
Ka goditur fort kësaj here ish-zv.kryeministri në arrati, Arben Ahmetaj. Nëpërmjet akuzave direkte ai ka treguar emrin e Edi Ramës si të përmendur në një përgjimin ambiental te AKSHI që sipas tij është në SPAK. “Ja AKSHI ku është. Ka 8 muaj që investigohet, është bërë një përgjim ambiental që është në SPAK, edhe mund ta zhdukin, por dikush e ka tjetër. Dikush e ka dhe ai dikush më ka garantuar se një kopje e saj është në një kuti. Kanë bërë përgjim ambiental ku është përfshirë familja e kryeministrit tek AKSHI. 43 milionë nëpërmjet prestanomeve.”, rrëfeu Arben Ahmetaj për gazetarin Çim Peka në “Syri TV”.
“I është përmendur emri për shumë, shumë gjëra në atë përgjim ambiental. Nuk janë thashetheme. Dhe që atë ditë, ABS që ka qenë një prestanome e njerëzve të afërt të kryeministrit, prestanome, që ka marrë 43 milionë, që është rritur në mënyrë të papritur, iu këput filli, trak! Pse? Se u thërrit në SPAK dhe deponoi. U thërrit në SPAK dhe deponoi. Çfarë ka thënë në SPAK unë e di. Me siguri edhe kryeministri e di. Deri sa e di unë, sigurisht që e di dhe kryeministri. Këtu janë 43 milionë. Dhe tani është në kontroll të dikujt tjetër. AKSHI është tmerr. Danieli është kërcënuar. Tani ata që e kuptojnë e dinë shumë mirë që të mbylli gojën. Danieli është kërcënuar nga vetë kryeministri që të mbyllë gojën. Le të dalë e të bëjë batuta, jo tha…”, tregoi në intervistë Ahmetaj. Ish-ministri ka përmendur dhe një emër, “Danieli ish- punonjës te ABS” që sipas tij është kërcënuar drejtpërdrejt nga kryeministri Rama.
Në intervistën e gjatë, të cilën mund ta lexoni të plotë KËTU, Ahmetaj nxjerr edhe detaje mbi mënyrën si u kopsitën letrat për Tunelin e Llogarasë dhe si një kompani turke fitoi miliona pa punuar vetë. Ahmetaj denoncon tenderat e dyshimtë, që sipas tij kanë kryer ministrja Belinda Balluku (10 miliard lekë), kryebashkiaku Erion Veliaj (6 miliardë lekë) dhe Shëndetësia (3 miliard lekë) apo “EcoParku”-n.
Teksa Ahmetaj është “zbërthyer”, kryesisht mediat në Shqipëri e kanë censuruar intervistën e tij duke mos transmetuar akuzat e forta publike. Ahmetaj e ka cilësuar “Top Channel”-in si nën drejtimin e ministres Belinda Balluku dhe ka goditur po ashtu edhe Carlo Bollinon. “TCH” që u përmend nga Ahmetaj si një media që drejtohet nga Balluku nuk ka kryer asnjë transmetim të intervistës por po ashtu edhe “Report Tv” i Carlo Bollinos, përmendur nga Ahmetaj në intervistë. Ashtu sikurse edhe media të tjera të rëndësishme si “KlanTV”, “News 24”, apo “Abc News” etj. kanë zgjedhur të mos e transmetojnë intervistën e Ahmetajt. Të pakta janë ato media, të cilat e kanë publikuar intervistën e tij, si “Hashtag.al”, “Tema”, “Ora News”, “Lapsi.al”, “Dosja.al”, “Newsbomb.al” etj.
A ishte kjo një intervistë paralajmëruese për Ramën për një rrëfim edhe më të madh ndaj tij dhe eksponentëve më të fuqishëm brenda Partisë Socialiste? Na mbetet të presim në intervistën e tretë të Arben Ahmetajt nga arratia.
PËRGJIMI AMBJENTAL
Ahmetaj: Më the, fakte, fakte. Do fakte ti. Oborri i kryeministrit.
Peka: Jemi rikthyer…
Ahmetaj: Doni fakte, doni oborrin e familjes së Edi Ramës. Meqë është futur tek familja ime kanë kaluar derën në mënyrë të paligjshme. Shumë e kollajtë është të futesh brenda shtëpisë së një burri, nuk e di sa kollaj është të dalësh. Ja AKSHI ku është. Ka 8 muaj që investigohet, është bërë një përgjim ambiental që është në SPAK, edhe mund ta zhdukin por dikush e ka tjetër. Dikush e ka dhe ai dikush më ka garantuar se një kopje e saj është në një kuti. Kanë bërë përgjim ambiental ku është përfshirë familja e kryeministrit tek AKSHI. 43 milionë nëpërmjet prestanomeve.
Peka: Ka rënë familja e kryeministrit tek AKSHI në përgjim ambiental…
Ahmetaj: I është përmendur emri për shumë, shumë gjëra në atë përgjim ambiental. Nuk janë thashetheme. Dhe që atë ditë, ABS që ka qenë një prestanome e njerëzve të afërt të kryeministrit, prestanome që ka marrë 43 milionë, që është rritur në mënyrë të papritur, iu këput filli, trak! Pse? Se u thërrit në SPAK dhe deponoi. U thërrit në SPAK dhe deponoi. Çfarë ka thënë në SPAK unë e di. Me siguri edhe kryeministri e di. Deri sa e di unë, sigurisht që e di dhe kryeministri. Këtu janë 43 milionë. Dhe tani është në kontroll të dikujt tjetër. AKSHI është tmerr. Danieli është kërcënuar. Tani ata që e kuptojnë e dinë shumë mirë që të mbylli gojën. Danieli është kërcënuar nga vetë kryeministri që të mbyllë gojën. Le të dalë e të bëjë batuta, jo tha…
Peka: Danieli kush është?
Ahmetaj: Një ish-punonjës i ABS-së.
Peka: Është kërcënuar nga kryeministri?
Ahmetaj: Po, drejt për së drejti. Ta thashë edhe njëherë, le të dalë me batuta. Ky i kërkuari, ky derri në pyll, ky pa atdhe.

TUNELI I LLOGARASË
Peka: Të ikim ne nga batutat.
Ahmetaj: E dyta, Tuneli i Llogarasë ëshë një aferë perse, korruptive. D.m.th, një kompani shqiptare shumë dinjitoze ka garuar në tender dhe ka fituar. Ia kanë anuluar. E ka fituar me 140 milionë euro. Pasi janë bërë takime në Ankara, le ta zgjasim këtë punën e batutave se do t’ju them detaje. I është dhënë tenderi një kombinimi turk, i cili sipas…
Peka: Kush i bëri bisedimet në Ankara…
Ahmetaj: Të gjithë i ke me fotografi. Sipas të gjithave analizave që unë i kam bërë bilancit nuk ka sjellë asnjë makineri. Përsëri punën e ka bërë nënkontraktori prestigjioz “Gjoka”. Ama kompania turke, fiton pas taksash, në përllogaritje në referencë të bilanceve kontabël të tyre që unë i kam studiuar me vëmendje, kombinimi turk 32 milionë euro. 32 milionë pa bërë asgjë. Meqë deshët fakte. Meqë më thatë së, dikush thotë që unë nuk kam fakte. Unë nuk jam 007, nuk ka bërë kush deal me mua për 1 milion arsye. Me kë i bën deal i di vetë ai. Le t’i urdhërojë të gjithë gangsterët, kriminelët. E di ça i thotë qeverisë, më gjeni patjetër çfarë ka bërë Ben Ahmetaj. E thotë në mbledhje qeverie, ma thonë njerëzit e tij. Pra, kombinimi turk vetëm ka faturuar fitimin. Zero makineri dhe pajisje, gjithë punën e ka bërë firma shqiptare. Pyetja është pse ia hoqën Gjokës këta, ai e ka bërë gjithë punën. Pse ia hoqën, 140 milionë, pse u shtua e shkoi 190 milionë euro, me kursin e sotëm. Çfarë ka ndodhur në Ankara? Kujt i tregon ky korrupsion në tendera. Ja ku e ke. Do Altin Dumani të ndjekë pllakat?! Iu hoq tenderi Gjokës me presion, i cili ofroi 140 milionë euro. U ritenderua 190 milionë euro me kursin e sotëm dhe një procedurë e parapërgatitur e merr ‘InterkarASL’, kombinim turk. Kombinimi turk nuk ka sjellë asnjë makineri dhe pajisje në Shqipëri. Gjithë punën e ka bërë Gjoka.
Peka: Pra iu dha dikujt me 50 milionë euro më shumë kosto?
Ahmetaj: Po. Dhe punën e bëri i njëjti që e anuluan. Se ai është i specializuar për tunelet.
Peka: Dhe marrëveshja është bërë në Ankara.
Ahmetaj: Po patjetër, le të thonë sa të duan, jo takime zyrtare. Duan ta vazhdojnë bisedën le ta vazhdojnë. Ky Altin Dumani, heroi i fëmijëve të mi, pse nuk merret me gjakderdhjen?!
Peka: Ministrja përgjegjëse për këtë tender, Belinda Balluku? Ishte Belinda Balluku në Turqi kur u bë ky takim.
Ahmetaj: Merrni dhe investigojeni ti dhe Altini. Ti si gazetar e Altini si prokuror. Jooo do futeshin tek unë, ta çojmë në të s’ëmës këtë, se kështu na ka thënë ky burri i madh i shtetit.
Peka: Vazhdojmë…
Ahmetaj: E dini sa paga ka paguar turku? 2 milionë euro paga. Bechtel-i paguante 50 milionë. Imagjino edhe menaxhimin e ka bërë “Gjoka”, këta kanë marrë para ekstra pa bërë gjë. Le ta investigojnë, nuk kanë këllqe ta investigojnë se i del ai që i del, siç u thotë njerëzve; o Zot kudo që ne hapim një dosje, na del ai, për kryeministrin. Dhe nuk ka këllqe ta vazhdojë. E ka thënë, ia them unë Edi Ramës, kështu e ka thënë. Që sa herë hap një dosje i del ti, sipas atij. Ti që ke thënë që thembra e Akilit të korrupsionit janë tek tenderat, që Infrastruktura ka bërë gati 10 miliardë tendera, bashkia 6, shëndetësia 3 miliardë euro tendera dhe Ben Ahmetaj zero. Dhe ky urdhëroka arrestim për mua! Dhe fillojnë njerëzit, që o vëlla po, patjetër që është politike por kështu janë këta. Ou. D.m.th Shqipëria është vari leshtë për këta. E drejta është vari leshtë për këta. Reforma në drejtësi është vari leshtë për këta, sepse këtu kemi “Kim Jongun” që komandon me batuta të gjithë nëntokën dhe mbi tryezë dhe u dashka që të bëjnë një ish-zv.kryeministër “kokë turku” që ta përdorim dhe si statistikë se na duhet suksesi. Ja ku e ka faktin, meqë deshët fakt.

ECOPARKU
Ahmetaj: Arkitektët ndërkombëtarë janë të gjithë të caktuar nga Rama. Të gjithë. Si ka mundësi për shembull, që i kërkohet FSHZH-së, të bëjë tender të kufizuar për godina multifunksionale. Tender i kufizuar për godina multifunksionale, nuk u bë tender i drejpërdrejtë për tërmetin. Çfarë, është paracaktuar tenderi? Unë i lutem Tanit të jetë djalë me integritet, siç ka qenë gjithë kohës dhe të mos i bëjë këto gjëra. Le t’ia kërkojë ky, bashkë me atë tjetrin nga ana tjetër e korridorit.
Peka: Tani kush është?
Ahmetaj: Dritan Agolli i FSHZH-së. Ecoparku ka firmosur vetë, kanë zhdukur një letër që ata kujtojnë se nuk ekziston.
Peka: Ndalojmë tek Ecoparku.
Ahmetaj: Pse nuk e investigon EcoParkun, Dumani? Pse sajon akuza ndaj meje? A nuk i mjaftoi ‘Buka SH.A” që është qesharake?! A nuk i mjaftoi arrestimi im nga punonjësi i vet, Dumanit?! Pse vazhdon e kërkon, kërcënon, e ruajtë Zoti, ta ndihmojë Zoti! Pse vazhdon e kërcënon, çfarë arsye ka? Do shkojë në të s’ëmës! Do të shkoj në të s’ëmës por deri atë ditë unë do të bëj këtë gjënë që bëj, me të gjitha mënyrat e mia ligjore. Është shumë kollaj të kalosh në mënyrë të paligjshme derën e shtepisë së një burri. Nuk e di sa e lehtë është të dalësh po kaq kollaj.
Peka: EcoParku, çfarë ka.
Ahmetaj: “EcoParkun” e ka firmosur vetë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe e ka marrë një kombinim kompanish inceneratorësh. Ndërkohë që një nga njerëzit e familjes ka qenë e punësuar nga personat e inceneratorëve për të bërë arkitektin, për të bërë projektin, përpara se projekti të dilte në tender. Është ky fakt, apo jo?! Unë nuk jam gjarpri që pickon në gji, gjarpri është ai, që nxjerr në pritë. Unë e kam defektin në të qenit i drejpërdrejtë.

INCENERATORI I TIRANËS
Peka: Asnjë garanci nuk janë. Të kthehemi tek thelbi. Është vjedhur tek Tirana, miliona euro. Ju e keni refuzuar e ka shtyrë Rama e Veliaj dhe me këto që po shoh, edhe Belinda Balluku. Kush i mori këto para që janë vjedhur?
Ahmetaj: Nuk e di, nuk është detyra ime. Unë kam kërkuar ndjekjen e parave, këto ndjekin kunatën e Eriolës nga pas.
Peka: I mori Mirel Mërtiri këto para…
Ahmetaj: Çfarë Mireli? Ai është viktimë! Një djalë dikur punëtor, këta e kanë përdorur dhe e kanë eliminuar dhe syrgjynosur. Mos e zini më Mirel Mërtirin, e gjithë historia është një zhvillim i teorisë së konspiracionit se Mërtiri dhe Zoto janë kokat. Kush e ka bërë Tiranën?
Peka: Kush e ka bërë inceneratorin e Tiranës?
Ahmetaj: E ka bërë Edi Rama dhe Erion Veliaj.
Peka: Dhe dëmi ekonomik do të shkojë 700 milionë euro…
Ahmetaj: Do të shkojë nëse nuk ndërpritet sot. Dhe cila është arsyeja që nuk ndiqen paratë?
Peka: Dhe dëmi ekonomik do të shkojë 700 milionë euro nëse nuk ndërpritet sot dhe po thoni se Mirel Mërtiri është viktimë. Inceneratorin e Tiranës e ka bërë Edi Rama dhe Erion Veliaj.
Ahmetaj: Mirel Mërtiri është viktimë. Është përdorur. Mërtiri një djalë punëtor dikur, që ngrihej në orën 5 të mëngjesit, e futën në një rrugë me xm y, z, që do ta themi në detaje tek takimi ynë i tretë. I kanë thënë se, ai maskarai ju ka penguar. Unë nuk kisha fuqi t’i pengoja se nuk merrja dot pjesë në procedurë. Isha në një pozicion që nuk kishte lidhje me procedurën. As nuk isha autoritet kontraktor.
Peka: Por keni refuzuar me një shkresë…
Ahmetaj: Kam refuzuar patjetër. Kam kërkuar që të gjithë rrisqet e një investimi publik të ishin me privatin. U ka pëlqyer apo jo, punë e tyre.
Peka: Ju po thoni se, Mirel Mërtirit i është thënë që ju i keni penguar tek inceneratori i Tiranës…
Ahmetaj: Kur i kanë dërguar diku tjetër, jo në zyrën e të madhit (Edi Rama) por diku tjetër. Ai i kontrollon të gjitha. Madje dhe lutjen për mua, përveçse është pronari i flamurit, atdheut, që unë jam pa atdhe, që unë jam derri në pyll, pra unë isha një derr në pyll. Për këtë dhe mediat shqiptare ishin kazani, se kështu i trajton mediat, si kazani që nga “Top Channel”, tek Carlo. Kryeministri ka thënë me të drejtë, që thembra e Akilit të korrupsionit janë tenderat. Thashë do sjell katër shembuj.
Peka: Ju po thoni shumë gjëra… në cilën zyrën e dërguan Mirel Mërtirin…
Ahmetaj: Nuk e di në çfarë zyre. Le të investigojë Altin Dumani, mos të merret 5 herë, se pas daljes time të intervistës, përveç se bëri akuza familjare, persekutim si çifute, si në 39-40 në Poloni, përveç se bëri persekutim familjar, përtej kufijve ligjor, tani e ka për detyrë të investigojë që të mos ketë gjakderdhje. A ka thënë kryeministri që, thembra e Akilit të korrupsionit janë tenderat. Katër shembuj. Infrastruktura me të gjitha institucionet e varësisë, ka bërë diku tek 10 miliardë euro tendera nga 2019-ta.
MEDIAT
Peka: Miqtë tuaj kanë bërë dëshmi të rreme në SPAK.
Ahmetaj: 100%. Nuk ka vlerë kjo, ua kuptoj hallin, nuk dua unë t’i shoh. As Endrit Habilajn, as Adriatik Doçin, nuk dua t’i shoh keq. Më mirë t’i dhëmbë një dhëmballë se të jenë siç jam unë sot. Që kanë qenë njerëzit e instrumentalizuar me “Top Channel”, kundër meje. Por kush ka hyrë në shtëpinë time, nuk mund të ketë të drejtë të dalë, ashtu siç ka hyrë.
Peka: A mund të ma thuash se, pse gjithë kjo armiqësi e “Top Channel” ndaj jush. Kur them TCH po flasim për median më të kontrolluar nga Edi Rama.
Ahmetaj: Nuk ka armiqësi as Vjollca me mua, as goca e vet që e drejton. Janë dy krijesa në punë të vet. Në njërën anë influenca e inceneratorëve me para, në anën tjetër kontrolli politik nga Rama, kjo dihet publikisht. Kam të regjistruar personin që thotë, që editorialet i bën Belinda Balluku. Erioni nuk ekziston më, shumë rrallë. TCH, aspirimi i lirisë së medias në Shqipëri, të kthehet në një instrument të kryeministrit. Pse, çfarë frike kanë, frikën e financave, të pastrimit të parave, apo të pronësisë? Nuk kanë pse të kenë asnjë frikë nga këto. Zero. Është djersa e babait të tyre të ndjerë.
Peka: Nëse të gjitha këto që ju thoni qëndrojnë, pagesat e inceneratorëve.
Ahmetaj: Si qëndrojnë, nuk i keni parë juve?
Peka: Pse thua nga se duhet të kenë frikë. Nga ato që kanë bërë?
Ahmetaj: Po flasim si TCH, si ndërmarrje. Ka qenë influenca e parave të inceneratorëve që tani kanë dalë me fakte dhe orientimi politik. Ndërkohë, unë prapë e ngre pyetjen. Pse nuk hetohet, ku janë paratë 80 milionë dollarëshe. Ku është 80 milionë dollarëshi? Ku është inceneratori i Tiranës, çfarë ka ndodhur me Bashkinë e Tiranës në aferat e tjera? Ku janë paratë që shkojnë për ‘Tigrat’? Çfarë ka ndodhur me AKSHI-n. Çfarë ndodh me EcoParkun, pse Becketi ka fituar? Çfarë ka ndodhur me tunelin? Ka të tjera sa të duash. Unë e di çfarë pres? Unë pres luftë të re, d.m.th të sajojnë ndonjë çështje qesharake si ‘Buka’. Si ka mundësi që prokurori e merr telefonin dhe ia kthen se ka parë llahtar dhe nuk ka asnjë përgjegjësi? Si ka mundësi? Ku ndodh kjo, në çfarë drejtësie normale ndodh kjo? Si ka mundësi që prokurori i çështjes ‘Buka SH.A’ nuk mori këshillin kombëtar të kontabilistëve dhe t’i thoshte; letër, dua 10 ekspertë të pavarur një ekspertizë, si kjo që kanë bërë ekspertët e pavarur në 2014-2015. Si ka mundësi? Qëllimshmëri e orientuar deri në kërkim mase nga bosi i vet. Hajde t’i rrasim pastrim parash, korrupsion, shpërdorim detyre.
Peka: Për një shikues të pavëmendshëm apo për dikë që e dëgjon për herë të parë këtë intervistë, numri dy i qeverisë, ndoshta njeriu më me influencë…
Ahmetaj: E keni gabim, njeriu me më influencë është ai që shpenzon paratë vëlla, ai që shpenzon paratë, njeriu me më influencë janë ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, ministrja e Shëndetësisë, ajo e Bujqësisë, këta janë njerëz me influencë. Ministri i Financave nuk ka influencë. Ai thotë, hej kurrizi i Shqipërisë nuk mban dot më shumë se 10 lek. Tani kryeministër ja ku janë 10 lekët, ti je njeriu që ke vizionin e Shqipërisë, këta janë njerëzit që zbatojnë vizionin tënd, unë jam gardiani i kërcitjes së damarëve dhe trarëve të vendit. Që të mos bien damarët dhe trarët nuk jap dot më shumë se 10 lek, 10 lekëshin e merr kush. Këta janë njerëzit me influencë, mos i ngatërro gjërat, me informacion shumë, me influencë jo.
…………….
Ahmetaj: Paratë nuk gjenden, por një pyetje kam unë. Kush e ka pasur detyrimin për monitorimin e kontratës, kush ka qenë autoritet kontraktor? Belinda Balluku, a ka ndonjë raport? A ka raport punimesh, a ka raport të ecjes së koncesionit. Është rast që akuzohet për shpërdorim detyre. Minimalisht, ia hedhin pingpongun Erion Veliajt. Jo nuk e ka Veliaj. Erion Veliaj me standardin që përdor SPAK, me emailet që ka dërguar, urdhërim, ky paguan e ky jo, është pronari faktit. Mos të bëjë kështu me kapele bën fushatë. Është pronari faktit i inceneratorit të Tiranës. Kjo tjetra, zv.kryeministrja, ministrja e Infrastrukturës ka pasur detyrë të monitorojë që në 2019. Ka ndonjë raport. Nuk ka. Pse Altin Dumani nuk e shikon këtë. Mos është njeri i kryeministrit, të na thotë ai njëherë. Po nuk na tha ai, nuk bëjmë ne. Për këtë na tha ai, do të shkojë në të s’ëmës. Ka dërguar këshilltarin ai në SPAK, Rama. Nuk është thashethem. Ka dërguar atë dhe ka thënë; djema, kryeministri e do në burg atë. Do ta themi herën e tretë edhe me emër. Pra këto janë faktet. Pastaj turr median. TCH merret me mua, ndërkohë as me AKSHI-n, as me rrugët. Drejtoresha editoriale e TCH është Belinda Balluku, njerëz nga brenda, i kam të regjistruar që më thonë, që po bëhet çfarë thotë Belinda Balluku. E dini çfarë kanë bërë me Ervinin Meten e shkretë?
Peka: Ervin Mete, ministri i Financave, i shkretë.
Ahmetaj: Po. Gruaja e një shoku tim të fëmijërisë, i masakruar, i hequr nga puna pas heqjes time, shkon të ankohet tek ministri i linjës, tek Ervini. Dikush aty spiunon në paradhomë, hap derën dhe i dërgojnë haber kryeministrisë. I jepet urdhër gazetarëve mercenarë, të goditet Ervin Mete. Pas 2-3 ditësh në portalet e paguara dhe të kontrolluara nga Edi Rama, Ervin Mete, njeriu i Arben Ahmetaj. Unë nuk kam njerëz. Kam punuar në Ministrinë e Financave me të njëjtët njerëz që kam punuar edhe në 1992, plus ata që kam gjetur aty. Nuk kam marrë njeri në ministri.
Peka: Më josh pak kjo çështja e medieve. Ju po thoni se Belinda Balluku është tashmë kryeredaktore e TCH? Nuk është më Veliaj?
Ahmetaj: E kanë spostuar Veliajn, ngaqë është forcuar uniteti në parti shumë. Unë kam pasur konflikte me Erion Braçen, konflikte fiskale, ai mendonte për një gjë, unë mendoja ndryshe. Debate, njëherë fitonte ai, njëherë fitoja unë. Si nuk flasin për një gjë. Shikoni se çfarë ka ndodhur. Nuk ka incenerator. Po mirë, t’i bëj unë një pyetje Erion Braçes. Të lutem se nuk ka nevojë të më përgjigjesh se nuk dua të hyj në debat me ty. D.m.th njohja e një njeriu është përgjegjësi. Sa ka njohur Erion Braçe, Fatmir Xhafaj, Edi Rama, që kanë dalë ashtu siç nuk ishin, që ka dashur t’i çojë në të s’ëmës si puna ime. D.m.th i bie që njohja ime me Mirel Mërtirin, nuk ka rëndësi pastaj se kush i bëri procedurat, kush ka vjedhur, ka incenerator apo jo, ku janë paratë, ça 5D-je ka, çfarë IPARD ka, nuk ka rëndësi çfarë AKSHI ka, çfarë tuneli ka. Apo t’ia rrasim këtij, se njihte njërin. Kjo është PS?! Jo nuk është kjo. PS është Erion Braçe, Fatmir Xhafaj, është Ben Pëllumbi që nuk pati kurajo. Është Majko me gjithë të mirat e gjysmë të këqijat. Ka njerëz me dinjitet që nuk flasin. Pse nuk flasin?
Peka: Se janë me dinjitet?!
Ahmetaj: Po pse nuk flasin.
Peka: Ku ka njeri me dinjitet aty!
Ahmetaj: Të lutem.


