
Dy anijet e ngarkuara me mbetje toksike të rrezikshme të cilat ishin nisur nga porti i Durrësit për në Tajlandë, kanë ngritur shqetësime të mëdha për shkeljet e mundshme të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Por përpos kësaj, shqetësimi më i madh që ekziston mes disa eksponentëve të politikës në Shqipëri është çfarë do të ndodhë nëse këto mbetje kthehen në Shqipëri? A rrezikohen qytetarët shqiptarë? Janë shumë pyetje të cilat prej disa ditësh nuk kanë marrë ende një përgjigje.
Çfarë ka ndodhur?
Fillimisht lajmi u raportua më 12 Gusht nga “Bloomberg” e më pas më 14 Gusht nga media tajlandeze “Bangkok Post”, që duke iu referuar autoriteteve zyrtare tha se janë gjendur, ndaluar dhe synohet të kthehen mbrapsht dy anije me të paktën 100 kontejnerë të cilat përmbanin 816 tonë që dyshohen mbetje industriale dhe një pjesë e tyre toksike.
Dy anijet e linjës tregtare ndërkombëtar “Maersk”, konkretisht “Campton” dhe “Candor” dyshohen se po transportonin mbetje të rrezikshme furre elektrike shkrirjeje të çelikut (Kadmium dhe Krom) nga Shqipëria në Tajlandë, e cila ka deklaruar se kontejnerët me mbetje do të ktheheshin nga kishin ardhur. Alarmi u ngrit nga organizatat mjedisore, konkretisht organizata amerikane Rrjeti i Veprimit të Baselit (Basel Action Network).
Drejtori ekzekutiv Jim Puckett tha për Bloomberg se: “Shqipëria duhet të marrë përsëri kontejnerët dhe të sigurojë që mbetjet të mos rieksportohen në një destinacion tjetër.”
Por kjo organizatë gjithashtu theksoi se “Tashmë është konfirmuar se Shqipëria nuk është informuar asnjëherë për eksportin nga eksportuesi dhe Tajlanda nuk ka marrë asnjë njoftim. Vendet tranzit si Afrika e Jugut gjithashtu nuk janë informuar para dërgesës.”
Pra qeveria shqiptare, ndonëse ende nuk ka një reagim publik nga kryeministri Edi Rama nuk paska ditur gjë.
Të njëjtën gjë pretendon dhe kompania “Maersk”, e cila ka deklaruar se asnjë nga kontejnerët nuk ishte deklaruar se përmbanin mbetje të rrezikshme, përndryshe do të kishte refuzuar t’i transportonte ato. Konkretisht dyshimet janë se bëhet fjalë për pluhur të furrës, material i cili kërkon trajtim pasi është një produkt mbetjesh i rrezikshëm që zakonisht vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike, si Kadmiumi dhe Kromi, që janë të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin.
Shumë pyetje, zero përgjigje
Tajlanda është e vendosur të mos pranojë mbetje të rrezikshme dhe ka kërkuar që Shqipëria t’i marrë mbrapsht ato. Të njëjtën kërkesë kanë organizatat mjedisore. Por këtu ka ende shumë gjëra të paqarta, pyetje që nuk i është dhënë ende përgjigje.
Të kujt janë këto mbetje? Pronari i anijeve dihet, por cili është pronari i kontejnerëve me mbetje, çfarë u deklarua kur u ngarkuan, kush e dha lejen për to? Pasi të gjitha indikacionet janë për një trafik illegal të mbetjeve.
Kjo histori duket sikur ka kaluar ne heshtje në Shqipëri, pasi vetëm pak reagime nga opozita ka patur. Kryetari i PD-së Sali Berisha ka bërë përgjegjës direkt kryeministrin Edi Rama. “Cili qenka ai biznesmen i aftë që asgjëson çdo inspektorat në Shqipëri, që asgjëson dogana, tatime, kontrolle e gjithçka tjetër dhe nis në det mijëra e mijëra ton helme lëndë toksike? Jo, ky nuk mund të jetë një biznesmen, ky mund të jetë vetëm kryepadrinoja e Shqipërisë, Edi Rama me klanin e tij” – akuzoi Berisha që deklaratat i çoi edhe më tej duke deklaruar se edhe në Shqipëri nëpër tunele po groposen mbetje të rrezikshme.
Vetëm një analizë është publikuar nga ish-deputeti demokrat Eduard Halimi, i cili përmes një artikulli të publikuar nga gazeta Panorama, thotë se nëse vërtet Tajlanda do t’i kthejë ato në vendin e origjinës, pra në Shqipëri, kriza do të vijë sërish këtu, duke përbërë një kërcënim serioz për mjedisin dhe njerëzit.
Halimi trajton dhe aspektin ligjor, dhe thekson se “Sipas nenit 6 të Konventës së Bazelit, të ratifikuar me ligjin nr. 8216, datë 13.5.1997, Shqipëria ka pasur detyrimin të njoftojë dhe t’i kërkojë prodhuesit ose eksportuesit që të njoftonte me shkrim, përmes Drejtorisë së Ekonomisë Qarkulluese pranë ministrisë përkatëse, autoritetin kompetent të shteteve të interesuara rreth çdo lëvizjeje të propozuar ndërkufitare të mbetjeve të rrezikshme dhe mbetjeve të tjera. Vetëm pas njoftimit të shtetit të importit dhe shtetit të tranzitit, dhe marrjes së pëlqimit nga këto shtete, mund të vijohej me transportin e mbetjeve të rrezikshme dhe autoritetet shqiptare portuale të vijonin me procesin.”

Për këtë arsye sipas tij, Shqipëria (autoritetet shtetërore) nuk duhej të kishte lejuar prodhuesin ose eksportuesin të fillonte lëvizjen ndërkufitare derisa të kishte marrë konfirmimin me shkrim që njoftuesi ka marrë pëlqimin me shkrim të shtetit të importit, si dhe që njoftuesi ka marrë prej shtetit të importit konfirmim mbi ekzistencën e një kontrate midis eksportuesit dhe asgjësuesit, duke specifikuar trajtimin e plotë nga ana mjedisore të mbetjeve në fjalë.
Prandaj sipas Halimit, në kushtet kur mungon njoftimi i shtetit të tranzitit dhe shtetit të importit, si dhe mungon miratimi i tyre i shkruar, ndodhemi përballë trafikut ilegal të mbetjeve. Ai gjykon se në nivelin kombëtar, përgjegjësit do të përfshinin padyshim: Autoritetin portual, i cili ka përgjegjësi për kontrollin, monitorimin, sigurinë dhe shëndetin në punë, njoftimin dhe koordinimin; Autoritetet doganore, po ashtu, lidhur me inspektimin, verifikimin, sigurimin e dokumentacionit, ndjekjen e protokolleve dhe padyshim edhe niveli ministror, që nga lëshimi i lejeve, monitorimi dhe zbatimi i tyre, vlerësimin e ndikimit në mjedis etj. Se di do shkojë kjo histori, mbetet të presim…
Në nëntor të vitit 2013, kur Edi Rama vetëm pak muaj që kishte ardhur në pushtet, një lëvizje e fuqishme protestash u zhvillua kundër armëve kimike të Sirisë. Në atë kohë SHBA-të i kishin kërkuar Shqipërisë që në territorin e saj, të shkatërroheshin armët kimike të regjimit sirian, gjë që solli shumë shqetësime lidhur me rrezikun që kjo veprimtari mund të kishte për shëndetin e qytetarëve, apo se mund të sillte katastrofa mjedisore të përmasave apokaliptike. Pas protestave kryeministri Rama doli publikisht të bënte me dije vendimin që nuk do pranohej kjo marrëveshje nga qeveria e tij.


