
Një person ka sulmur me armë zjarri agjentët e Sigurimit të Shtëpisë së Bardhë në SHBA. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës kur reporterët e mediave po raportonin direkt nga Shtëpia e Bardhë. Ata janë shmangur, duke u ulur në tokë për t’u mbrojtur, por kamerat kanë vijuar të filmojnë. Autori, një 21-vjeçar, i quajtur Nasir Best me probleme të shëndetit mendor, hapi zjarr jashtë kompleksit presidencial. “Euronews” raporton se janë shkrepur rreth 20 deri në 30 plumba pranë Shtëpisë së Bardhë. Sipas “BBC-së”, dyshohet se Best është vrarë gjatë një këmbimi zjarri me rojet e sigurisë. Presidenti amerikan Donald Trump kur ndodhi ngjarja ndodhej në Shtëpinë Bardhë. Ai ka reaguar në rrjetin e “Truth social” duke falenderuar rojet e sigurisë. “Falënderoj Shërbimin Sekret të shkëlqyer dhe agjentët e zbatimit të ligjit për veprimin e shpejtë dhe profesional që ndërmorën sonte kundër një personi të armatosur pranë Shtëpisë së Bardhë, i cili kishte një histori dhune dhe një obsesion të mundshëm me ndërtesën më të nderuar të kombit tonë”. Për Nasir Bestin ky është një incident i përsëritur. Ai ka tentuar edhe në korrik të vitit 2025 hyjë në Shtëpinë e Bardhë dhe më pas ishte dërguar në një institucion psikiatrik për shkak të problemeve të shëndetit mendor.


