
Prej një jave kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu ndodhet në SHBA, ku çdo ditë ka takuar zyrtarë të lartë atje, si dhe ka marrë pjesë në forumin e Unionit Ndërkombëtar të Demokracisë (IDU), arsyeja për të cilën kishte udhëtuar. IDU është një platformë globale që bashkon rreth 80 parti, të djathta dhe të qendrës së djathtë, nga 60 vende të botës.
Për çdo ditë Mediu ka publikuar fotografi nga këto takime. Dita e parë për të ka nisur me një mëngjes pune në Kapitol me kongresmenët republikanë, Pete Sessions dhe Keith Self. Ai shoqërohej në këto takime nga kolegët shqiptarë, Belind Këlliçi, Albana Vokshi, Sention Zotaj dhe Ergys Muzhaqi. Ditët e tjera vazhduan me takime të ndryshme, duke nisur nga i nominuari si Këshilltar për Sigurinë i Donald Trumpit, kongresmeni Mike Waltz i cili mbajti një fjalë përshëndetëse atje, deri tek kongresmenë e senatorë amerikanë si Darrell Issa. Por cilët janë këta senatorë e kongresmenë që Mediu ka takuar atje? Sa të afërt janë ata me presidentin e zgjedhur, Donald Trumpin?

Mike Waltz
Mike Waltz është një kongresmen republikan, besnik i Trumpit, i cili është zgjedhur si Këshilltari për sigurinë kombëtare. Waltz ka një histori të gjatë në qarqet politike të Uashingtonit. Ai ka qenë drejtor i politikës së mbrojtjes për sekretarët e mbrojtjes Donald Rumsfeld dhe Robert Gates si dhe ka qenë i zgjedhur në Kongres në vitin 2018. Ai është kryetar i nënkomitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve që mbikëqyr logjistikën ushtarake dhe gjithashtu në komitetin e përzgjedhur për inteligjencën. Waltz bën pjesë gjithashtu në Task Forcën e Republikanëve në Kinë dhe ka argumentuar se ushtria amerikane nuk është aq e përgatitur sa duhet të jetë nëse do të kishte konflikt në rajonin Indo-Paqësor.

Darrel Issa
Darrell Edward Issa është një biznesmen dhe politikan amerikan që shërben si përfaqësues i SHBA-së për distriktin e 48-të të Kongresit të Kalifornisë. Aktualisht ai është kandidati kryesor për Kryetar të Komisionit të Punëve të Jashtme të Kongresit të SHBA-ve.

Pat Fallon
Patrick Edward Fallon është një biznesmen dhe një kongresmen republikan. Ai aktualisht është ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Sekret, që kur drejtoresha e mëparshme, Kimberly Cheatle dha dorëheqjen pas tentativës për ekzekutimin e Donald Trumpit.

Pete Sessions
Pete Sessions është një kongresmen amerikan që shërben si përfaqësues i distriktit të 17-të të Teksasit dhe anëtar i Partisë Republikane. Ai ka shërbyer që nga 3 janari i vitit 2021 dhe ky mandat i përfundon më 3 janar 2025. Ai është 69 vjeç.

Keith Self
Keith Self është gjithashtu një anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, që përfaqëson Distriktin e 3-të të Kongresit të Teksasit. Njëlloj si Sessions është republikan. Ai e mori detyrën më 3 janar 2023 dhe mandati i përfundon më 3 janar 2025.

Ted Cruz
Ted Cruz është një politikan republikan amerikan i cili u zgjodh në Senatin e SHBA-ve në vitin 2012 dhe e filloi mandatin e tij të parë duke përfaqësuar Teksasin në 2013-ën. Cruz është i njohur për pikëpamjet e tij konservatore. Më parë ai ka punuar për ish-presidentin George W. Bush, duke e këshilluar atë për çështjet e ligjit dhe politikës publike. Por me Donald Trumpin ka patur një marrëdhënietë komplikuar, kur herë e mbështeste me forcë, e herë të tjera kishte ndasi mes tyre. Ai kandidoi pa sukses për president në vitin 2016, zgjedhje të cilat i fitoi Trumpi. Në javët përpara zgjedhjeve, Cruz i rezistoi presionit nga fushata e Trumpit për ta mbështetur ish-presidentin duke thënë se donte më parë të dëgjonte votuesit në Iowa. Megjithatë në fund e mbështeti atë. Në zgjedhjet e fundit të vitit 2024, Cruz fitoi vendin e tij në senat përballë kundërshtarit demokrat Colin Allred.

Mike Lee
Mike Lee është një politikan amerikan i cili u zgjodh në Senatin e SHBA-ve në vitin 2010 si përfaqësues i shtetit Utah. Gjatë garës presidenciale të vitit 2016, Lee refuzoi të mbështeste Donald Trumpin. Atë vit Lee u rizgjodh lehtësisht në Senat dhe ai vazhdoi të ndiqte një axhendë konservatore – dhe ndonjëherë libertariane. Ai mbështeti vendimin e Trumpit në 2017-ën për të tërhequr Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja e Parisit për klimën, për uljen e emetimeve të gazeve serrë. Lee mbështeti një sërë politikash të tjera të presidentit, megjithatë, herë pas here e ka kundërshtuar publikisht Trumpin. Kjo ishte veçanërisht e dukshme në janar të vitit 2020, kur ai kritikoi vendimin e Trumpit për të urdhëruar një sulm me dron ndaj një gjenerali iranian, mes tensioneve në rritje midis SHBA-së dhe Iranit.

Rick Scott
Rick Scott është anëtar i Partisë Republikane, ai shërbeu dy mandate si guvernatori i 45-të i Floridës nga viti 2011 deri në 2019-ën. Scott është një aleat i ngushtë i Donald Trumpit dhe një nga mbrojtësit më të flaktë të tij. Scott fitoi zgjedhjet e Senatit të SHBA-së në vitin 2018, duke mposhtur rivalin demokrat Bill Nelson. Rezultatet fillestare të zgjedhjeve ishin aq afër sa shkaktuan një rinumërim të detyrueshëm, ku ai rezultoi fitues dhe mori detyrën pasi i mbaroi mandati si guvernator më 8 janar 2019. Ai u rizgjodh si senator i Floridës edhe në zgjedhjet e këtij viti, duke mundur kandidaten demokrate Debbie Mucarsel-Powell.

Joe Wilson
Wilson është një politikan republikan që shërben si përfaqësues për distriktin e 2-të të Kongresit të Karolinës së Jugut që nga viti 2001. Ai është ndoshta më i njohur për thirrjet “Ti gënjen!” që i bënte ish -presidentit Barack Obama në vitin 2009, pasi Obama tha se emigrantët pa dokumente nuk do të merrnin përfitime nga legjislacioni që përfundimisht u bë” Akti i Kujdesit të Përballueshëm”.

John Robert Moolenaar
John Robert Moolenaar është një kimist dhe politikan amerikan që shërben si kongresmen nga shteti i Michiganit që nga viti 2015. Në dhjetor të vitit 2020, Moolenaar ishte një nga 126 anëtarët republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve që nënshkroi padinë e paraqitur në Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara që kundërshtonte rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Daniel Twining dhe Paul McCarthy
Daniel Twining është president i Institutit Republikan Ndërkombëtar, i cili punon në mbarë botën, për të nxitur zhvillimin demokratik. Duke nisur nga viti 2017, ai drejton ekipin e IRI-t prej mbi 800 ekspertësh globalë, për të motivuar njerëzit të angazhohen në procesin politik dhe për të udhëhequr politikanët dhe zyrtarët qeveritarë që të jenë të përgjegjshëm ndaj qytetarëve. Më parë ai ka shërbyer si këshilltar i presidentit dhe drejtor i Programit të Azisë në fondin gjerman Marshall, si anëtar i Stafit të Planifikimit të Politikave të Sekretarit të Shtetit, si këshilltar për politikën e jashtme të senatorit amerikan John McCain dhe si anëtar stafi i Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA.
Paul McCarthy është gjithashtu pjesë e Institutit Republikan Ndërkombëtar. McCarthy ka punuar në fushën e promovimit të demokracisë për më shumë se dy dekada dhe e filloi karrierën e tij duke u fokusuar në shtetet ish-komuniste të Evropës. Para se t’i bashkohej IRI-t, ai punoi në divizionin e National Endowment for Democracy (NED) për Evropë dhe Eurazi, ku mbikëqyri programin e gjerë të NED në Ballkan, i cili ofroi ndihmë për mediat e pavarura, organizatat qytetare, grupet e mendimit, shoqatat e biznesit dhe partitë politike gjatë një periudhe kritike për rajonin. Ai e filloi karrierën e tij në IRI në tetor të vitit 2004 në divizionin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut. Më vonë, në tetor 2018, ai u emërua drejtor i divizionit të Evropës, ku është përgjegjës për mbikëqyrjen e një portofoli të larmishëm të programeve rajonale dhe specifike të vendit.


