëjë deklaratë Altin Dumani, Sotir Kllapi dhe Arben Kraja për hetimin e shërimit të djalit të Edi Ramës? Nxjerr SPAK-u faturën 1 mijë e 800 Euro të heqjes së një lipoma të fëmijës tim?! Nxjerr SPAK-u faturën e heqjes së qafës së mitrës që kisha unë me kancer dhe e thotë si operacion, për t’I dhënë ushqim mediave të Edi Ramës dhe Erion Veliajt për operacione plastike?

Edi Rama dhe Monika Kryemadhi

“Nuk kam bërë asnjë operacion plastik”

Kryemadhi: Nuk kam bërë asnjë operacion plastik se po ta kisha bërë s’do kisha turp ta thoja. Kam bërë një mirëmbajtje të vetes sime si grua, si vajzë, edhe si burrat sepse po të shohësh i heqin burrat vetullat më shumë se sa gratë sot. Pafytyrësia më e madhe e asaj deklarate të djeshme tregon haptazi që kanë qëllim politik. Më vjen keq që kjo gjë kalon cakun e komunikimit normal timin me të gjithë ata që bëhen palë e kësaj farse imorale në marrëdhënie me familjen time.

Kryemadhi flet për akuzat ndaj mamasë së saj

Kryemadhi: Akuzojnë mamanë time se ka blerë një shtëpi 310 mijë euro. Po mo e ka blerë, mamaja ime nuk ka ardhur në Tiranë në 2010, ka ardhur në 1953, ka qenë mjeke, ka qenë 2 mandate ndihmës gjyqtare me Sokol Binajn që sot është anëtar  në Gjykatën e Lartë, ka qenë 13 vjet në zyrë me Valentina Leskajn. Ka qenë kryetare e gruas së Tiranës, Fatmir Xhafaj ishte kryetar i rinisë së Tiranës. Këta të gjithë janë milionerë me biznese, mamaja ime nuk blenka dot një shtëpi?! Mamaja ime ka qenë me biznese, me tatime të paguara. Nuk po merrem me gjërat e tjera politike sepse ekipi i avokatëve do merret me këtë gjë. Unë do merrem politikisht me këtë gjë. Të gjithë duhet të kenë parasysh një gjë, ‘Karma is a Bitch’. Sot i kanë fëmijët e vegjël, por kur t’i kenë 25 vjeç që duan t’i kërkojnë t’i intimidojnë dhe t’i turpërojnë prindit e tyre, do të jenë edhe ata në këtë pozicion. Vetëm se ka një ndryshim, Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta i kanë arritur të gjitha vetë, nuk kanë shitur as shpirtin, as trupin, as mendjen për të qenë xhelatët në dorë të një grupi mafioz dhe kriminal.

Kryemadhi me mamanë e saj

Kryemadhi krahason veten me Gandin dhe Mandelën

Kryemadhi: Patjetër, edhe pse është drejtësia e kastruar e Edi Ramës do ta respektoj masën (detyrim paraqitjeje). Edhe Gandi e respektoi regjimin britanik. Edhe Mandela u fut 23 vjet në burg, por kur doli nga burgu u martua me grua të re. Beteja nuk është te forca, por te argumenti. A ka argument sot qeveria shqiptare për inceneratorin e Tiranës? Se merremi me inceneratorin që nuk ekziston. Po ndërtimi pa leje i 15 ha me miliona m3 dhe e kalon vlerën 400 mln euro, e përkthyer në pallate me klering ku pastrohen paratë e drogës të Dubait, Spanjës…. Çfarë bën SPAK? Bashkon SPAK-u çështjen e Ilir Metës CEZ-DIA me çështjen e Monika Kryemadhit. Pse nuk e zgjidhi 5 vjet çështjen e CEZ-DIA? S’kanë argument, thanë ta fusim brenda Ilir Metën, rrëmbim kriminal. Kur e kërkuan ata Ilir Metën dhe kur iu ka thënë jo? Kush është Ilir Meta që e rrëmbejnë ashtu? Del edhe një motërf*ker atje që e godet në kokë. Harrojnë që Shqipëria është një fshat i vogël dhe të gjithë njihemi. Kush është Policia e Neritan Nallbatit, që na bën ne operacion policesk? Policia e grupit të Shijakut, e vezëve dhe miellit, që kontrollon portin e Durrësit dhe Policinë e Shtetit? Tentova unë të hap gojën për inceneratorin e Tiranës dhe s’u bë asgjë, vazhdojnë paratë e paguhen, mediat paguhen dhe s’bëhet asgjë.

Kryemadhi flet për terror dhe intimidim ndaj mjekut

Kryemadhi: Mjeku kirurg që ka operuar fëmijën tim. E kanë marrë si kriminal në aeroportin e Rinasit, i kanë heq lidhëset, i kanë hequr rripin dhe e kanë trajtuar si një kriminel. Kur ndërkohë SPAK kishte kartelën mjekësore të fëmijës, timin, të gjitha, analizat e mia, vizitat e mia, paptestin. Për ca e marrin mjekun si kriminel, për ta intimiduar? Mjeku kishte numrin e telefonit në kartelë, kishte email. Pse nuk e morën në telefon për t’i thënë që duam një prononcim n ga ju? Pse e bëjnë këtë? Për ta intimiduar. Personin që mamaja i ka blerë shtëpinë, e ka kërkuar dhe e kanë kërcënuar të thotë që mi ka dhënë lekët kesh në dorë. S’mi dha dhënë. Personi që i kam blerë unë shtëpinë, e kanë kërcënuar 3-4 herë, e kaë intimiduar, janë tallur me të. E kanë fut dhe brenda me akuza të tjera për ta frikësuar. U kanë kërkuar të bëjnë deklaratat e rreme. Dhe thonë që po punojnë me metodat amerikane dhe do provokojnë.

Kryemadhi: “Ilir Meta është gjeni politik“

Kryemadhi: Pavarësisht marrëdhënieve personale që kam me të, Ilir Meta është një gjeni politik. Ilir Meta nuk bën gabime politike dhe nuk bën asnjëherë. Ilir Meta është tradhtuar nga bashkëpunëtorët e tij dhe ka të drejtë që edhe nervozohet edhe bëhet agresive.

“7 muaj pa folur me Ilir Metën”

Kryemadhi: Komunikimi im me Ilir Metën prej 7 muajsh është zero, me përjashtim kur me ka ardhur padia për divorc, s’kam më komunikim me të. Për këtë çështje do punojmë të ndarë, për arsye të mbrojtjes se ai ka objektivat e veta, unë di të them se masa e arrestit për Metën është masë arresti që tenton për të zhvilluar më tej konfliktin familjar tonin. Duke pasur parasysh që për gjëra të cilat ata dyshojnë tek unë, duan t’ia vendosin Metës, që s’kanë lidhje fare. Edhe sikur të dua unë ta vizitoj nuk pranon ai. Ku ka arrestim më të madh se sa arrestimi shpirtëror? S’ja uroj asnjërit konfliktin familjar që kam unë, se nuk është konflikt familjar mes dy njerëzve që janë marrë me shkuesi apo interes. Por dy njerëz që janë dashur me njëri tjetrin shumë, kemi bërë shumë për njëri tjetrin, kemi ecur për dore të dy bashkë 33 vjet dhe dëshira ime për të luftuar korrupsionin dhe inceneratorin e Tiranës mesa duket çoi në faturën për të paguar një faturë shumë të madhe të shkatërrimit të familjes sime.

“Dikur mund ta vrisja veten për Metën si Romeo dhe Zhuljeta”

Kryemadhi: Çdo gjë e kam menduar por kurrë divorcin, mund të kisha krim pasioni me Metën, por divorc me Metën nuk e kam menduar kurrë.  E kam dashur dhe e dua. S‘ka rëndësi se ca bën Meta. Ai është babai i fëmijëve të mi, është njeriu që me ka bërë kjo që jam. Më kë lënë të jem e lirë e drejtpërdrejtë, edhe impulsive edhe pse me kosto, por kur një gjë mbaron-mbaron, nuk e mban dot me zor. Nuk është çështja te rikthimi, është çështja tek ajo si ti ndihesh. Jeni të rinj për ta kuptuar këtë gjë, por prioritetet e një gruaje si puna ime janë fëmijët dhe dua t’iu them një gjë që në moshë të re mund ta vrisja veten për Metën si Romeo dhe Zhuljeta, por tani e vras veten vetëm për fëmijët e mi.

Akuzat për përfitimin e një vile në këmbim të favoreve për një biznesmen

Kryemadhi: Nuk është e vërtetë fare. Ky është një mashtrim, ose e ka ngatërruar me vilën e Romana Vlahutinit SPAK-u këtë gjë se vilë aty ka qenë 450 mijë euro që e ka blerë Romana Vlahutin nja 1 milion e gjysmë. E para njëherë për vilën që përmendin ata, po unë kam dashur të marr një vilë pa dijeninë e Ilir Metës, e kam parë, kam shkuar e kam parë, të pandërtuar, e kam menduar sepse kisha shitur shtëpinë tek Blloku dhe do të shkoja të merrja një shtëpi tjetër, për shkak se tek Blloku nuk jetohej, nga zhurmat e të tjera gjëra. Edhe normal jeton kur je i ri 30 vjeç, por kur plakesh dhe s’ke nerva, kap pastaj hanxharin pë rata që bëjnë zhurmë. Shkuam, e kemi parë, ta bëjmë ashtu, ta bëjmë kështu, si mendoni, si të gjithë gratë. Dhe vërtet Ilir Meta nuk ka ditur asgjë. Do ta bëja unë, isha unë ajo që bëja komunikimin. Sepse do bëhej në shkëmbim me dyqanet në pallatin tim, siç është bërë sot shtëpia që kam tek Kodra e Diellit me dyqanet që administron sot apo me ambientet e zyrave që administron sot Syri.net. Dhe ambasadori grek i tha Metës që, do jemi komshi bashkë? Çfarë komshiu, i ka thënë ky? Çfarë shtëpie shkon merr ti pa më pyetur mua? Se kshu s’të pyeste, nuk të falte në këtë drejtim. Dhe nuk e kemi marrë. Dhe më pas kemi marrë shtëpinë tek Kodra e Diellit, ku jetojmë, që përsëri është marrë nëpërmjet shkëmbimit të ambienteve të sipërfaqeve të ndërtimit me shtëpinë ku ne jetojmë. Brenda rregullave dhe ligjeve të caktuara. Përsa i përket personit në fjalë që thonë, në telefon është edhe një mesazh i Vali Bizhgës, që bëhet fjalë për ligjin e Unifikimit të Ligjit të Galerive të minierave. Dhe nuk ka të bëjë fare me një projektligj që ka lidhje me biznesmenin në fjalë. Unë kam qenë anëtare e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese që kanë të bëjnë me telelkomunikacionin, me minierat, me energjin, me bujqësinë. Ka qenë Eduart Shalsi ministër.

“Do fal, por nuk do harroj”

Kryemadhi: I kanë rënë më qafë Monika Kryemadhit. Dhe t’i biesh me qafë Monika Kryemadhit nuk është se është gjynah, sepse s’është ndonjë gjynah për Monika Kryemadhin. Por e kanë bërë Monika Kryemadhin që të mendojë thellë dhe mirë, se si kjo gjë do shkojë në të ardhmen. Dhe sigurisht që unë jam njeri që fal dhe kam harruar, po kam qenë budallaqe që falja dhe harroja. Tani do fal po nuk do harroj, është njerëzore.

LËR NJË KOMENT

Klevi Metaj u përball i vetëm me 6 policë. Rrjeti është dominuar në fotoja e portretit të tij. Qëndresa e e Metajt ka tërhequr vëmendjen e komentuesve. Në protestën e...
/ Oct 13
Nga Ola Xama Të dhënat për numrin e policëve të plagosur apo vlerën e objekteve të dëmtuara në protestë, për herë të parë nuk më bëjnë përshtypje. Personalisht kam pëlqyer...
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
/ Oct 12
Shtëpia e Bardhë kërkoi dorëheqjen e Guilfoyle pasi "The Wall Street Journal" raportoi se ajo i kishte kërkuar 100,000 dollarë një donatori të Trumpit. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Katie...
/ Oct 13