
Emisioni “Plug” i Syri.net publikoi së fundi një shkrim mbi gazetarin dhe biznesmenin italian Karlo Bollino, pronar i Report TV dhe portalit Shqiptarja.com. Artikulli u publikua në një kohë kur Bollino po përballet me akuza nga PD-ja dhe SPAK-u, të lidhura me mënyrën e përfitimit të pronës shtetërore në ish-Repartin e Orëve, ku sot ndodhet godina e televizionit të tij.
Sipas shkrimit të “Plug”-ut, akuzat kryesore që rëndojnë mbi Bollinon lidhen me procedurat e dyshimta që çuan në dhënien me qira të pronës shtetërore prej 4 mijë m² për vetëm 1 euro, përfshirjen e tij në ndryshime të VKM-ve që i hapën rrugën përfitimeve të mëdha dhe lejen e ndërtimit të një godine të re televizive. Sipas artikullit, qeveria e Edi Ramës ndërhyri në ligj për t’i mundësuar Karlo Bollinos përdorimin e pronave shtetërore për aktivitete mediatike dhe përfitime të mëdha financiare.
Flakë për flakë është kundërpërgjigjur Bollino. Ai nuk nguron të shënjestrojë Shkëlzen Berishën dhe familjen Berisha, duke e akuzuar për përpjekje për të ndikuar në imazhin e tij dhe të mediave që ai drejton. Ai gjithashtu paralajmëron se do të bëjë një shkrim të plotë dhe profesional, duke theksuar se synon të zbardhë mënyrën se si disa media janë financuar me fonde të dyshimta dhe aktivitetet e tyre për të fshehur para të pista:
“Edhe pak ditë durim dhe do të tregoj unë si bëhet një investigim i vërtetë dhe profesional mbi një media të lindur me ‘donacione’ të krimit, të mbajtur me para të pista, që nuk paguan tatimet dhe që vazhdon të pastrojë para të korrupsionit dhe krimit, duke paguar staff-in në të zezë! Pas investigimit të Gërdecit të Shkëlzenit, aferave të Argitës, Klub Partizanit, aferat e familjes Berisha me Fazlliç dhe masakrën e 21 janarit me videon e të vërtetës, nuk kanë të mbaruar tentakulat e të keqes që drejtohet nga një kokë e plakur dhe e ligë e që struktura të caktuara të Shtetit vazhdojnë ta mbrojnë! Por deri kur? Tani për tani Gëzuar Festat!”– shkruan Bollino.

Reagimi i Carlo Bollinos, i cili i ka dalë përballë sulmeve të “Plug”-ut, u mbështet edhe nga Adriatik Doçi. Doçi theksoi se “sulmet ndaj tij janë sulme ndaj gazetarisë së pavarur dhe përpjekjes për të zbardhur aferat e korrupsionit”.
“Të qeshësh apo të qash?! Plug-u i Shkëlzenit paskërka bërë ‘investigim’ për veprimtarinë e një gazetari. Dhe jo një gazetari dosido, por për Carlo Bollinon, për një prej profesionistëve më skrupulozë në Shqipëri. Së pari, emisioni Plug, një prej qerpikëve të Syrit të Familjes Berisha, duhet të jetë vetë objekt investigimi, pasi financohet nga para të pista. Të pakën 50 biznesmenë dhe 6-7 të ashtuquajtur oligarkë, këta të fundit pjesë e dosjes së SPAK-ut për tenderat e rrugëve të Shqipërisë, paguajnë haraç mujor nga paratë e vjedhura publike duke financuar Syrin e Familjes Berisha.”, shkruan Doçi.
Së fundi Bollino ka qenë nën vëmendje në disa përgjime. Lapsi.al ka publikuar se nga dosja e Belinda Ballukut, ka “rrjedhur” një pasazh ku përfshihet Carlo Bollino. Në këtë pjesë të dosjes, Bollino duket se ka kërkuar favore financiare për një biznesmen të tij, Rais Petrela, nga ministrja e Infrastrukturës, ndërsa Balluku dhe vartësit e saj diskutojnë për pagesat e shtyra dhe mënyrën se si do të menaxhohen mediat. Sipas shkrimit Bollino ka ndërhyrë për interesa të përbashkëta dhe kjo tregon një lidhje të mundshme mes kryeministrit dhe favorizimeve financiare.


