
Disa alarme false për hapjen e negociatave me BE-në e kanë shoqëruar Shqipërinë. Në vitin 2012 Ilir Meta deklaroi në një intervistë për Deutsche Welle se Shqipëria duhet ta kishte marrë kohë më parë statusin e vendit kandidat për në BE dhe për këtë ai bën fajtore klasën politike (ku edhe ai bën pjesë) për mungesën e përgjesigjësisë.
Në fushatën elektorale të 2013, partitë kryesore premtonin marrjen e statutit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave me BE sa më parë. Qeveria e re në 2013 ose Partia Socialiste premtonte që brenda vitit të parë të mandatit, Shqipëria të merrte statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Më 16 tetor të 2013, Komisioneri për zgjerim, Stefan Fule paraqiti progresraportin për Shqipërinë dhe theksoi që KE i rekomandoi Këshillit të BE dhënien e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në union pas plotësimit të pesë kushteve: 1. Implementimi i reformës së adminstratës publike, 2. Pavarësia e sistemit të drejtësisë, 3. Lufta kundër korrupsionit, 4. Lufta kundër krimit të organizuar, dhe 5. Mbrojtja e të drejtave të njeriut.
Në qershor të vitit 2014 BE i dha Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Klasa politike në atë kohë u shpreh shumë optimiste dhe për hapjen e negociatave në një periudhë të afërt. Në një deklaratë të përbashkët të kryeministrave të rajonit në Bruksel, në prill të 2015 Kryeministri Shqiptarë Edi Rama deklaroi, në një intervistë për Balkan Al Jazeera se Shqipëria është gati për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Dhe pret nga Komisioni Europian që vitin e ardhshëm (2016) hapjen e negociatave për anëtarësim.
Alarm fals 1
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në 2016 deklaroi se pas kalimit në parlament të paketës kushtetuese, qeveria pret një rekomandim pozitiv nga Komisioni Europian për hapjen e negociatave. Gjithashtu kryeministri Rama deklaronte se hapja e negociatave është e pashmangshme. Po këtë vit qarkulluan në media lajme të tilla si: “Historike, Shqipëria merr në 9 nëntor rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian”. Por nga ana tjetër zyrtarët e huaj siç është dhe kryetari i komisionit për Çështjet Europiane në Budestagun gjerman, Gunther Krichbaun deklaroi se Shqipëria duhet të zbatojë 7 kushte përveç 5 prioriteteve të caktuara nga komisioni Europian.
Alarm fals 2
Nëse një vit më parë në 2016 flitej që negociatat do hapeshin në 2017, në 2017 politikanët Shqiptarë deklaronin që negociatat do hapen një vit më vonë pra në 2018. Ditmir Bushati shprehej me siguri të plotë që negociatat hapen vitin tjetër dmth 2018. Ndërkohë që kryeministri Edi Rama shprehej që Shqipërisë po i sosej durimi me BE, dhe se qëndrimi i Brukselit ndaj vendit tonë është i padrejtë sa i takon çështjes së hapjes së negociatave.
Alarm fals 3
Ndërkohë që në 2018 kryeministri Edi Rama kërkoi në Bruksel hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Ai deklaroi që vendi ynë nuk po kërkon dhuratë apo ndonjë favor të pamerituar, por kërkon hapjen e negociatave, gjë që sipas tij e meriton. Gjithashtu edhe Taulant Balla deklaroi pas një takimi me një zyrtar gjerman ka marrë siguri nga Gjermania për çeljen e negociatave me BE. Më 17 prill 2018 ambasadorja e BE ne vendin tonë i dorëzoi kryeministrit Edi Rama, rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian për çeljen e negociatave për anëtarësim. Kryeministri Rama menjëherë deklaroi se kjo ishte fitore e Atdheut dhe stacioni i radhës është anëtarësimi në BE. Por mbas rekomandimit pozitiv, BE vendosi të shtynte hapjen e negociatave me një vit dmth në 2019. Mbas këtij vendimi menjëherë klasa politike filloi të hidhte akuza njëra-tjetrës.

Alarm fals 4
Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 2019, Taulant Balla deklaronte që PS, jo vetëm që do hapë negociatat për anëtarësim, edhe Rama do jetë kryeministri që do të marrë datat për anëtarësim në BE. Por në tetor të 2019 Ministria e Jashtme Franceze deklaroi që Shqipëria s’ka kryer të gjitha detyrat, reforma në drejtësi e papërmbushur.
Alarm fals 5
Në muajin dhjetor, Komisioneri për zgjerim në BE Oliver Varheyi, në një deklaratë për shtyp tha që BE duhet të korrigjojë gabimin e tetorit, hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut e mundur në mars 2020. Në raportin e publikuar nga KE në mars të 2020 thuhet që Shqipërisë t’i hapen negociatat. Kushtet shtesë të Gjermanisë për çeljen e negociatave të anëtarësimit:
1. Funksionimi i Gjyktës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese!
2. Miratimi i Reformës Zgjedhore!
3. Zbatimi i Reformës Zgjedhore!
4. Ndjekja penale e gjykatësve dhe e prokurorëve që nuk e kanë kaluar testin e Vettingut!
5. Ndjekja penale e akuzave për shitblerjen e votave!
6. Vënia në punë e Prokurorisë Speciale për luftimin e korrupsionit, “SPAK”!
7. Rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapja dhe ndjekja penale e personave kyç të krimit!
8. Përparime në reformën e Administratës Publike!
9. Sqarimi përfundimtar me vendim të Gjykatës Kushtetuese i ligjshmërisë së Zgjedhjeve Lokale të 30 Qershorit 2019!
Në shkurt të këtij viti kryeministri Rama deklaroi që shteti shqiptar i ka bërë të gjitha detyrat dhe tani i ka mbetur Vendeve të BE të japin një vendim për çeljen e negociatave.
Duke lexuar deklaratat e politikanëve tanë, Shqipëria duhej të kishte hapur negociatat për anëtarësim të paktën 5 herë. Nga të gjitha këto deklaratat kupton që klasa politike në vendin tonë sa herë që ka një lajmë pozitiv nga BE nuk heziton të dali nëpër deklaratë për shtyp të lavdërojë veten apo partitë e tyre.